“Crown Agents” në ndihmë të doganave, Rama: Riformatim urgjent

Në kuadër të nismës për reformatimin e doganave, qeveria ka prezantuar sot agjencinë “Crown Agents”, e cila do të ofrojë asistencë në shërbimin doganor.

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në këtë aktivitet ka theksuar, se në mënyrë urgjente duhet të bëhet reformatimi i sistemit doganor. Ai tha se, shqiptarët i kanë votuar për të ndryshuar vendin dhe jo për t’i lënë institucionet si ato të kohës mesjetare.

“Ajo që dua të nënvizoj është urgjenca që koha e re për ta riformatuar rolin dhe imazhin e institucionit dhe aktorëve të përfshirë në aktivitetin doganor. Koha e re që është vulosur në 1 milion vota për mirëqeverisje, nuk pranon institucione të kohës së vjetër të keqqeverisjes. Kushtet mesjetare, si ato të doganës së Durrësit dhe të Hanit të Hotit, janë mishërimi më turpërues e zhvlerësimit të shtetit, të zhvlerësimit të sipërmarrjes dhe vetë qytetarit dhe të zhvlerësimit të së ardhmes të të gjithë vendit”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, me jetësimin e një bashkëpunimi të gjerë mes qeverisë, miqve dhe tashmë edhe me ndihmën e “Crown Agents”, doganat duhet të bëhen pa humbur kohë një instrument financiar me karakter social.

Drejtori i “Crown Agents”: Do të luftojmë korrupsionin 

Kompania britanike “Crown Agents” me një prej 12 pjesëtarësh nën drejtimin e Dejvit Smith do të punojnë, duke pasur në fokus, një administrim më të mirë të punës në dogana, luftën e korrupsionit dhe rritjen e të ardhurave për llogari të qeverisë shqiptare. 

“Zbatimi i kontrolleve në dogana dhe zbulimi i mashtrimit do jetë teknologjia jonë kryesore që do aplikojnë, agjentët tanë do të jenë në terren për të zbuluar mashtrimin. Do t’ju sjellin informacion qendrore që procedurat aty të lehtësohen dhe do përcjellin çdo informacion që ata zbulojnë në kufi. Në fushën njerëzore për të zbuluar më mirë, do të rrisim nivelin e integritetit, në mënyrë që korrupsioni të ndodhë, duke reduktuar rrezikun e korrupsionit, të jemi krenarë të gjithë që jemi agjentë të doganave”. 

“Në mënyrë që të ardhurat të jenë të qëndrueshme, objektivat janë të rrisim nivelin e të ardhurave, nivelin e integritetit në doganë dhe të mbështesin ngritjen e kapacitetit të doganave, për anëtarësim në BE”, shtoi më tej Smith. 

Sipas, z.Smith, ‘Crown Agents’ sapo ka nisur nga puna dhe arritjet do të duken shumë shpejt. “12 pjesëtarë të ekipit tonë do flasin për programin. Sa kemi filluar dhe kemi shumë për të thënë sa u përket arritjeve, dhe shpresoj që prezantimi i ardhshëm të flasë për atë që kemi arritur në mënyrë të pjesshme. Është java e parë dhe e dytë e veprimtarisë dhe jemi mjaft të zënë. Sot bëhet përzgjedhja e trajnimit të personelit të doganave, blerja e automjeteve, në momentin që jemi rekrutuar, prej 5 javësh do dislokojmë ekipet në të gjitha pikat kufitare”. 

“Kemi ekip me ekspertë ndërkombëtarë, dhe ata që dallojnë flamujt, e dallojnë që kemi flamuj nga Letonia, nga Britania nga shtete të tjera, pra një ekip ndërkombëtar. Nuk jemi të fshehtë, e t’u dalim njerëzve papritur, por të jemi në sytë e publikut”.

Spiropali: Plan konkret për doganat

Ndërsa drejtoresha e Doganave Elisa Spiropali paraqiti disa nga objektivat e institucionit që ajo drejton, si thjeshtim të procedurave për biznesin, modernizim të sistemit doganor, trajtim të personelit dhe  mbështetje të konkurueshmërisë së biznesit. Drejtoresha e Doganave i kërkoi Prokurorisë të hetojë dhe të çojë deri në fund hetimet për denoncimet që janë bërë nga ky institucion.

Gjithashtu Spiropali, ndërsa i cilësoi si të papranueshme kushtet në disa prej doganave të vendit, theksoi se qeveria ka një plan konkret për ndryshimin e infrastrukturës në këto pika doganore.

Ahmetaj: Doganat të pasqyrojnë klimën e re për biznesin

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, pasi vlerësoi performancën e administratës doganore gjatë këtyre muajt e fundit, theksoi se, ky shërbim duhet të jetë pasqyra e një klime të re në marrëdhënien me biznesin.

“Të dhënat e këtij viti tregon se administrata e doganës kanë bërë një ndryshim rrënjësor, tregojnë një përqasje të re mes administratës doganore dhe biznesit dhe një marrëdhënie të re mes shtetit dhe sipërmarrjes.  E rëndësishme është ndryshimi i figurës së inspektorit tatimor dhe doganierit në mënyrë që të bëjmë një diferencë me krahasim me atë që ka qenë. Të jemi pasqyra e një klime të re dhe e një dogane të re”, u shpreh Ahmetaj. /Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button