Njihuni me partinë e tretë amerikane dhe kandidatin e saj për president

Partia që kërkon fundin e dollarit dhe rikthimin e arit, legalizimin e të gjitha drogave, tërheqjen e Amerikës nga OKB-ja dhe mbylljen e Bankës Qendrore ka nominuar kandidatin e saj për president

Konventa libertariane. Pas rezultatit të qartë te dy partitë e madhe, vëmendja e politikës amerikane është zhvendosur nga përballjet brendapartiake te përballja e pritshme Tramp-Klinton. Mirëpo në prapavijë në ndërkohë kanë vazhduar aktivitetet e partive të vogla amerikane. Javën e kaluar konventën e saj zgjedhore e ka mbajtur partia e tretë amerikane, Partia Libertariane. Pas dy rundesh zgjedhore konventa ka emëruar kandidatin e saj për president të SHBA-ve, Geri Xhonson.

Libertariani Geri Xhonson ka qenë guvernator i shtetit Nju Meksiko në periudhën 1995-2003. Në këtë post është zgjedhur dhe ka qeverisur si republikan. Po si republikan kandidoi në zgjedhjet brendapartiake për nominim në vitin 2012. Duke mos gjetur më hapësirë te republikanët, më pas u kandidua si i nominuar i partisë libertariane në zgjedhjet e përgjithshme dhe fitoi mbi 1 milionë vota, apo rreth 1% të totalit.

Edhepse rezultati i Xhonsonit i vitit 2012 ishte rekord për partinë libertariane, tani mendohet se gjasat i ka edhe më të mira. Është fakt se Tramp dhe Klinton janë kandidatët me më pak popullaritet në histori, duke lënë një numër të madh votuesish të pakënaqur me zgjidhjet që ofrojnë dy partitë e mëdha. Një pjesë e mirë e tyre po deklarohen se do të qëndrojnë në shtëpi ose se do të votojnë kandidatë të tretë. Mu për këtë disa anketa e nxjerrin Geri Xhonsonin dhe partinë libertariane me përkrahje rreth 10%. Megjithëse e pamjaftueshme për të fituar, shifra e këtillë do të turbullonte tepër matematikat e dy partive të mëdha. Pra edhe nëse nuk fiton, partia libertariane mund të jetë faktor i rëndësishëm në zgjedhjet e vitit 2016.

Konventa libertariane ka zgjedhur edhe kandidat për nënkryetar që do të garojë bashkë me Xhonsonin. Ky është Bill Ueld, guvernator i shtetit Masaçusets në periudhën 1991-1997. Njëjtë si Xhonsoni, Ueld ka qenë republikan, madje disa muaj më parë ka mbështetur nominimin e Xhon Kasiç. Pikë kthese që nuk ka mundur t’a gëlltitë ishte fitorja e Trampit, shkas që Ueld të kalojë te libertarianët.

 

Kush është partia libertariane. Me madhësi partia libertariane është partia e tretë amerikane. Siç thotë edhe vetë emri i saj, partia ka preokupim kryesor lirinë. Ideja për liri dominon fund e krye agjendën dhe ideologjinë e partisë, ndonjëherë duke e detyruar në qëndrime ekstreme. Një pjesë e qëndrimeve libertariane përputhen me ato republikane dhe mu për këtë mes këtyre dy partive ka më tepër fluks politikanësh. Xhonson dhe Ueld vetë kanë qenë republikanë, ndërsa në anën tjetër ndër libertarianët më të njohur kanë qenë Ron Pol dhe Rend Pol, që sot janë kongresmenë e senatorë të republikanëve. Ca prirje libertariane ka edhe senatori dhe ish-kandidati republikan Ted Kruz. Por duke vlerësuar lirinë libertarianët bien ndesh me republikanët te çështjet kulturore dhe politika e jashtme.

