Kur të vije Prosperiteti, hapi derën!

Ende është herët për të patë qëndrim rreth nismës për rinisjen e partisë së parë të shqiptarëve të Maqedonisë, Partinë për Prosperitet Demokratik; PPD. Nismë kjo që, që në nisje mund të përshkruhet me fjalinë; ishin një, u bënë dy. Kjo pasi, që të nesërmen e paralajmërimit të kësaj iniciative kishte edhe një mbledhje tjetër në të njëjtën temë.
Herët për qëndrim të formuar është shkaku i informatave të pakta që ka në opinionin për këtë nismë, por edhe shkaku i asaj se ende nuk ka ndodhë asnjë zyrtarizim i kësaj nisme politike me regjistrim formal ose konstituim të partisë.

Duke marrë parasysh gjithë letargjinë në pjesën shqiptare të politikës në Maqedoni ky është një momentum kur ka më se nevojë për nisma politike. Bile edhe tentimi i ringjalljes dhe marrjes së legjitimitetit nga një parti historike është gjë tejet legjitime. Vetëdija, tani më e shprehur nga ana e dy iniciativave se disa pjesë të bagazhit historik të PPD-së janë kontestuese dhe sidomos përfundimi i saj para disa viteve si ndonjë pëllumb fluturak, i llojit takllabaz, herë në njërën, e herë në anë tjetër, ndihmon që ta llogarisim këtë nismë si një gjë e mirë. Kjo gjë, për deri kaq pak kohë është mjaftueshëm sa për ta lakuar në fjalinë e urtë: kur vjen e mira, hapi derën!
Pra, ende nuk dihet si do rrjedh kjo nismë, por një gjë duhet thënë që tash grupimeve politike të deritanishme: Luten përçarësit e popullit të mos akuzojnë për përçarje të votës! 

Kjo pasi argumenti më i përfolur ndaj nismave të reja politike ndër shqiptarët e Maqedonisë është ai i përçarjes së votës shqiptare. Vlen të shikohen përqindjet e daljes në votime të shqiptarëve në ciklet e fundit zgjedhore për të parë se numrat pamëshirshëm e demantojnë këtë argument pasi në gjitha variantet më shumë se gjysma e popullatës aspak nuk është minimum politikisht aktive; as që voton. Arsyet për këto numra të mëdha të mosdaljes në votime, që sipas disa matjeve relevante, disa herë arrijnë edhe deri në 70 përqind të votuesve shqiptarë, janë të shumta. Por, njëra nga arsyet është edhe mospasja e një oferte politike të mirëfilltë nga faktorët e deritanishëm. Kjo përqindje e madhe sa delegjitimon opsionet e vjetra, aq edhe e legjitimon çdo nismë të re politike. 

Me kaq numra të mëdha, teoretikisht mund të formohen edhe dy parti tjera dhe bile të fitojnë përqindje të mëdha duke i lënë dy partitë ekzistuese të ndajnë vendin e tretë dhe të katërt, në vota të marra nga shqiptarët në Maqedoni.
Kështu këto numra legjitimojnë edhe nismën për ringjalljen e PPD-së. Nëse ajo ia arrin të konstituohet si parti politike deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe të marrë pjesë në to, me rezultatin e saj të parë do mund të dëshmojë konkretisht për ekzistencën e saj. Por, edhe deri atëherë kjo nismë do mund të dëshmojë në të mirë të vetes, para se gjithash, me dy gjëra.

E para është me gatishmërinë për bashkëpunim me gjithë spektrin opozitar shqiptarë, si me partinë parlamentare PDSH-në ashtu edhe me disa pronarë të vulave partiake që ndonëse kanë humbur shumë herë në zgjedhje ende ekzistojnë formalisht siç janë; RDK dhe të tjera.
Dhe e dyta me atë që të provojnë se do bëhen parti politike me karakter rekrutues dhe jo reciklues. Kjo pasi nëse vëzhgohet historiku i partive politike shqiptare në Maqedoni ata që kanë korrë sukses në zgjedhje kanë qenë partitë që kanë arrit të rekrutojnë sa më shumë njerëz të ndryshëm në radhët e tyre, kurse kur kanë bërë të kundërtën dhe vetëm kanë parë si të reciklojnë njerëzit e tyre të parë ose edhe të tjerë, por paraprakisht të angazhuar në tjera parti, kanë dështuar.

Qasja themelore duhet të jetë tek të rinjtë dhe votuesit e tjerë, ata që asnjëherë nuk do kishin marrë mundimin ose barrën, të legjitimojnë politikat e paqena të opsioneve dhe njerëzve reciklues aktual që ndodhen në dy partitë ekzistuese. 

Fundja mu Prosperiteti, si emër,  është aq i vjetër sa që nuk ka nevojë për vjetërsira tjera në vete dhe lirisht mund të orientohet ka një trup i ri votues, që është dhe mbetet shumica e vërtetë e shqiptarëve të Maqedonisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button