STINA E MEDIOKRIT

Është shkruar shpesh për dimrat e kulturës. Janë emra të dëshmuar ata që, krahas arritjeve, kanë vënë në pah edhe mishin e egër që gjymton pariparueshëm zinxhirin kompleks të thesareve shpirtërore. Mungesa e shijes, metili ngulfatës i vlerave, kallaballëku i mediokritetit… ka brengosur që herët njerëzit e kulturës. Dëshmi për këtë janë përpjekjet e tyre konkrete për kultivimin e konsumuesit të vlerave estetike në të gjithë fushat e artit, sepse, të paktën ata, nuk guxojnë ta bëjnë sehir shndërrimin e produktit mediokër në model kulture, në model me të cilin mund të identifikohen gjeneratat që vijnë pas nesh.

Për korrektësi duhet thënë se nuk ka kulturë pa hemisferën e saj të errët, por ne po flasim për stinën kur e keqja tenton të shndërrohet në dukuri, për stinën kur duhet bërë diçka për margjinalizimin e faktorëve që e mbajnë të tensionuar mendjen dhe shpirtin krijues, për stinën kur duhet të shmangim improvizimet, që janë bërë pjesë e përditshmërisë dhe zeje që ndjell mbi ne përbuzjen e të tjerëve. Ndryshe, do të hapërojmë edhe më tutje në vend, në të gjitha fushat e jetës, përfshirë këtu dhe artin në kuptimin e gjerë të fjalës.

Në këso zamanesh, më keq ndihen artistët e mirëfilltë, që, siç është thënë: përherë përbëjnë pakicën. Hingëllimat e bezdisshme të hamshorëve dhe vrapi kryengultas i tyre i ndrydh ata nëpër skajet e hapësirës sonë të vogël kulturore ku nuk u dëgjohet zëri, sepse fjalën e ka turma mediokre që çanë përpara me fanatizëm dhe mbush eterin kulturor me “artin” që keqpërdor ndjenjat atdhetare dhe religjioze të publikut të gjerë. Kjo zagushi dekurajon krijuesin e patalentuar për art megafonash, krijuesin e prangosur mes korit të çafkave artistike, të cilit s’i mbetet tjetër pos asaj që bën aktualisht poeti Fatos Arapi, i cili deklaroi: Thjesht, nuk kam dëshirë të shkruaj!

Mjerisht, invazioni i produktit mediokër është në rritje. Ata sot dominojnë hapësirat mediale të të gjitha llojeve, duke qenë se janë më të gjendshëm, më të futshëm dhe më të ngjitshëm për redaktorësh. Shikoni çfarë ngjet me muzikën shqipe të shndërruar në mizerje pornografike (respekt përjashtimeve!). Shikoni çfarë ngjet me humorin shqiptar të tkurur vetëm në tema uçkuresh. Hidhni një sy poezisë, tregimit, romanit, esesë shqiptare… dhe lexojini me llupë për të diktuar më açik shtërzimet e injorancës së përkrahur e katapultuar shpesh edhe prej emrash që duhet të kujdesen pak më shumë për shpirtin tonë kolektiv.

S’ka dyshim se krijuesit mediokër janë të patalent dhe kanë mundësi të kufizuara, por rrënia e tyre në nivel të masës i bën të dashur e simpatikë, sepse ushqimi shpirtëror i njerëzve të rëndomtë nuk është arti kulminant. Kjo është hapësira boshe që duhet shfrytëzuar prej inteligjencës krijuese, e cila duhet ta kthejë vëmendjen e konsumatorëve drejt vlerave të mirëfillta të shpirtit shqiptar. Natyrisht, kjo betejë nuk do të jetë aspak e lehtë, sepse, siç thoshte Azem Shkreli: Mediokrët regjenerojnë, shumëzojnë dhe vazhdojnë vetveten. Ata pushtojnë forumet, institucionet, mjetet e informimit publik, redaksitë, botimet, duke krijuar gjithandej dhe me shpejtësi të madhe mekanizma mbrojtës e rrefuzues ndaj shfaqjes, afrimit dhe depërtimit të kujtdo që mund t’ua kërcënojë shansën e madhe. Dhe rrethi i tyre mbyllet…,  sepse smira e mediokërve nuk duron të prishet rendi i sundimit të saj…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button