CENSURA

Mendoj a të shkruaj për këtë temë, apo mos të shkruaj… A ta prekim këtë temë tabu, a mos ta prekim… E kam fjalën për censurën… Do ta prekim se s’bën. Epo duhet se ajo është një hall yni i madh, po ja që askush nuk e zë në gojë. E ka mbuluar atë një heshtje edhe më e rëndë se në kohën e Jugosllavisë që iku në histori si një projekt i gabuar i fuqive të mëdha evropiane. Lexuesve që e ndjekin portalin dua t’ua shtroj si temë dhe më shumë t’ua tërheq vëmendjen se censura është një e ligë të cilën duhet ta shkundim dhe ta heqim qafe veçmas ne, sepse ne më së paku kemi tash për tash ndonjë nevojë për të dhe se është pikërisht censura ajo që na “e fsheh” të vërtetën që ka të bëjë me zhvillimet tona politike, shoqërore, kulturore e ekonomike.

Dua që lexuesit e çmueshëm të kësaj medie elektronike ta kenë parasysh se ne si shqiptarë i kemi punët më së keqi me censurën.

Censura, le t’ia bëjmë me dije lexuesit, është një veprim i mbikëqyrjes dhe kontrollit të shprehjes së lirë. Ajo realizohet, zakonisht, duke i mbyllur mediat, duke i fshirë dhe duke i përshtatur tekstet gazetareske, duke i kontrolluar fjalimet publike me kërcënime të formave të ndryshme, pastaj përmes të falsifikimeve me shkrim ose përmes montazhit të materialit televiziv të atyre pjesëve të shkrimeve ose fjalimeve të cilat  nuk u shkojnë për shtati pikëpamjeve të pushtetit ose të ndonjë grupi të interesit. Censura e ka edhe një formë – autocensurën, e cila vjen si pasojë e rrezikut nga rrethanat që paraqiten në kohët kur një pushtet aplikon censurë mbi media dhe përgjithësisht mbi fjalën e lirë publike. Autocensura konsiderohet si njëri nga farët më të vrazhda të censurës, e cila, edhe pse dihet kë e ka ndërmjetësues, bëhet nga vetë autori.

Fatkeqësisht ne sot po ballafaqohemi dendur censurën (dhe autocensurën) si njërin ndër veglat më të këqija që paraqiten drejt përparimit të  demokracisë, ndonëse ajo bëhet në emër të mbrojtjes së interesave të demokracisë.

Po e them unë, me këtë rast, ndonjë fjalë për censurën me shpresë se, në radhë të parë, do ta nxisë kërshërinë e rinisë studentore dhe të rinisë sonë në përgjithësi, ta kenë parasysh rrezikun që paraqet ajo për ecjen tonë përpara në çdo aspekt të jetës sonë shoqërore, ekonomike, kulturore e të demokracisë në përgjithësi.
Me këtë që po e shkruaj në këtë tekst dua të flas për të tashmen, dua ta them faktin se censura te ne është ndër më të vrazhdat. Ajo nuk zbatohet si dikur vetëm nga një parti e cila ishte në pushtet dhe nga shërbimet e saj të fshehta. Sot, për fat të keq, strukturat censurore janë shtuar shumë. Nuk është më aq shumë e interesuar policia, ndoshta, për kontrollin e fjalës së lirë, ose më mirë të themi në atë gjerësi të jetës shoqërore si dikur.
Tash  ka organizma tjerë të shumtë që një sy e kanë bërë dy që të shohin se kush çka mendon për zhvillimet e ndryshme demokratike e kulturore në hapësirën tonë. Sot ne censorë kemi edhe ndër lexues, të cilët jo vetëm që i fyejnë autorët e ndryshëm që i japin, qofshin ata gazetarë, shkrimtarë, piktorë, politikanë e shkencëtarë, por me komentet dhe reagimet e tyre edhe kërcënohen. Censorë kemi edhe në rrethin më të gjerë familjar, si bie fjala, ndër kushërinj, të cilët, duke qenë pjesë të një partie ose grupimi politik, nuk duan të pajtohen me fjalën e lirë të autorit, nuk e duan mendimin personal të dikujt dhe e ndjekin vetëm mendimin e një lideri i cili i prin një partie; censorë janë edhe partitë e pozitës, por edhe të opozitës, censorë janë edhe bashkësitë fetare, censorë janë edhe komisionet e ndryshme, institutet, censorë janë edhe pronarët e mëdhenj. Censorë… censorë… censorë…

