Ostreni: nuk duam zëvendësim të BDI por qeveri demokratike pa VMRO dhe BDI

Lideri i partisë jashtëparlamentare “UNITETI”, Gëzim Ostreni në një bisedë për Portalb.mk thotë që partia e tij në terren është më e fuqishme se sa duket, edhe pse Bashkimi Demokratik për Integrim bën presion të madh te qytetarët. Ai flet për arsyet pse ende nuk ka bashkëpunim me partitë e tjera ndërsa është i mendimit se koalicioni mes partive shqiptare është i domosdoshëm por nuk është i mjaftueshëm për ta rrëzuar këtë Qeveri.

Portalb.mk: Deri ku jeni me iniciativën për ndryshim të Kushtetutës?

“Jemi duke mbledhur nënshkrime për Iniciativën qytetare për ndryshim të Kushtetutës. Sinqerisht, është vështirë për ti mbledhur sepse partitë në pushtet ndryshuan ligjin për ta bërë të pamundur mbledhjen e tyre.
Duhen 150 mijë nënshkrime dhe atë qytetarët të shkojnë të nënshkruajnë në zyra të posaçme të hapura nga organi kompetent për mbledhjen e tyre. Megjithatë, UNITETI do të dëshmojë se qytetarët janë të interesuar, vetëm në Dibër janë mbledhur 1300 nënshkrime, para ca ditëve.” thotë për Portalb.mk, Ostreni.

Portalb.mk: Supozojmë nesër ka zgjedhje, sa deputete do te mund ti fitoni?

“Punët në terren janë më mirë se sa që duken edhe pse BDI bën presion të madh te qytetarët. Anketat që i shohim nuk janë reale sepse nuk e dimë kush është në anën tjetër të telefonit. Besimi ndaj BDI-së bie ndërsa me atë që shohim besimi në UNITETI-n po rritet dhe për kohë të shkurtër arritëm të bëjmë edhe Kongresin si dhe të miratojmë dokumentet e rëndësishme dhe programin politik. Ende është herët të them se sa deputet mund ti shkëputim BDI-së. “ thotë për Portalb.mk, Ostreni.

Portalb.mk: Çfarë ju dallon nga PDSH (opozita me deputetë në Parlament) dhe si e vlerësoni rolin e kësaj partie ne mbrojtjen e interesave shqiptare?

PDSH së bashku me BDI-në po ti kishin mbrojtur interesat shqiptare, nuk do të ishim në këtë gjendje ku jemi sot. Nuk ka nevojë për shumë komente sidomos kur dëgjuam besnikërinë e verbër të liderit të PDSH ndaj organeve të sigurimit të shtetit. Por, dukshëm edhe BDI ka në plan t’i qëndrojë besnike VMRO-së, pa dallim në situatën si zhvillohet, duke mos i interesuar qëndrimi i ndërkombëtarëve apo kërkesat e shqiptarëve por u intereson t’i shpëtojnë njerëzit e vetë nga përgjegjësia.” thotë për Portalb.mk, Ostreni.

 Portalb.mk: A mendoni se një opozite e bashkuar mund të rrëzoje BDI-në nga pushteti dhe pse ende nuk keni ndonjë bashkëpunim me partitë e tjera?

Bashkëpunimin me partitë e tjera opozitare, por jo bashkimin në formë të shkrirjes në një parti, ne e zhvillojmë dhe jemi nismëtarë në këtë drejtim. Si që patë, dolëm me deklaratë të përbashkët për qëndrimin tonë për pjesëmarrjen në protestat e sektorit civil, të cilat janë qytetare sepse problemet me të cilat tani ballafaqohemi janë të asaj natyre e jo kombëtare. Prandaj vendosëm të marrim pjesë si anëtarë të UNITETIT.

Sa i përket koalicioneve, partitë e tjera duhet të rregullojnë disa çështje të tyre, të miratojnë vendimet e tyre, çfarë do të bëjnë me organet e tyre që i kanë krijuar apo i respektojnë: kemi Këshillin Opozitar që punon i paregjistruar duke u thirrur në emër të shqiptarëve por edhe të partive politike. Ndërsa si formohet një parti politike të gjithë e dimë procedurën, për të dalë më pas me Këshillin Opozitar që do ti përfaqësojë të gjithë. Edhe krijesa të tjera nga partitë politike të tjera kemi si që është Aleanca për Shqiptarët. Pra, dua të them që partitë politike duhet të vendosin si do të veprojnë, të shprehen konkretisht. Ne nuk mund të bëjmë koalicion me subjekte të paregjistruara.

UNITETI kërkon koalicionim të koordinuar mirë dhe ti heqim të gjithë partitë që janë në pozitë: VMRO dhe BDI. Ne nuk duam ta zëvendësojmë BDI-në por të marrim pjesë në qeveri demokratike pa VMRO dhe BDI. Ne mendojmë që duhet të ndërrohet komplet qeveria jo vetëm BDI që e solli Maqedoninë në këtë situatë.
Nuk mund te themi ri-sjellje të demokracisë, sepse në Maqedoni asnjëherë nuk ka pasur demokraci të mirëfilltë por për të vendosur demokracinë e vërtetë.

Ne kemi përpunuar një material për koalicionet, të gjithë paritë shqiptare prej 91-shit e këndej janë në koalicion me parti maqedonase. Ata sillen sikur janë të pavarura por realisht pas zgjedhjeve presin çfarë do t’ju jep partia maqedonase.

Koalicioni mes partive shqiptare është i domosdoshëm por nuk është i pamjaftueshëm për ta rrëzuar këtë Qeveri, prandaj ne si parti kemi strategji të veçantë dhe do ta shpallim kur të vjen koha për ta bërë të mundshëm flakjen e VMRO-së dhe BDI-së nga Qeveria, sigurisht me mjete demokratike.” thotë për Portalb.mk, Ostreni.

LEXO: Ziadin Sela: Aleanca për shqiptarët është opozita më serioze shqiptare në Maqedoni
LEXO:
Bilall Kasami: Lëvizja BESA do ta rrëzojë BDI-në nga pushteti

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button