Raporti: muslimanet britanike përballen me diskriminim fetar dhe gjinor

Një raport i titulluar, “Femrat e harruara: ndikimi i islamofobisë te muslimanet në Mbretërinë e Bashkuar,” bën me dije se muslimanet në Britani përjetojnë si diskriminimin gjinor dhe atë fetar. Ato janë pre e abuzimit dhe e ngacmimit në vendin e punës, në jetën publike, e në rrjetin elektronik.

Ky raport zbulon se femrat muslimane ndeshin pengesa të shumta në vendin e punës, nga diskriminimi për arsye të shtatzënisë, te hendeku i pagesave, e te profilizimi racial në aplikimet për punë.

Muslimanet me diploma, vazhdon raporti, kanë shumë më pak gjasa, krahasuar me femrat e bardha krishtere me të njëjtin kualifikim, që të kenë një punë në nivelin e diplomimit të tyre. Për to ka shumë më pak mundësi që të marrin përgjigje për aplikimet për punë kur paraqesin CV-të.

Në krahasim me një në 30 femra jomuslimane, një në tetë muslimane ka deklaruar se është pyetur joligjërisht në një intervistë pune nëse kishte në plan të martohej apo të bënte fëmijë.

Veç kësaj, gjithnjë sipas raportit, një në katër punëdhënës e pranon se do të ngurronte të merrte në punë gra muslimane për shkak se kujdesi për fëmijët do të qe një problem për ta.

Nga femrat muslimane në Mbretërinë e Bashkuar, 43 për qind e tyre e ndiejnë se janë trajtuar ndryshe, apo kanë hasur diskriminim, në intervistat për punë. Kjo shifër shkon në 50 për qind për ato muslimane që mbajnë hixhab, duke ndjerë se u kanë ikur mundësitë për shkak të diskriminimit fetar, e se vënia e hixhabit ka qenë një faktor.

Autorët e raportit, njofton britanikja The Independent në variantin elektronik, sugjerojnë se ndërsa hixhabi perceptohet si përcaktues i dukshëm i besimit të një femre, mbajtëset e tyre mund të vihen veçanërisht në shenjë për besimin e tyre krahasuar me ato të besimeve të tjera me veshje më pak të dukshme.

Ngacmimi verbal në hapësirat publike është një shqetësim tjetër i ngritur nga femrat në studim. Ashtu siç është ngacmimi në rrjetin elektronik të internetit, teksa femrat muslimane veçohen dhe vihen në shenjë në mediat sociale për mbajtjen e hixhabit apo të veshjeve të tjera fetare.

“Muslimanet përballen me diskriminim të shumëfishtë kur kërkojnë të punësohen, gjatë karrierës, dhe te pagesat. Ky diskriminim i shumëfishtë është një [bashkim] i faktorëve fetarë, etnikë, e të bazuar në gjininë,” thonë autorët e raportit.

“Shpesh femrat janë më të identifikueshme [se meshkujt] për shkak të shprehjes së identitetit fetar nëpërmjet veshjes, e kjo mund të nxisë sulme. Krimet që vijnë nga urrejtja ngjasin zakonisht në hapësirat publike, e një nga krimet më të zakonshme është pështyrja e femrave me hixhab apo tërheqja e rrobave për t’i hequr,” tregohet në raport.

Në Britani jetojnë 2.7 milionë muslimanë. Muslimanët priren të kenë një moshë mesatare më të re se ajo e popullsisë së përgjithshme të Mbretësisë së Bashkuar.

Ashtu si në shumë vende të tjera, ata përballen me sfida të panumërta për shkak të besimit të tyre, posaçërisht gjatë muajve të fundit. Dhe siç e bën të qartë dhe raporti i mësipërm, edhe femrat muslimane nuk u shpëtojnë problematikave të kohës, transmeton Tesheshi.com.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button