SHBA, lejohet publikimi i kërkesave për përgjime

Administrata e Obamës do t’u lejojë kompanive më të mëdha të teknologjisë të publikojnë më shumë informacione mbi numrin e kërkesave për survejim nga qeveria për të dhënat e përdoruesve të tyre, sipas një marrëveshjeje të publikuar të hënën.

Microsoft, Google, Yahoo, Facebook dhe Linked-In ngritën padi ndaj qeverisë verën e vitit të kaluar, në Gjykatën për Mbikqyrjen e Inteligjencës së Jashtme, duke kërkuar të demaskonte të dhënat, si një mënyrë për t’u treguar përdoruesve se sa kërkesa për përgjime marrin ata, dhe se janë të detyruar me vendim gjykate për t’i përmbushur ato.

Edhe Apple ka kontribuar gjithashtu me procedura ligjore në mbështetje të padisë së kompanive të mësipërme.

Sipas marrëveshjes, kompanitë do të lejohen të publikojnë një kategori të gjerë të dhënash mbi kërkesat e qeverisë për informacionet e përdoruesve, të bëra kryesisht përmes letrave të sigurisë kombëtare, si dhe vendimeve të dhëna nga gjykatat e spiunazhit, qoftë për të dhënat e përgjithshme të përdoruesve, ashtu dhe për përmbajtjen e komunikimeve të tyre. 

Kompanitë do të lejohen gjithashtu të tregojnë se sa llogari personale të përdoruesve do të preken në vijim nga këto kërkesa. Detajet që mund të publikojnë këto kompani do të jenë të limituara për grupe me 1 mijë apo 250, në varësi të opsionit që zgjedhin kompanitë të përdorin.

Ankesat e gjykatave janë hedhur poshtë, tha një zëdhënëse për kompanitë në fjalë, përmes një deklarate.

“Ngritëm paditë tona, sepse besojmë që publiku ka të drejtë të njohë sasinë dhe tipin e kërkesave të qeverisë për sigurinë kombëtare, që ne marrim”, thuhej në të. “Jemi të lumtur që Departamenti i Drejtësisë ka rënë dakord, që ne apo ofrues të tjerë të zbulojnë këto informacione. Ndërkohë që ky është një hap pozitiv, ne do të vazhdojmë të inkurajojmë Kongresin të ndërmarrin hapa të mëtejshëm për të adresuar të gjitha reformat, që ne besojmë se janë të nevojshme”.

Padia nga këto kompani u bë pas informimeve të ish-konktaktorit të Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, Edward Snowden, i cili bëri publike ekzistencën e programeve specifike të survejimit të NSA-së.

Qeveria luftoi ndaj kërkesës së këtyre koorporatave, duke thënë se edhe dhënia e shifrave do të dëmtonin sigurinë kombëtare. Por, kompanitë argumentuan se duheshin lejuar të publikonin të dhëna të përgjithshme, veçanërisht për të siguruar përdoruesit e tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button