Qosja: AAK e PDK humbën nga pasurimi i shpejtë

Akademik Rexhep Qosja thotë se zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë nuk ishin revolucionare.

Në vazhdimin e intervistës për Gazetën Shqiptare, ai thotë se elektorati në Kosovë nuk sheh ende krejt ç’duhet të shihet në jetën politike kosovare.

“Është një bindje më e përgjithshme se në këto zgjedhje më së keqi kaluan dy partitë e krijuara prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Ju mund të shtroni pyetjen pse ndodhi kjo? Janë disa arsye, por kryesoret mund të jenë: e para është zyrtarizmi i tyre jodemokratik dhe veçimi prej popullit dhe, e dyta, është pasurimi i shpejtë, shumë i shpejtë i disa zyrtarëve të vegjël e të mëdhenj të këtyre dy partive. Mendja e shëndoshë nuk mund të pajtohet që një, ta themi i varfër i djeshëm, për dhjetë vjet të bëhet milioner i sotëm me pasuri që përmban pallat, firma, dyqane, aksione në firma, pompa benzine, vetura luksoze të djemve e bijave, kursime jashtë Kosovës e të tjera. Të pasuruarit ndoshta nuk mund të marrin me mend se te shumë qytetarë, në mënyrë të veçantë te ata të shtresës së mesme, është krijuar disponim negativ për ta”, thotë Qosja.

Ai është shprehet i befasuar se pse nuk fitoi kandidati, që sipas tij është “politikisht dhe kombëtarisht më i merituari për të fituar” – Agim Çeku.

“Ky drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shefi i Shtabit të saj të Përgjithshëm, shumë i autoritetshëm, me prestigj të paluhatshëm, me merita historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që kishte program shumë të mirë, që u paraqit jashtëzakonisht bindshëm në fushatë, humbi sepse partisë së tij, Partisë Demokratike të Kosovës, ka ardhur duke iu zvogëluar elektorati edhe ashtu i paktë në kryeqytetin e Kosovës”.

Humbjen e Prishtinës nga Isa Mustafa i LDK-së, Qosja nuk e quan fitore të Lëvizjes Vetëvendosje po të kandidatit të saj, Shpend Ahmetit.

“Nuk e njoh këtë djalë, nuk e kam takuar ndonjëherë, por me sjelljen e tij, me mendimet e tij, me modestinë e tij, në përgjithësi me moralin e tij politik-social, ai lë përshtypje jashtëzakonisht të mira. Në qoftë se do të sillet, do të veprojë dhe do të mendojë siç po paraqitet e po mendon tani, unë do të doja që Kosova të ketë më shumë Shpend Ahmeta dhe më shumë Mimoza Kusara-Lila. Të ketë më shumë Shpenda e Mimoza që edhe në zgjedhjet e herëve të tjera ta lirojnë Kosovën prej atyre të cilët na kanë bindur se në vend se për Kosovën mendojnë për pushtetin e vet dhe leverditë e veta”. 

Lajme të ngjashme

Back to top button