SASTAVI

Një ditë prej ditëve, tash s’e di a e martë a e mërkurë ishte. Cili e Mili, dy burra të pushtetit, janë ndalur para derës së Kuvendit të Komunës. Bëjnë do gjeste me duar e flasin. Ndonjëherë qeshin të dytë. Ndodhi që unë e Loshi po kalonim aty, nëpër parkun përballë Kuvendit.  Loshi kishte të drejtë. Po kurdisin diçka këta. Veçanërisht Cili, ky dreq është krejt sherr. Do ta bëjnë ndonjë mbrapshti hardallash. Çfarë plani kanë vallë? U afrohem unë dhe i pyes, në të vërtetë i drejtohem Cilit.

Më duket se keni nifarë plani?

Ata e kthejnë kryet kah une e në sytë e tyre lexoj njëfarë interesimi për mua. Duket se duan të flasin, duket se u shkon për shtati pjesëmarrja ime në bisedë. E shoh unë. Ama ia vë mendjen, se, ku ta dish, ata mos paçin dije, sherr kanë. Po edhe mua kërshëria s’më lë rehat. Dua ta marr vesh ku e kanë nijetin. E nisi unë bisedën për bujqësinë. Hë, ëëë… Jo, s’u intereson. Cili e dikton se ia fus kot. E bën fytyrën si ajo fjala që thonë aman xhi m’kallxove. Nuk e hanë. E kthej vijën e bisedës në tjetër anë: politikë. E përmendi Gjermaninë, ata më shikojnë bosh. Evropa qendrore… them unë dhe pa e përfunduar mendimin. Cili e luan dorën në shenjë pakënaqësie që do të thotë: lere, lere! Se s’na kërcet fare për Evropë! Loshi që mbet pak më larg,  afrohet te unë. Loshi ua di marifetet. Më prek pak me bërryl dhe kështu ma tërheq vërejtjen që të mos flas.

U pashë tu dalë pi derës  Kuvendit t’komunës, u tha Loshi. Sigurisht dilni pi mbledhjes?

Po, u përgjegj Cili. Kimi pas ni mbledhje t’randë.

Kah t’patëm taj? e pyeti Mili Loshin, thua ti se s’e njeh, ashtu si e kanë zanat ato çi pi molerajt futen për oxhaku në punë të shtetit, lartë diku.

Jam pi Përce, tha Loshi. Mili qeshi.

Pi Përce?… dhe u tall Mili: Cërc, mërc, tezet n’Përc, ia bëri Loshit.

Unë ta them të drejtën u nxeha dhe desha t’u flas, t’u them: ju njerëz me pozita jeni, si mundeni të talleni kështu, po Loshi ishte më i shpejtë, e më i përmbajtur, si njeri që merret me shkrime dhe e di sa është sahati në këtë takim e me këtë soj njerzish:

Ej, moti s’t’kum pa Cil, a hunxhna ta pajmë ni kafe, ene bojm muhabet?

U ulëm.

Ej mos ma zini për t’madhe, ama zavendsi juj, si e pat be emnin… aj  me petka vija-vija nuk um duket kurrnifarë njeri. As hajri taurkit, as sherri… Ma majr ta kishi vu ni qetër, u them unë.

I majr asht, i majr, thotë Loshi, duke e ngritur pak zërin sikur të dojë të më qortojë mua pse ngutem. Unë e mbyll gojën.

Masanej? Xhi do kallxojni? pyet Cili me një ton “prej së larti”.

Ki a pa punë, e don t’u nxhitet n’partinë,  i thotë Loshi për mua.

Sa për parti, ani be…  Na duhen kso njerzish pa punë. Po taj?

Çe jam tu e shkrojt ni libër.

Libër? pyeti me një dozë ironie Cili, pasta tha: Majr, majr… Në atë moment i bie telefoni Loshit. Ai çohet e largohet të flasë. Atëherë Mili thotë:

Ej kto poetat a shkrimtart, xhi u thaun ktine, kto ket budallë janë. Ata xhi nuk munden ta bojnë n’realitet hunxhen ene e shkaravajtin n’letër. Nuk janë si na, xhi dan – ban.

Por duke i thënë këto fjalë Mili, Loshi ishte kthyer edhe  rrinte në këmbë pas shpinës së Milit. Krejt e dëgjoi se çfarë tha Mili.

Po si ini be burra, si i çojni punët n’kot dërzhavë? U bë se s’dëgjoi gjë Loshi dhe u ul.

Majr be, majr.

Ama pares para derës Kuvendit kishi ni hall, u thashë unë. Shaumë si me siklet e kishi muhabetin. Si dulët n’mledhje?

Lee, be, tha Mili.

Mos kishi doni hall t’madh?

Jo be bojshim hoka, tha Cili. Ki Mili din t’boje cirkusllajke. Thotë si ta bojmë ni send për s’prapi, ni ukubet, çi mos t’kese ma ukubet n’dunja. A t’himë n’kuvend me pupla guskash n’kraje, a t’dalëm n’konferencë për shtip me done t’gjata, a t’shkojmë n’teatër me pantulle t’shkurta, a ta shotajtim Shkupin me alltopusat me di kat t’veshëm si indianë?…

Qeshëm që të katërtit se njëmend për të qeshur ishte puna.

Pastaj Loshi porositi akullore. Kur erdhën akulloret, Loshi tha:

E dini xhit, ket kto fora ishin interesant, janë nifarë ukubeti. Kjo “si indianë” asht mesele ukubet. Po ju nuk kini nevojë për kto mualife. Ju e kini përbërjen e këshillit t’komunës ma ukubet n’dunja e s’u duhet kurxha ma shaum.

Xhi i bie kjo përbërja e kshillit? pyeti Mili.

Sastavin, u përgjigj Cili, sastavin e grupit tonë t’sovetnikve t’opshtinës, tha Cili dhe  u ngrit. Pas tij u ngrit edhe Mili. Cili e kthej kryet e tha:

Do shajfna na tekrar, ama u pa në fytyrë se po plaste nga inati. Mili qeshte. Pastaj e ktheu kryet kah unë e më tha:

Hajde nesër e berma ni mollbë për parti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button