OKB: Koalicioni saudit në listë të zezë për vrasje fëmijësh në Jemen

Kombet e Bashkuara e kanë vendosur koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite në një listë të zezë për shkak të vrasjes së qindra fëmijëve gjatë sulmeve ajrore të kryera vjet, njofton REL.

Koalicioni i udhëhequr nga sauditët ka për qëllim përkrahjen e qeverisë së Jemenit.

Edhe rebelët shiit të Jemenit, Huthi, që në shtatorin e 2014-ës e okupuan kryeqytetin, Sanaa, gjithashtu janë shtuar në listën e grupeve që dhunojnë të drejtat e fëmijëve.

“Situata në Jemen është veçanërisht shqetësuese për shkak të rritjes prej pesëfish të numrit të fëmijëve që po rekrutohen (nga grupet e armatosura), ndërsa gjashtë herë më shumë janë vrarë apo gjymtuar fëmijët në krahasim me vitin 2014”, vlerëson OKB.

Koalicioni i udhëhequr nga Sauditët është përgjegjës për 60 % të numrit total prej 785 fëmijëve të vrarë dhe 1168 të plagosur, thotë më tej organizata botërore.

Koalicioni e ka nisur fushatën ajrore në mars të vitit 2015 me qëllim që të mposht rebelët e Huthit, mirëpo rebelët vazhdojnë të kontrollojnë kryeqytetin dhe shumë pjesë të tjera të vendit.

“Në disa raste konflikti, operacionet ajrore kanë kontribuar për të krijuar ambient kompleks gjatë së cilës shumë fëmijë janë vrarë apo gjymtuar”, thotë OKB.

Ndërkaq, nga 762 raste të verifikuara të fëmijëve të rekrutuar, 72 % prej tyre i atribuohen rebelëve Huthi, 15 % forcave qeveritare dhe nëntë përqind Al Kaidës në gadishullin arabik, thotë në fund, OKB.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button