çështjet ekonomike libertarianët janë më të afërt me republikanët. Ata janë për kufizim total të aparatit shtetëror në aspektin ekonomik. Çdokund kërkojnë funksionimin e tregut të lirë, janë kundër tatimit (slogani “tatimi është plaçkitje”), kundër deficiteve buxhetore. Libertarianët janë ekstremë edhe në politikën monetare. Ata kërkojnë mbylljen e Bankës Qendrore (slogani “End the Fed”), fundin e dollarit dhe rikthimin e arit si valutë themelore monetare. Në marrëdhëniet globale kërkojnë tregti të lirë, pa dogana, mes shteteve. Në tregun e punës kategorikisht kundërshtojnë rrogën minimale apo çdo mandat tjetër të imponuar nga shteti, si sigurimi shëndetësor dhe pensional.

çështjet kulturore libertarianët janë më të afërt me demokratët. Ata pranojnë abortin, apo martesat homoseksuale duke i konsideruar si pjesë e lirisë së individit. Poashtu përkrahin legalizimin e marihuanës, por këtu shkojnë shumë më larg se demokratët. Libertarianët kërkojnë legalizim të të gjitha drogave. Sipas tyre njeriu duhet të jetë i lirë të konsumojë ç‘të dojë, natyrisht duke mbajtur vetë përgjegjësinë për pasojat e tyre.

politikën e jashtme libertarianët janë pëllumba. Kështu ata janë kundër çdo lloj intervenimi amerikan në botë, madje kritikojnë edhe përzierjen në luftën e parë dhe dytë botërore. Paralelisht me këtë kundërshtojnë ndihmat që jep SHBA nëpër botë. Janë kundër anëtarësimit nëpër institucione globale dhe kërkojnë tërheqjen e SHBA prej tyre, duke filluar nga OKB. Sipas tyre relacionet e vetme të SHBA me shtetet tjera duhet të jenë marrëdhëniet tregtare.

Me këto qëndrime libertarianët bien ndesh me establishmentin e të dy partive, por gjejnë përkrahje te një pjesë e anëtarësisë së tyre. Target kryesor gjithsesi do t’a kenë fraksionin libertarian të partisë republikane si përkrahësit e Ron Pol dhe Rend Pol, apo përkrahësit e Sandersit te demokratët.

Gjasat e partisë libertariane. Duke marrë parasysh pakënaqësinë me Trampin dhe Klintonin, pritet që libertarianët këtë vit të tejkalonë rekordin e tyre të vitit 2012. Ata presin përkrahje dhe donacione nga republikanë që më parë kanë mbështetur Rend Polin. Në disa anketa libertarianët arrijnë deri 10%, por për të marrë pjesë në debatet presidenciale ju duhen 15%. Sido që të jetë ata mund t’ua ngatërrojnë punët republikanëve dhe demokratëve. Në vitin 2000 për shembull kandidati Nader morri një numër votash nga demokrati Al Gor në Florida dhe llogaritet si shkaktar kryesor për fitoren e Bushit. Pra libertarianët nuk do të fitojnë presidencën, por mund të bëhen faktor kyç që do vendosin se kush do të bëhet president, Tramp ose Klinton.

 

Rezultatet e kandidatëve të tretë. Historikisht partitë e treta nuk kanë patur sukses në SHBA. Por kohë pas kohe ata kanë arritur rezultate të mira. Ja disa nga paraqitjet më të mira të tyre në shekullin 20 dhe 21.

Viti Kandidati Partia Vota Vota %
1912 Teodor Ruzvelt Progresive 4.120.000 27%
1912 Juxhin Debs Socialiste 900.000 6%
1924 Robert La Folet Progresive 4.800.000 17%
1948 Strom Thurmond Të drejtat e shteteve 1.200.000 2.5%
1968 Xhorxh Uallas Amerikane e Pavarur 9.900.000 13.5%
1980 Xhon Anderson I Pavarur 5.700.000 6.5%
1992 Ros Pero I Pavarur 19.700.000 19%
1996 Ros Pero Reformiste 8.000.000 8.5%
2000 Ralf Nader E gjelbërt 2.900.000 3%
2012 Geri Xhonson Libertariane 1.300.000 1%

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button