Fryhet Stambolli

Qyteti më i madh i Turqisë do të bëhet më i populluari në Evropë ndërmjet viteve 2017 dhe 2018, duke ia kaluar Londrës dhe Moskës, e lëre më Parisit, që do të mbetet shumë pas tij.

 Ai tashmë mund të jetë i madh, por së shpejti do të bëhet edhe më i madh. Sipas parashikimeve të bëra nga Euromonitor këtë muaj, qyteti më i madh i Turqisë do të bëhet më i populluari në Evropë dikur ndërmjet viteve 2017 dhe 2018, duke ia kaluar Londrës dhe Moskës, e lëre më Parisit, që do të mbetet shumë pas tij. Para 2020-s, qyteti pritet të ketë mbi 16 milionë banorë, krahasuar me 13.8 milionë sa kanë pasur në vitin 2012, ka shkruar revista The Atlantic.

Këto parashikime po nxiten nga ekonomia e lulëzuar turke, e cila është rritur për 5.3 për qind çdo vit dekadën e kaluar, teksa fqinjët lindorë dhe perëndimorë janë goditur nga krizat dhe luftërat.

Sipas admiruesve të mrekullisë turke, Turqia duhet t’i falënderohet menaxhimit të shkëlqyer të ekonomisë për ngritjen e saj mbresëlënëse. Skeptikët e shohin këtë zhvillim si të paqëndrueshëm, varshmëria e të cilit nga kreditë nga jashtë po ushtron një ndikim çekuilibrues. Stambolli nuk është i vetmi metropol që po fryhet – Euromonitor ka listuar pesë qytete turke në mesin e dhjetë qyteteve me zhvillimin më të shpejtë në Evropën Perëndimore. Stambolli ende mbetet një vigan si asnjë tjetër, me një apetit të vazhdueshëm për zgjerim dhe me imigrantë në dukje të pafund.

Gjatë disa viteve të ardhshme emocionuese dhe të vështira, sfidat e Stambollit do të jenë titanike. Për fillim, ekzistojnë probleme praktike me zgjerimin e një qyteti që është në stres të madh edhe në madhësinë aktuale. Sistemi i transportit publik i Stambollit, për shembull, që shumë kohë nuk po arrin të mbajë hapin me zhvillim e qytetit. Por, shumëçka është përmirësuar: rrjetet e trenave dhe tramvajeve po vazhdojnë të zgjerohen, përderisa hekurudha e re nëntokësore e ndërtuar nën Bosfor në kushte tejet të vështira më në fund i ka mundësuar qytetit një alternativën të duhur.

Megjithatë, kjo nuk mjafton. Sistemi nuk po arrin të mbajë hapin me kërkesat, dhe disa linja vitale të metrosë mbeten ende nën ndërtim. Ndërkohë, një mungesë e alternativa të mjaftueshme ndaj udhëtimit me vetura nënkupton se kolonat e pafundme të automjeteve janë standarde, e veçanërisht rreth dy urave që kalojnë Bosforin. Me qytetin që po zgjerohet me të madhe, kjo përpjekje për të luftuar tollovinë – gjithmonë një hap prapa – do të vazhdojë edhe për disa vjet.

Por, ekspansioni nuk po ndodh vetëm në skajet e qytetit. Ndërtimi nuk është më pak problematik brenda distrikteve tashmë të ndërtuara. Lagjet e ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore kanë qenë shpesh të ndërtuara dobët, duke i bërë të rrezikshme nga kolapsi gjatë tërmetit të madh që qyteti pret ta përjetojë dikur. Ndërtimtarët insistojnë se, që qyteti të ecën përpara, këto zona duhet të shkatërrohen dhe të rindërtohen nga zeroja, proces ky që tashmë ka filluar në pjesë të caktuara.

Dhe, këtu qëndron problemi më i madh për Stambollin. Kritikët e qeverisë së kryeministrit Recep Tayyip Erdogan e shohin valën e rrënimeve – dhe shumë plane të tjera për qytetin – si uzurpime të tokave nga njerëzit e partisë në pushtet, të fshehura prapa një maske të progresit.

Theksim:

Para 2020-s, qyteti pritet të ketë mbi 16 milionë banorë, ka shkruar revista The Atlantic. Gjatë disa viteve të ardhshme emocionuese dhe të vështira, sfidat e Stambollit do të jenë titanike./ Tribuna

Lajme të ngjashme

Back to top button