Obama: Vietnami të respektojë të drejtat e njeriut

Presidenti amerikan Barack Obama i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Vietnam, bëri thirrje për respektimin e të drejtave të njeriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Obama, në ditën e dytë të vizitës së tij u takua me aktivistë dhe sipërmarrës. Ai tha se të drejtat më të mira të njeriut që sigurohen përmes dhënies së të drejtave nga qeveria vietnameze për qytetarët, do të kontribuojë në ekonominë e shtetit, stabilitetin dhe fuqinë rajonale.

Në fjalimin që e mbajti në Qendrën Kombëtare të Kongresit, Obama u shpreh se kombet bëhen më të fuqishme kur njerëzit i shprehin mendimet e tyre lirshëm, kur mblidhen pa u shqetësuar dhe kur i shprehin kritikat e tyre në internet dhe media sociale.

Obama tërhoqi vëmendjen duke thënë se mbrojtja e këtyre të drejtave nuk paraqet rrezik për stabilitetin, por, përkundrazi, i forcon themelet e stabilitetit dhe progresit.

Duke potencuar se Vietnami këtë do ta arrijë ndryshe nga Amerika, Obama shtoi se “Megjithatë, ekzistojnë parime themelore mbi të cilat duhet të punojmë të gjithë”.

Ai potencoi se Vietnami në shumë fusha ka bërë hapa të rëndësishëm që vlen të përmenden, porse shqetësimet në disa fusha vazhdojnë edhe më tej.

Obama është presidenti i tretë që e viziton Vietnamin që nga rinisja e marrëdhënieve në vitin 1995. Më herët, Vietnamin e pati vizituar edhe Bill Clinton në vitin 2000 dhe George W. Bush më 2006.

Në Luftën e Vietnamit që zgjati nga viti 1965 deri në 1973, thuhet se 58 mijë ushtarë amerikanë e humbën jetën.

Këmbimi tregtar mes dy vendeve varion rreth 45 miliardë dollarë.

Pas takimeve në Vietnam, presidenti Obama do të udhëtojë në Japoni, ku do të vizitojë Hiroshimën, qytet në të cilin SHBA-të hodhën bombën atomike gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button