Idomeni, aktivistët bllokojnë autostradën kryesore Evzoni-Selanik

Një grup prej dhjetëra aktivistësh që vepronin në Idomeni para fillimit të zhvendosjes së refugjatëve nga kampi i improvizuar, në shenjë revolte kundër transportimit të tyre në kampe të tjera bllokuan autostradën kryesore Evzoni-Selanik, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas tyre zhvendosja e refugjatëve nga Idomeni në kampe të tjera nuk është zgjidhje, sepse kushtet për jetesë janë të njëjta sikurse në Idomeni. Zgjidhja e vetme sipas tyre është hapja e kufijve, e cila do t’u mundësojë refugjatëve të vazhdojnë drejt vendeve evropiane.

Aktivisti Jonas Agdam tha se nuk protestojnë kundër zhvendosjes së refugjatëve nga Idomeni, por për shkak të trajtimit jo të mirë të refugjatëve në tërë territorin e Greqisë. “Vendimi i autoriteteve greke nuk është zgjidhje e mirë, sepse refugjatët nuk kanë ndonjë perspektivë për të ardhmen e tyre. Ata nuk dinë se çfarë i pret pas kësaj, ndoshta do të mbeten nëpër kampet e Greqisë edhe për disa vjet dhe kjo me të vërtetë është një ndjenjë e tmerrshme”, u shpreh Agdam për AA.

Aktivistja Kate Chappell theksoi se e vetmja mënyrë për zgjidhjen e çështjes së refugjatëve është të hapen kufijtë dhe refugjatët të vazhdojnë udhëtimin e tyre për një të ardhme më të mirë. “Kushtet e kampeve ushtarake ku dërgohen refugjatët nuk janë të mira. Thuhet se kushtet janë më të mira se në Idomeni, por kam informacione se nuk është e vërtetë”, u shpreh Chappell për AA.

Pas një kohe të shkurtër, forcat policore greke në mënyrë paqësore arritën që të largojnë aktivistët nga autostrada.

Këto dy ditë autoritetet greke kanë arritur të transportojnë më tepër se gjysmën e refugjatëve nga Idomeni në kampet e tjera të ndërtuara në veri të vendit, por disa refugjatë refuzojnë të zhvendosen dhe nisen në këmbë drejt kampeve të tjera të improvizuara që ndodhen në afërsi të Idomenit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button