Kërkojnë lirimin e Ivanoviqit me protesta

Dhjetëra serbë kanë protestuar mbrëmë për rreth dy orë para gjykatës në veri të Mitrovicës, duke kërkuar lirimin e liderit të Iniciativës ‘SDP’, Oliver Ivanoviq.

Në mesin e protestuesve kanë qenë edhe kryetarët e sapo zgjedhur të komunave veriore, si dhe përfaqësues të zyrës për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, ndërsa këshilltarët komunal të veriut të Mitrovicës nga Iniciativa ‘SDP’ kanë kërcënuar me dorëheqje nëse nuk lirohet lideri i tyre.

Pas një takimi të mbajtur në orët e vona në mes të përfaqësuesve të EULEX-it dhe atyre të Iniciativës ‘SDP’, këta të fundit kanë thënë se që nga dita e sotme, por edhe ditët në vijim, në veri të Mitrovicës dhe më gjerë do të organizohen protesta të qytetarëve në rast se Ivanoviqit nuk i mundësohet mbrojtja në liri.

Protestuesit janë shpërndarë pas orës 22:00 dhe nuk është shënuar ndonjë incident, transmeton kosovapress.

Ndryshe, prokurori ndërkombëtar ka lëshuar një urdhër arrest për Oliver Ivanoviqin, i cili po dyshohet për krime ndaj shqiptarëve gjatë vitit 1999 – 2000, ndërkaq, kërkesa që ai të mbetet në paraburgim i është dorëzuar gjykatës.

Ivanoviq pas marrjes në pyetje për rreth 6 orë nga prokurori ndërkombëtar, ndodhet në selinë e EULEX-it në jug të Mitrovicës.

Lajme të ngjashme

Back to top button