Obama: Amerika nuk ndalet, as unë!

Presidenti amerikan, Barack Obama, premtoi të anashkalonte një Kongres “të përçarë” për të trajtuar pabarazinë ekonomike, në adresimin e përvitshëm të tij “State of the Union”.

Ai u angazhua se “do të ndërmerrte hapa pa mbështetjen e ligjvënësve”, kudo ku do të ishte e mundshme, duke shpallur edhe rritjen e pagës minimale për stafin e kontraktuar nga shteti federal.

Sa i përket Iranit, ai theksoi se do të vendoste veton ndaj çdo sanksioni të ri, që do të rrezikonte të nxirrte jashtë binarëve bisedimet e deritanishme diplomatike.

Presidenti demokrat i SHBA-ve është përballur me normat më të ulta të miratimeve, që kur mori për herë të parë drejtimin e vendit, në vitin 2009. “Le ta bëjmë 2014-n, vitin e veprimit”, ishte kryethënja e Obama-s në fjalimin e tij.

Duke theksuar thellimin e pabarazisë dhe ngecjen e rritjes ekonomike, ai tha se do të ofronte “një set propozimesh konkrete dhe praktike për të përshpejtuar rritjen ekonomike, forcimin e shtresës së mesme të popullsisë, si dhe krijimin e mundësive të reja për këtë shtresë”.

“Amerika nuk është ndalur kurrë, as unë nuk do të rri duarkryq”, tha ai. “Kështu, kudo dhe kurdo që do të më jepet mundësia të ndërmarr hapa pa miratimin e ligjvënësve, do ta bëj për të rritur të gjitha mundësitë për më shumë familje amerikane”.

Pikërisht 1 vit pas rizgjedhjes së tij president, Obama duhet të luftojë me opozitarizmin e vendosur të Partisë Republikane, e cila kontrollon Dhomën e Përfaqësuesve, si dhe ka numrat e mjaftueshëm për të bllokuar axhendën e tij në Senat.

Koha po kalon shpejt, përpara se Uashingtoni të rikthejë vëmendjen në garën për të zgjedhur pasardhësin e tij, në zgjedhjet e vitit 2016, duke kërcënuar ta lërë mënjanë Obama-n edhe pse kanë mbëtur edhe 3 vjet nga detyra e tij në postin aktual.

Gjatë adresimit të tij, Obama apeloi ndaj Kongresit të rikthejë sigurimet për të papunët, të cilat kanë skaduar për mbi 1,6 milionë njerëz, si dhe i kërkoi republikanëve të ndalin përpjekjet për të shfuqizuar nënshkrimin e tij për rinovimin e kujdesit shëndetësor.

Problemet e shfaqura me uebsajtin, tek i cili amerikanët duhet të aplikojnë për Kujdesin Shëndetësor, kanë goditur disi popullaritetin e presidentit.

Obama theksoi rëndësinë e arsimimit të të vegjëlve, rritjen e nivelit të edukimit universitar, si dhe mundësi të barabarta në vendet e punës, si për meshkujt edhe për femrat. Ai gjithashtu apeloi ndaj Kongresit për të miratuar rritjen e pagës minimale në rang kombëtar, e cila aktualisht është 7,25 dollarë për orë.

Urdhri ekzekutiv i tij për rritjen e pagës minimale të punonjësve federalë në kufirin e 10,10 dollarë për orë, do të aplikohet vetëm për kontratat që do të firmosen në të ardhmen. Masa në fjalë u njoftua gjatë adresimit të tij përpara Kongresit, duke nxitur një përgjigje të shpejtë nga republikanët.

Kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, tha se impakti do të ishte “shumë afër zeros” dhe paralajmëroi se një lëvizje e tillë do të kushtonte mijëra vende pune. Ai tha për reporterët se partia e tij do të jetë në vëzhgim të vazhdueshëm, për t’u siguruar që presidenti të mos tejkalojë autoritetin e tij përmes veprimeve të tilla ekzekutive.

“Ndoshta më duket mua, por shoh se ai kërkon të kalojë përtej kufijve të Kushtetutës”, tha kongresmeni republikan, Paul Ryan, kandidati për zëvendës-president gjatë zgjedhjeve të 2012-s. “Nëse do të duhet të shkruhet një ligj, jemi ne përfaqësuesit e zgjedhur këtu, në Dhomë e Senat, për ta bërë diçka të tillë. Presidentët nuk shkruajnë ligje”.

Presidenti nxiti gjithashtu përfaqësuesit republikanë të Dhomës, të mbështesin një rregullim të gjerë të sistemit amerikan të emigracionit, duke thënë se kjo do ta bënte “vendin tonë më tërheqës për investimet e bizneseve, si dhe do të krijonte vende të reja pune për këdo”.

Vitin e kaluar, Senati kaloi një projektligj që përfshinte një rrugëtim drejt shtetësisë për rreth 11 milionë emigrantë pa dokumente në SHBA.

Dhoma ka refuzuar deri më tani të votojnë mbi atë legjislacion, edhe pse gjatë ditëve të fundit media amerikane ka raportuar se liderët republikanë të dy dhomave të Kongresit po marrin në konsideratë një seri masash më të kufizuara.

Sa i përket politikës së jashtme, Obama u angazhua të mbështeste një Afganistan të unifikuar, i cili do të ndërmarrë përgjegjësi për të ardhmen e vet; të mbështeste opozitën në Siri, me kushtin “atë pjesë të opozitës, që do të refuzojë axhendën e rrjeteve terroriste”; si dhe të sigurohej se çdo marrëveshje e mundshme afatgjatë mbi programin bërthamor të Iranit të bazohet mbi “veprime të verifikueshme”.

Ai shtoi gjithashtu se, në prag të përfundimit të operacioneve madhore të SHBA-ve në Afganistan, “ky duhet të jetë viti i duhur, që Kongresi të heqë kufizimet e mbetura mbi transferimin e të burgosurve dhe për mbylljen e burgut të Guantanamos”.

Mes njerëzve që u bashkuan me Zonjë e Parë të SHBA-ve, Michelle Obama, në vendndodhjen e përcaktuar në Kongres para fjalimit, ishte dhe basketbollisti Jason Collins, i cili deklaroi vitin e kaluar se ishte gay, gjithashtu 2 të mbijetuar të atentatit në Maratonën e Bostonit dhe shefi i zjarrfikësve, i cili kishte marrë pjesë Oklahoma, kur ky shtet u godit nga tornado.

Lajme të ngjashme

Back to top button