“Një burrë mes dy grash” përmbyll edicionin e parë të festivalit Ku’fest

­ Me shfaqjen “Një burrë mes dy grash” të Teatrit kombëtar të Kosovës sonte përmbyllet edicioni i parë i festivalit të teatrove Ku’fest, i cili në organizim të Teatrit Ultra nga Kumanova filloi më 25 maj të këtij viti. Kjo shfaqje është dramë e Erjon Papagjonit ndërsa vjen me regjinë e Ilirjan Himaj, kurse në të luajnë aktorët: Agron Shala, Majlinda Kasumoviç dhe Albulena Kryeziu.

“Një burrë mes dy grash” është një dramë psikologjike e cila trajton luftën mes politikës dhe dashurisë, mes ndërgjegjes dhe ambicies. Në skenën e Teatrit të Kumanovës gjatë pesë netëve të festivalit u ngjitën pesë teatro të ndryshme shqiptare nga Kosova dhe vendi, ndërsa hyrja për të gjithë adhuruesit e teatrit ishte e lirë. Organizatorët e festivalit thonë se ky festival i cili u mirëprit nga qytetarët e Kumanovës synon të shndërrohet në festival tradicional i cili në të ardhmen do të sjellë shfaqje nga trupa të ndryshme teatrale.

“Tani po e kuptojmë se sa ka qenë i nevojshëm ky festival për publikun kumanovar. Gjatë pesë netëve salla e Teatrit ka qenë e stërmbushur me publik, ne si organizatorë shpresojmë që sado pak kemi ndryshuar përditshmërinë e jetës së qytetarëve të këtij qyteti”, tha Shkëlqim Islami, njëri prej organizatorëve të festivalit. Festivalin, në mënyrë solemne, e hapi trupa e Teatrit “Ultra” nga Kumanova me shfaqjen “Qeni i Baskervilëve” të autorit Arthur Conan Doyle, ndërsa gjatë netëve të tjera në kuadër të festivalit u shfaqën shfaqjet “Lufta në kohën e dashurisë”, “Biondi ­ Qeni” dhe “Ikja nga Gjermania” e Teatrit “Dodona”.

Trupave pjesëmarrëse në festival organizatorët u ndanë nga një mirënjohje. Festivali u realizua me mbështetjen e Komunës së Kumanovës, Ministrisë së Kulturës dhe INQK “Trajko Prokopiev”­ Kumanovë, ndërsa mbështetës medial ishte TV21.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button