Bilall Kasami: Lëvizja BESA do ta rrëzojë BDI-në nga pushteti

Lideri i partisë jashtëparlamentare “Lëvizja BESA”, Bilall Kasami në një bisedë për Portalb.mk thotë që partia e tij ka arritur të konsolidohet si opozita më serioze shqiptare në Maqedoni duke e de-legjitimuar kështu partinë opozitare të  Menduh Thaçit, PDSH-në, si dhe atë që është në pozitë Bashkimin Demokratik për Integrim. Ai flet për arsyet pse nuk ka bashkëpunim me Aleancën për Shqiptarët e cila përbëhet nga dy partitë e tjera opozitare jashtëparlamentare Lëvizja për Reforma në PDSH si dhe Rilindja Demokratike Shqiptare.

“Një vit e gjysmë pas aktivitetit publik të lëvizjes BESA, tani më nuk ka dyshim se ky subjekt politik është zëri i vërtetë opozitar shqiptar. Sot jemi një parti më e strukturuar nga gjitha partitë shqiptare, me struktura nga Struga e deri në Kumanovë. Ne sot kemi mbi 4 mijë aktivistë nëpër strukturat e degëve. Ishte pikërisht kjo arsyeja pse protesta e 9 majit ishte madhështore në të cilën përfundimisht e de-legjitimuam BDI e cila në vazhdimësi thirret në 153 mijë vota por nuk është në gjendje të mbledh as 1 mijë, e pamë rastin me protestat e inskenuara për kryqin në Butel.” thotë për Portalb.mk, Kasami.

Portalb.mk: Supozojmë nesër ka zgjedhje, sa deputete do te mund ti fitoni?

“Nuk mund të them me numra se sa deputetë mund të kemi, por vlerësoj se po të ketë kushte të mirëfillta për zgjedhje të drejta, BESA është parti fituese.” thotë për Portalb.mk, Kasami.

Portalb.mk: Çfarë ju dallon nga PDSH (opozita me deputetë në Parlament) dhe si e vlerësoni rolin e kësaj partie ne mbrojtjen e interesave shqiptare?

“Nga PDSH na dallon gjithçka. Ne jemi parti e re politike, nuk jemi derivat i ndonjë subjekti politik, por si zë i rinisë intelektuale të shqiptarëve të Maqedonisë që nuk munden në asnjë mënyrë të pajtohen me këtë përfaqësim si në pozitë ashtu edhe në opozitë.  PDSH nuk ka arritur të jetë ajo që do të artikulojë dëshpërimin e madh të theksuar të shqiptarëve nga BDI, prandaj 15 vite pas qeverisjes së BDI-së, u hap nevoja për një subjekt të ri. Dështimi edhe i BDI-së që ta prezantojë zërin e shqiptarëve në institucione, dhe dështimi i PDSH ta artikulojë zërin opozitar ka bërë që të sot të paraqitemi ne.” thotë për Portalb.mk, Kasami.

Portalb.mk: A mendoni se një opozite e bashkuar mund të rrëzoje BDI-në nga pushteti?

“Ne si parti kemi fuqinë ta rrëzojmë BDI-në dhe unë si kryetar punoj ta largojmë nga pushteti këtë të keqe, por jemi të gatshëm për bashkëpunim me të gjithë partitë e tjera dhe jo vetëm, me sektorin civil dhe intelektualë që këtë largim nga pushteti ta bëjmë sa më lehtë e shpejtë.” thotë për Portalb.mk, Kasami.

Portalb.mk: Pse pra ende nuk keni lidhur ndonjë lloj bashkëpunimi me Aleancën për Shqiptarët e cila përbëhet nga dy partitë e tjera opozitare jashtëparlamentare Lëvizja për Reforma në PDSH si dhe Rilindja Demokratike Shqiptare?

“Problemi si fillim qëndron se njëri nga përfaqësuesit e Aleancës tha publikisht që nuk është për asnjë forme bashkëpunimi me Lëvizjen BESA. Ndërsa publikisht i kam thënë edhe përfaqësuesit tjetër, Ziadin Selës: ose të kërkojë nga Vesel Mehmedi të ndryshojë qëndrim që të hapen urat e sinqerta të komunikimit ose duhet të distancohet nga ai.” thotë për Portalb.mk, Kasami.

LEXO:Ziadin Sela: Aleanca për shqiptarët është opozita më serioze shqiptare në Maqedoni

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button