Të gjithë ne i anashkalojmë, u ikim, u bëjmë bisht, temave të kanë të bëjnë me rezultatet e dobëta të punës së partisë në pushtet, asnjëherë nuk e kemi thënë se kemi ministra të cilët më së pari janë punësuar si ministra e ka gjasa që të dalin në pension si ministra, ndonëse rezultatet e tyre janë minimale, sa mos të themi minore. Mirë është kur i dëgjojmë ata kur flasin për rezultate të ministrive që i udhëheqin, por nuk është mirë kur nuk i shohim të gjitha rezultatet për të cilat flasin. Mirëpo, është autocensura që na “flet në vesh” të kemi kujdes, të bëhemi se atë që kemi parë nuk e kemi parë, atë që kemi dëgjuar nuk e kemi dëgjuar, sepse po ta themi atë që kemi parë e që e kemi dëgjuar mund të kemi pasoja, të cilat më së shpeshti reflektohen në punësimin e fëmijëve tonë. Unë e di një rast kur të birin e një shkrimtarit tonë të njohur e kanë përzënë nga puna për shkak se ai shkrimtar thjeshtë i ka shprehur mendimet e tij (në këtë mënyrë politika ka bërë një turp i cili ndodh vetëm në vendet diktatoriale).

Këta rreshta mendoj se është mirë që po i shkruaj sepse kam pasur raste kur disa miq, të cilët, me të vërtetë ma duan të mirën, më kanë thënë: “Majr be vlla, pse shkruan kot e kot, kur kurrkush pes pare nuk u ep atine fjalve toja. Kinxhi i butë”, më thonë, “thajthën di nana… hunxhe krajet, vlla, çlloe punën tande… E kije ni idare t’vogël – E kije… Xhi don ma shaum”? Këtyre dua t’u them se ua di për të mirë këshillën që ma japin, mirëpo unë mendoj se për shkak të brezave që vijnë duhet ta them mendimin tim, i cili mund të përputhet ndonjëherë me atë që del nga burimet e pushtetit, por më shpesh është mendim krejt i ndryshëm, është mendim që jepet për hir të mbrojtjes së të vërtetës dhe për ato krijesa të brishta e të mira që janë tonat e që duhet të jetojnë të lirë, në paqe e të rriten krenarë me gjuhën shqipe. Këto këshilla të mikut tim, pastaj flasin se censura këtu te ne ka histori të gjatë.

Këta rreshta mendoj se është mirë që po i shkruaj për shkak se të rinjve duhet t’u thuhet një mendim ndryshe nga ai që e dëgjojmë nga komunikatat e ndryshme e nga të cilat ka mjaft fjalë e rezultatet nuk duken, nga lëvizjet politike religjioze të të gjitha palëve për të cilat nuk dëgjojmë asgjë, e të cilat shpesh janë mish e thua me pushtetin, ndonëse thirren në emër të popullit. Duhet t’u thuhet se e kanë borxh të jenë kundër censurës si një e keqe e madhe që pengon lirinë.
Do të kisha dashur të shtoj edhe se censorët kujdesen që mos të lejohet afirmimi i vlerave kulturore të një etnie në etninë tjetër. Të mos afirmohen vlerat të cilat dikush i ka anatemuar për interese të caktuara, qofshin ato religjioze, partiake, burokratike e të strukturave të tjera të pushtetit.

Nuk bën të harroj pa e përmendur edhe një formë ekstreme të censurës. Kjo është heshtja e vlerave nga ana e mediave dhe nga ana e institucioneve. Kjo ka ndodhur në kohë të Jugosllavisë. Po ndodh edhe sot. Kjo heshtje, si formë e censurës, ka bërë që asnjë shkrimtar shqiptar që shkruan vetëm shqip, asnjë këngëtar që këndon vetëm shqip, asnjë piktor që pikturon në tema nga tradita shqiptare të mos jetë i afirmuar në suaza shtetërore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button