Presidenti amerikan Barak Obama në Hiroshimë

Barak Obama është presidenti i parë amerikan që vizitoi Hiroshimën, qytetin në të cilin amerikanët hodhën bombën e parë bërthamore më 6 gusht të vitit 1945, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Presidenti Obama vendosi kurorë me lule në parkun përkujtimor të Hiroshimës. “Përse kemi ardhur në këtë vend, në Hiroshimë? Kemi ardhur për të kujtuar një forcë të tmerrshme të liruar në një të kaluar jo të largët, njofton RTSH.

Të përkujtojmë të vdekurit, përfshirë mbi 100 mijë burra, gra e fëmijë japonezë, mijëra koeranë dhe dhjetëra amerikanë”, tha presidenti Obama. Pak para se të shkonte në parkun përkujtimor, presidenti Obama takoi trupat amerikane dhe japoneze në bazën ajrore Iwakuni, jo larg Hiroshimës. Ai u tha trupave se vizita e tij, “është një mundësi për të nderuar të gjithë ata që humbën jetën në Luftën e Dytë Botërore”. Presidenti tha se “ky është një testament se si mund të tejkalohen edhe ndarjet më të dhimbshme dhe si të dyja kombet mund të jenë jo vetëm partnerë, por edhe miqtë më të mirë”.

Presidenti ka thënë se nuk do të kërkojë ndjesë për vendimin e presidentit të atëhershëm, Harry Truman, për të hedhur bombën atomike në Hiroshimë, që vrau 80 mijë njerëz dhe zhduku 90 për qind të qytetit. Dhjetëra mijëra do të vdisnin më pas nga pasojat e bombës. Obama tha së fundmi se si “dikush që ndodhet në pozitën e tillë për shtatë vjet e gjysmë, e di se çdo udhëheqës merr vendime shumë të vështira, posaçërisht në kohë lufte”. Vendimi për të bombarduar Hiroshimën kishte nxitur kundërthënie. Disa nga këshilltarët e lartë ushtarak, përfshirë edhe presidentin e ardhshëm, Dwight Eisenhower, ishin kundër dhe favorizonin bombardimin konvencional që tashmë po ndodhte mbi Japoninë. Trumani megjithatë, kërkonte një përfundim më të shpejtë të luftës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button