Ahmeti – Hoyt, kërkohet zgjidhja e çështjeve të hapura

Sot në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim,  Ali Ahmeti, ka realizuar takimin e parë me zyrtarin e lartë amerikan, Hoyt Yee, Zëvendës Ndihmës Sekretar në Departamentin e Shtetit Amerikan si dhe Ambasadorin e SHBA në Maqedoni, Poll Volers.
 
Ahmeti e siguroi zyrtarin e lartë amerikan, se  ai dhe i gjithë Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojnë bashkëpunimin e afërt dhe të sinqertë me administratën amerikane sikur që ka qenë edhe në të kaluarën.

Ali Ahmeti gjithashtu falënderoi autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndër vite për gjithë mbështetjen e dhënë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Maqedoni dhe në Ballkanin Perëndimor.
Ahmeti theksoi që falë investimit të përbashkët të komunitetit ndërkombëtar dhe të autoriteteve vendore, Maqedonia dhe rajoni janë në rrugë të mbarë të integrimit EuroAtlantik. Roli i SHBA në këto të arritura është i pamohueshëm dhe shqiptarët brez pas brezi do të janë mirënjohës për të këtë kontribut. 

Gjatë takimit u konstatua se e gjithë kjo punë dhe këto të arritura të përbashkëta po rrezikohen nga moszgjidhja e çështjes së emrit që paraqet pengesën më serioze që mban mbyllur dyert e Brukselit për Maqedoninë. Pa anëtarësim në NATO nuk ka paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe siguri, por as edhe marrëdhënie të shëndosha midis dy komuniteteve të mëdha. Gjithashtu u fol edhe rreth marrëdhënieve të mira ndër fqinjësorë dhe nevojës për firmosje të marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bulgarinë. 

Ahmeti theksoi që tash është koha për një ndërhyrje serioze të komunitetit ndërkombëtar, të prirë nga SHBA, sepse palët janë shumë afër zgjidhjes së kontestit duke marrë parasysh që propozimi i fundit i ndërmjetësit Nimic përfshin emrin Maqedoni dhe nuk cenon as identitetin dhe gjuhën e komunitetit maqedonas. 

Hoyt Yee theksoi se SHBA-ja,  mbështet plotësisht integrimin Euro Atlantik të Maqedonisë dhe dëshiron zgjidhje sa më të shpejtë të çështjeve të hapura që paraqesin pengesë për integrimin e vendit në NATO dhe BE, por edhe vazhdimësi në realizimin e reformave demokratike. 

Lajme të ngjashme

Back to top button