Mbyllet zyrtarisht kampi i improvizuar i refugjatëve në Idomeni

Policia greke ka përfunduar operacionin për zhvendosjen e mbi 8.000 refugjatëve nga kampi i improvizuar në Idomeni në kampet tjera të ndërtuara në veri të vendit, operacion i cili filloi të martën me qëllim që t’u mundësojë refugjatëve kushte më të mira në kampe të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

Autoritetet greke gjithashtu pastruan linjën hekurudhore që lidh Maqedoninë dhe Greqinë, e cila ishte e bllokuar mbi dy muaj nga refugjatët. Gjatë këtyre dy muajve trenat me pasagjerë u drejtuan përmes Bullgarisë, ndërsa vagonët me mallra mbetën të bllokuar. Hekurudha ndërkombëtare ishte një ndër arsyet kryesore për zhvendosjen e refugjatëve.

Ministri i Rendit Publik dhe Mbrojtjes së Qytetarëve i Greqisë, Nikos Toskas i cili zyrtarisht mbylli kampin, tha se kampi është zbrazur për arsye se kjo zonë nuk mund të përdoret si kamp i refugjatëve. Ai shtoi se gjatë operacionit nuk është përdorur dhunë dhe shumica e refugjatëve me vetëdëshirë kanë lëshuar kampin.

“Situata në këtë kamp ishte e papranueshme. Kampet e reja do t’u sigurojnë refugjatëve kushte më të mira për jetesë dhe do t’u mundësojnë të vazhdojnë udhëtimin e tyre në vendet tjera evropiane”, deklaroi Toskas.

Policia greke fillimisht paralajmëroi se operacioni mund të zgjasë me javë, por shumica e refugjatëve vendosën të lëshojnë kampin me dëshirën e tyre. Autoritetet greke raportojnë se vetëm një numër i vogël i refugjatëve kanë refuzuar të zhvendosen dhe janë nisur në këmbë drejt kampeve të tjera të improvizuara në afërsi të Idomenit.

Ndërkohë, organizatat joqeveritare thonë se zbrazja e kampit në Idomeni nuk zgjidh çështjen e refugjatëve në vend. Siç shprehen ata, refugjatët janë duke u zhvendosur në disa kampe për qëndrim afatgjatë në tokën evropiane, për të cilët nuk dihet se sa kohë do të presin në tenda të vogla dhe në kushte të vështira për të vazhduar drejt vendeve të Evropës Perëndimore.

Që nga koha kur kufijtë e “rrugës ballkanike” u mbyllën për refugjatët, mbi 50.000 refugjatë mbetën të bllokuar në territorin e Greqisë. Numri i hyrjeve nëpërmjet Detit Egje në Greqi ra ndjeshëm pas marrëveshjes së dakorduar mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button