Shqiptarët, me më së shumti aksidente në rrugët e Italisë

Shqiptarët janë ata që përfshihen më shpesh në aksidentet e komunikacionit në rrugët e Italisë.

Sipas fondacionit Ania për sigurinë rrugore, ata kanë numrin më të lartë të aksidenteve rrugore në mesin e të huajve, për çdo 100 të siguruar, 13.3%. Kjo e dhënë për italianët është vetëm 7.2%. Për ta e për të huajt në përgjithësi, fondacioni Ania ka krijuar një platformë në shqip dhe në 5 gjuhë të tjera për të mësuar si vozitet në siguri të plotë, transmeton albinfo.ch.

Janë 12 leksione online në po aq qytete të ndryshme italiane.

Dymbëdhjetë etapa përgjatë territorit të Italisë, nga Milano në Palermo, për të njohur Italinë, e mbi të gjitha për të mësuar si t’i jepet makinës në respekt të kodit rrugor. Me një çmim për më të mirët: mundësinë e kalimit nga teoria në praktikë, me kurs falas në pistë.

Fondacioni Ania për sigurinë në rrugë ka paraqitur më 21 janar Drive in Italy, një projekt online falas kushtuar shoferëve emigrantë. Projekti është në gjashtë gjuhë: italisht, shqip, anglisht, në gjuhët rumune, kineze dhe arabe.

“Objektivi i kësaj nisme, shpjegojnë nga Ania, është ofrimi i njohurive mbi rregullat rrugore, promovimi i sjelljeve të përgjegjshme në timon dhe formimi praktik i atyre që ngasin makinën për përballimin në siguri të plotë të rreziqeve që mund të paraqiten në rrugë”.

Nisma është ndërmarrë për shkak të disa të dhënave aspak të kënaqshme mbi aksidentet rrugore të të huajve në Itali, që me pak fjalë tregojnë se imigrantët në përgjithësi, dhe shqiptarët në veçanti, në proporcion bëjnë më shumë aksidente se italianët.

Çdo vit rreth 900 mijë të huaj përfshihen në aksidente rrugore, dhe në vend të parë në këtë aspekt janë shqiptarët me 13,3 aksidente për 100 të siguruar. Në vend të dytë vijnë kinezët me 13,1%, egjiptianët (12,1%), marokenët (11,3%), rumunët (11,1%) dhe tunizianët 9,4%). Ndërsa mesatarja italiane është vetëm 7,2 aksidente për 100 të siguruar.

Lajme të ngjashme

Back to top button