Dhjetëra dilema dhe një përgjigje

Në kohën kur agjenda euro-atlantike e Maqedonisë është e bllokuar dhe vendet e rajonit hapërojnë me hapa të sigurtë drejtë BE-së; kur ekonomia e vendit shënon regres progresiv; kur shkalla e papunësisë dhe emigrimi i të rinjve nga vendi shënon rritje; kur kemi disproporcion të kostos së jetës dhe të ardhurat e qytetarëve; kur partizimi i administratës ka arritur kulmin, partia shqiptare në pushtet del me një propozim për President konsenzual! Propozimi në fjalë bëri bujë në media dhe opinionin publik. Ideja si e tillë nuk është e re, mirëpo për rrethanat aktuale politike, partiakisht mund të shfrytëzohet. Partia në pushtet bukur mirë e ka menduar këtë lëvizje, mbase kjo qeveri ka dëshmuar veten në defokusimin e vëmendjes së opinionit publik nga ngjarjet e rëndësishme në vend. Rrjedhimisht, edhe ideja për presidentin konsenzual del në opinion për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale që vendi ka. 
 
Parimisht, ekzistojnë disa dilema në lidhje me këtë propozim. Së pari, kjo parti nuk ka dalë në opinion të sqarojë se çka nënkupton me President konsenzual?
A do të ketë kandidat të përbashkët me VMRO ose do të kërkohet kandidaturë e ndonjë individi për përkrahje gjith-popullore?! Sepse e para nënkupton koalicion partiak parazgjedhor ndërsa e dyta nënkupton një lloj konsenzusi më të gjërë inter-etnik dhe intra-partiak. Së dyti, fokusimi në nevojën për President konsesual në rrethana kur në qeverisjen e tanishme kemi gjithçka por jo konsenzus është tejet simptomatike. Më tutje, dihet botërisht se Presidenti në sistemin juridik të vendit ka kompetenca të kufizuara ekzekutive.
Edhe pse përfaqëson vendin në arenën ndërkombëtare, presidenti i vendit në rrethanat aktuale politike ngel nën hijen e kryeministrit. Rasti i profesorit Gjorge Ivanov është shembulli eklatant i një presidenti jo-përfaqësues, pa karizëm e aftësi lidershipi. Jo vetëm për faktin se nuk është votuar nga shqiptarët por edhe nga fakti se aktivitetet e tij në vend dhe skenën ndërkombëtare ishin kryekëput të koordinuara nga Qeveria. Andaj dilema e radhës është se çka mund të ndryshojë një president konsenzual, a mundet të sjell një momentum të ri apo përmirësoj rrethanat politike aktuale në vend? 
 
Megjithatë, nuk është hera e parë që kjo parti të del me ide e assesi me plan dhe afat se si mundet të realizojë një qëllim politik. Le të supozojmë se pas idesë së Presidentit konsenzual ka qëllime të sinqerta. Atëherë lindin dilema të reja siç janë: si do të realizohet kjo ide? A do të zbatohet në kuadër të dispozitave pozitive të vendit apo do të ndërmerren ndryshime kushtetuese? Nëse përcaktohen për rastin e parë, atëherë a ekziston përkrahja nga VMRO? Nëse kërkohen ndryshime kushtetuese, atëherë a kanë siguruar numrat (shumicën e kualifikuar) e nevojshme në Kuvend? E fundit dhe më e rëndësishmja a mundet të realizohen këto ndryshime në kuadër të afateve kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në vend.
 
Dilema e radhës është se nga e merr motivimin kjo parti politike? A thua vallë është përvoja gjashtë vjeçare e qeverisjes me VMRO?! Në atë rast, shtrohet pyetja se ku ekziston konsenzusi në bashkëqeverisjen me VMRO? Sa Qeveria e udhëhequr nga VMRO ka mirëkuptim për platformën zgjedhore të BDI-së? Ose më konkretisht: 

A ekziston konsenzus në ekzekutiv?! Nëse po atëherë sa mundet ta shtynë agjendën euro-atlantike Ministrat e BDI-së në Qeverinë aktuale?! 
A ekziston konsenzusi në përpilimin e buxhetit të shtetit?! Nëse po atëherë ku është balansi i investimeve vis-a-vis vjeljes së taksave në kuadër të qyteteve të ndryshme? Ku është balansi i mjeteve financiare të parapara për investimet në infrastrukturën, edukimin apo kulturën e komuniteteve?
A ekziston konsenzus në investimet e Qeverisë në zonat ekonomike? Nëse po atëherë pse kemi diskriminim të legalizuar (me ligj) të zonave për zhvillim industrial teknologjik, pse zona e Tetovës ka status më të pafavorshëm se zonat ekonomike tjera në vend?      
A ekziston konsenzusi në vendosjen e shtatoreve në Shkup në kuadër të projektit  “Skopje 2014”?! Nëse po atëherë pse kemi irritim të BDI-së në vendosjen e shtatores së Car Dushanit dhe mos vendosjen e tri shtatoreve të shqiptarëve në kuadër të projektit të njëjtë?!
A ekziston konsenzus në ri-emërimin e shkollave fillore/mesme në Shkup? Nëse po atëherë pse kemi bllokimi të ri-emërimeve të tyre nga një funksionar i eshalonit të tretë, i cili de facto ka më shumë fuqi se një ministër apo Kryetar komune?!
 
Të gjitha këto pyetje të rëndësishme për opinionin, në esencë, për BDI  janë irrelevante ashtu siç është vetë ideja e trumbetuar për President konsenzual. Sot kur kjo parti duhet të jap llogari për dështimet permanente në agjendën euro-atlantike, për varfërimin e qytetarëve veçanërisht atyre shqiptarë; për emigrimin e shqiptarëve të rinj jashtë Maqedonisë; për partizimin e skajshëm të administratës, ajo del në opinion me një ide shumë “origjinale” – “jemi për president konsenzual”. 

Dhe krejt në fund, krye-dilema a mund të del një President konsenzual nga një qeverisje aq e njëanshme siç është kjo e tanishmja?!

Lajme të ngjashme

Back to top button