Kur të tjerët Mundohen të ma Mbajnë Protokollin

Kosova për çdo ditë po ndryshon, natyrisht, në disa segmente pozitivisht, por në të tjera, fatkeqësisht shumicën, negativisht. Padyshim gjendja ekonomike është mjaft e rëndë, avancimi drejtë integrimeve evropiane si duket ende është larg, jo se nuk e meritojmë, por për shkak se përgjegjësit tanë politikë ‘nuk kanë kohë’ të merren me punët e tyre e t’i plotësojnë kushtet dhe kriteret e kërkuara, ngase ata janë tejet të angazhuar me ‘ekstremistët islamik’. Po të dëgjosh deklaratat boshe të disa prej politikanëve tanë gati sa nuk të mbushet mendja se vërtetë ‘ekstremistët’ qenkan fajtorët kryesorë pse politikanët tanë nuk tregojnë as më të voglin angazhim për t’i plotësuar ato kritere. Deklarata e zonjës Lunaçek, në lidhje me vonesën e liberalizimit të vizave, mendoj se është dëshmi e qartë dhe e mjaftueshme për këtë që po themi. Në mungesë të kryerjes së detyrave të shtëpisë, e pse jo edhe të të gjitha detyrave tjera, disa nga politikanët tanë mundohen akoma të qesin fall se ‘ekstremistët’ i kanë fajet, pra qytetarët e thjeshtë e të varfëruar nga papërgjegjësitë e pushtetarëve, të cilëve nuk u ka mbetur ndonjë shpresë tjetër vetëm se të thonë nga thellësia e zemrës La Ilahe ila-Allah dhe o Zot merr hak!.

Andaj, të nderuar, muslimanët kurrë nuk kanë qenë e as që do të jenë pengesë për punë të hairit, ata janë pengesë vetëm për punë të sherrit, sepse besimi i tyre, bindja e tyre dhe mësimet e tyre fetare i mësojnë të punojnë vetëm për mirë dhe t’i shmangen çdo të keqe. Ata janë njerëzit më të urtë, më të dobishëm, më frytdhënës në shoqëri dhe kjo po dëshmohet çdo ditë e më shumë. Sido që të jetë, ka edhe gjëra tjera negative në shoqërinë tonë, për të cilat nuk mjaftojnë orë dhe libra për të shkruar, por ne mundohemi të kemi qasje pozitive ndaj dua të fokusohem në ndryshimet pozitive të kësaj shoqërie të cilat, falë Zotit, nuk janë pak.

Përderisa më herët, për shkak të ndikimit komunist-ateist, nuk ka pasur shans nëpër xhami t’i shohësh njerëzit me ndikim politik, arsimor, shkencor, ushtarak, të sigurisë etj, sot kjo gjendje ka ndryshuar tërësisht. Sot shtëpitë e Zotit frekuentohen nga të gjitha shtresat e njerëzve, e për studentë dhe nxënës të shkollave të mesme, nuk po flasim fare sepse ata tashmë përbëjnë pothuajse mbi 90% e xhematit të xhamive. Pastaj struktura politike, në veçanti pas zgjedhjeve të nëntorit të kaluar, ka ndryshuar goxha mirë. Kjo për faktin se në pushtet kanë ardhur njerëz të cilët jo vetëm që e donë këtë vend dhe punojnë për të mirën e tij, por ata edhe mbrojnë interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim. Ndaj, mendoj se populli ynë është këndellur dhe kështu u dha pozita atyre që i meritojnë ato. Deri para një kohe ka qenë e pamundur apo shumë e vështirë që lirshëm të bisedosh me krerët politikë, qoftë në nivel lokal, qoftë në atë qendror. E tani kanë ndryshuar gjërat për së miri, falë Zotit. Tashmë kemi filluar të ofrohemi mes vete, të vizitohemi, të konsultohemi e t’i ndihmojmë njëri tjetrit që bashkarisht ta çojmë vendin para. Në pjesën dërmuese të komunave tona krerët politikë kanë një bashkëpunim shumë të afërt me këshillat e bashkësisë islame në ato vende. Tashmë hoxhallarët së bashku me xhematin, e që fatmirësisht janë shumë, po japin kontributin e tyre edhe në zgjedhje e prijësit të tyre duke zgjedhë atë që është më bashkëpunëtori. Këtë bashkëpunim e kam vrejtur mirë gjatë disa vizitave të mia që u bëra disa krerëve komunal, kohëve të fundit, me ç’rast kam shfrytëzuar rastin t’ua urojë detyrën e të bisedojë miqësisht për atë që është në interes të atdheut, fesë dhe të shoqërisë sonë në përgjithësi. E di që ky bashkëpunim mes hoxhallarëve e politikanëve, ky ofrim i liderëve politikë me muslimanët, e në veçanti vizitat e mia, dikë po e pengon më të madhe. Ata(o) që në zemrat e tyre ende e kanë partinë komuniste, e kanë bindjen se feja është opium, ata janë mësuar t’i shohin hoxhallarët të heshtur, gjersa gjithë të tjerët flasin. Të tillët, mjerisht, akoma vazhdojnë të jetojnë në shekullin e kaluar dhe atë në vitet e gjashtëdhjeta të kohës rankoviçiane. Vazhdojnë ta shohin vetën si pasardhës të majmunit. E çka presim prej dikujt që është në gjendje ta konsiderojë stërgjyshin e vet majmun?

