E kam plakën sëmurë…

Ditë e nxehtë, pas kësaj çudie prej së ftohti që e ka mbajtur në grusht majin. Një plak, i veshur si për vjeshtë të vonë, me setër, me xhemper dhe me kësulë të bardhë mbi kokë, e kalon rrugën, dukshëm i shpërndarë në mendime. Pas tij dëgjohet një fishkëllimë e një veture, e cila ndalet me hov. Hapet dritarja e veturës, shoferi e nxjerr kokën dhe i bërtet plakut pse nuk shikuaka ku kalon. Plaku i habitur dhe mbase i tronditur nga ai frenim i fortë vetëm e shikon shoferin, kurse në shikimin e tij lexohet një kërkim faljeje për pakujdesinë që ka treguar. Po plakut nuk i dalin fjalët. Do t’i jetë tharë pështyma në gojë nga shqetësimi.

Ta bëfsha e ta kthefsha nënën shqiptare! e shan shoferi. Për një fundërrinë si ti mund të shkoja në burg! shton.

Plaku e vazhdon rrugën, i verdhë limon, jo aq nga frika që përjetoi, por më shumë nga sharja dhe nga sikleti se s’ka kujt t’i qahet për këtë fyerje. Sharja i gdhendet në kujtesë si me daltën e skulptorit kur e gdhend granitin. Sa shkel në trotuarin tjetër, matanë rrugës, plakut i del polici përpara.

Si je plak?

Kurrqysh, aty desh më shkeli njëri me veturë. Lere atë, po pastaj erdh ajo më e rënda. Më shau. Ma shau nënën shqiptare. Plakut do t’i kishin rrjedhur lot, por atij thuajse janë shterë të shkretët lot. Po zëri, mënyra si i thekson fjalët, tregojnë se është i prekur thellë, se i qan shpirti, se ndjehet i poshtëruar, i pambrojtur, i vetmuar. Kësisoj, me një rrëfim të butë, i ankohet policit, i cili duhet të jetë roje e ligjit, e drejtësisë dhe e barabarësisë dhe pret së paku polici ta shprehë një grimcë njerëzie. Mirëpo polici as që e dëgjon.

Plak, e ke kaluar rrugën aty ku është e ndaluar!

Si?

E ke kaluar rrugën aty ku është e ndaluar! e përsërit polici fjalinë duke e ngritur tonin. Pse kalove aty?

Po ngutem. Po shkoj të marr barna. E kam plakën sëmurë, bre bir.

Letrën e njoftimit plak! Plaku e nxjerr, ia jep, kurse ai shkon te polici tjetër i cili rri nën hije me një tefter në dorë. Dhe, shkruan. Pastaj polici e merr letrën e njoftimit dhe kthehet te plaku.

Pse po më shkruani? pyet plaku me një zë që i dridhet.

Hajt plak, shko tash. Do të të vijë letra në shtëpi.

A bën, bre bir, të ma falni? Mos më dënoni. E kam plakën sëmurë. As për barna s’kam para, lere më dënimi. Ma falni…

Mirë plak, mirë. Ja letrën e njoftimit. Ec tash. Je i lirë. Nuk ka mirëkuptim. E mbrojnë policët ligjin te plaku, se aty munden.

Plaku arrin në barnatore. I nxjerr recetat, ia jep farmacistes. Këto barna më duhen. Farmacistja i shfleton recetat.

Nuk ka me receta, xhaxhi. Janë shpenzuar. Do të vish pas dy javësh.

Pas dy javësh?… Po e kam plakën sëmurë, bre… Për dy javë mund të më vdesë.

Xhaxhi, nuk ka më receta, a kupton ti?!

Po e kam plakën sëmurë, moj bijë…

Në fytyrën e farmacistes nuk duket mirëkuptimi, as keqardhja.

Jashtë është nxehtë, kurse plaku i fshin djersët e ballit me mëngën e këmishës.

Zot i madh, thotë plaku, e shkon e ulet në një thes me rërë, të cilin e ka lënë dikush përkohësisht aty pranë barnatores. Pastaj shikon përreth. Të gjitha rrugët i duken të mbyllura. Të gjitha shtigjet.

Plaku e dëgjon vajin e vet që i gurgullon në thellësi të shpirtit. Nuk qenka lehtë të jesh shqiptar, pëshpërit përvajshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button