Në Shqipëri shënohet Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve

Në Shqipëri Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve është shënuar në mënyra të ndryshme, ku nuk kanë munguar as surprizat për fëmijët nga institucionet shtetërore.

Kështu Policia e Shtetit Shqiptar ka uruar fëmijët sot për “1 Qershorin”, duke u dhuruar logon e policisë me mbishkrimin “Ti je heroi ynë”. “Për policinë heronjtë e vërtetë sot janë vetë fëmijët”, thuhet në mesazhin e kësaj fushate të Policisë Shqiptare.

Surprizat e policisë nuk kanë munguar as në Spitalin e Fëmijëve në Tiranë, ku punonjësit e policisë të veshur si personazhet e dashur për fëmijët si “spiderman” dhe “batman”, iu kanë dërguar atyre dhurata të ndryshme. I pranishëm gjatë kësaj shfaqjeje ku spektatorë janë bërë edhe qytetarë dhe prindër të shumtë ka qenë edhe vetë ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimri Tahiri.

Ndërsa edhe Bashkia e Tiranës, ka rezervuar një aktivitet të veçantë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve. Bashkia e kryeqytetit ka organizuar ceremoninë e inaugurimit të këndit të lojërave tek Liqeni Artificial, ku i pranishëm ishte edhe kryebashkiaku, Erion Veliaj. Kujtojmë se gjatë ndërtimit të këtij parku u mbajtën disa protesta nga shoqëria civile, që kundërshtonin projektin e Bashkisë së Tiranës.

Ndërsa edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, me anë të një mesazhi, ka uruar sot të gjithë fëmijët për Festën e 1 Qershorit. “Meta shprehet se kjo është një ditë e mrekullueshme që i kushtohet të gjithë fëmijëve në mbarë botën dhe një ditë kujtese për të drejtën e çdo fëmije të jetë i lumtur e të ketë një të ardhme të garantuar”, thuhet në mesazhin e kreut të Kuvendit të Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button