Si duket nga stresi, mllefi e zilia ata(o) as gjumi natën nuk po i zë, por ç’të bësh ‘plasni shoqe prej inati’, i thotë populli kësaj pune. Tek e fundja kështu e ka demokracia, populli e zgjedh kë do, e admiron kë do dhe e urren kë do. Po të ishin vetëm pak më largpamës, po të ecnin vetëm pak me kohën, do ta kuptonin se koha moniste ka kaluar, se feja në përgjithësi, e Islami në veçanti, për çdo ditë e më shumë po ngritet, po afirmohet dhe po i jap frytet e saj, në çdo shoqëri, përfshirë edhe atë perëndimore. Do ta kuptonin se nuk ka shoqëri pa fe, e feja jonë është kjo që është, ne tjetër fe nuk e kemi ndërmend të marrim. Atyre që nuk ju pëlqen le ta ndërrojnë apo le të jetojnë pa fe fare, por le të mos u shkoj as ndërmend të na pengojnë, se nuk e kemi ndërmend as t’i pyesim e as të ndalemi së vepruari. Të tillët shumë i pengoi edhe vizita ime tek akademiku i famshëm Rexhep Qosja, ashtu siç i pat penguar më herët vizita që i bëra dhe më bëri Akademik Nexhat Daci. Le ta dinë këta tipa, se llomotitjet, akuzat dhe shpifjet e tyre vetëm sa më ngritin si në raport me qiellin lart, po ashtu edhe me tokën. Unë i urrej diktatorët dhe nuk dua të përdorë fjalinë e diktatorit Hoxha, ngase prapë kam respekt për njerëzit sado ngacmues e të paditur që janë, pra jam më i mirë se ata(o), por patjetër më duhet të potencojë se …Karvani do të ecë përpara. Unë do të vazhdojë, me emrin e Zotit, ta kryej detyrën time, ta çojë në vend misionin tim, të jem në shërbim të qytetarëve të mi, popullit të Kosovës, të gjitha shtresat janë xhemati/populli im, aty përfshihen si akademikët e politikanët po ashtu edhe biznesmenët dhe njerëzit e thjeshtë. Unë dhe të gjithë muslimanët në vendin tonë sot e kemi të qartë se ne po jetojmë në një kohë kur Islamit po i kushtohet një luftë speciale mediale më shumë sesa në kohën e komunizmit. Sot, individë, politikanë, deputetë e disa media, po shkelin të drejtat e mbi 96% të popullatës, po degradojnë dhe po fyejnë ata(o) në mënyrën më brutale. Thjeshtë, po luftojnë identitetin e shumicës absolute. Ndaj, këtë zullum nuk do ta duroj gjatë populli, nuk kam për qëllim të kundërsulmojë askënd sepse Ainshtajni i mençur tha ‘nuk zgjidhen problemet me të njëjtin mentalitet me ata që bënë ato, por dua të vë në pah se ‘pitja ishte pa krip’ siç ka thënë ai drenicaku i urtë. Ndaj, kjo luftë mediale, e atyre që kanë zell për gjëra negative, nuk është kundër një individi apo institucioni, por është luftë kundër tërë popullit tonë, është luftë kundër kulturës, traditës sonë, kundër vlerave tona shekullore. Te Zoti i Madh mbështetemi dhe nga Ai ndihmë kërkojmë. Zaten feja është e Tij, Ai ka për ta mbrojtur dhe për ta ruajtur, e ne jemi vetëm shërbëtorë, asgjë më shumë.

Për fund, u drejtohem të gjithë atyre që me urrejnë dhe po mundohen të ma mbajnë protokollin, ku të shkoj dhe ku jo, duke u thënë qartazi se nuk kam nevojë për ju, Allahu më ka nderuar me përkrahës, dashamirë e këshilltarë më të mirë dhe shumë më shumë sesa ju. Allahu na drejtoftë të gjithëve e na ruajt nga të ligat dhe intrigat e çdokujt. Amin dhe deri javën tjetër me një temë tjetër selam alejkum.

Lajme të ngjashme

Back to top button