Kreu i KMSH-së, Skënder Bruçaj, uron shqiptarët për nisjen e Muajit të Ramazanit

Një ditë përpara se të fillojë Muaji i madhërueshëm i Ramazanit, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj ka uruar të gjithë besimtarët shqiptarë, brenda dhe jashtë kufijve, për një muaj Ramazani të begatë.

Urimi i plotë

“Bismilahi Rrahmani Rrahim

Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni, në Shqipëri, në trevat shqiptare, anembanë botës.

Më lejoni që në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, por edhe në emrin tim personal, t’ju përshëndes me paqen dhe sigurinë që vjen prej Krijuesit tonë Mëshirues dhe Mëshirëbërës dhe t’ju uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit.

Nesër, me datë 6 qershor, është dita e parë e këtij muaji të madhërueshëm dhe njëkohësisht dita e parë e agjërimit.

Për agjërimin e Ramazanit, Allahu i Gjithëmëshirshëm në Kur’anin Famëlartë, thotë: “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që e dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (El-Bekare, 185)

Me agjërimin e Ramazanit shprehet më së miri besimi, sinqeriteti, humanizmi, uniteti, bujaria, virtyte këto të cilat duhet të stolisin çdo besimtar në jetën e tij të përditshme.

Ne këtë muaj Krijuesi i Gjithësisë hap dyert e mëshirës për të gjithë besimtarët, të cilët e kryejnë këtë adhurim me përkushtim e devotshmëri. Agjërimi mbart në vetvete sakrificën dhe përkushtimin ndaj Allahut. Qëllimi kryesor i agjërimit është fitimi i kënaqësisë së Zotit.

Ramazani njihet si muaji i Kur’anit Famëlartë, prandaj le të na shërbejë kjo periudhë e bekuar kohore për njohjen sa më të thellë të mesazhit hyjnor dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të vlerave e traditave tona të bukura islame.

Të nderuar bashkëkombës,

Ky muaj i begatë na rikujton kujdesin, vëmendjen dhe dashurinë që duhet të kemi për njerëzit që na rrethojnë, në veçanti për ata që kanë nevojë për përkrahjen tonë në përmbushjen e nevojave të tyre jetike, duke u bërë në këtë mënyrë shkak që edhe në shoqërinë tonë të mbretërojë mirësia, begatia, harmonia dhe paqja.

Ramazani është një ftesë hyjnore për të gjithë ne, një rrugëtim drejt edukimit moral e shpirtëror, drejt njohjes së përgjegjësive tona në raport me Zotin, me veten, familjen, të afërmit dhe shoqërinë.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtare, kudo që gjendeni, në Shqipëri dhe jashtë saj, ju uroj edhe njëherë përzemërsisht muajin e bekuar të Ramazanit. Allahu na i pranoftë agjërimin, adhurimet dhe veprat e mira, na sjelltë begati, mirësi dhe paqe në familjet tona, dhe në mbarë Shoqërinë”./tesheshi.com/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button