Nishani në Mal të Zi: Komuniteti shqiptar, urë lidhëse mes dy vendeve

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me ftesë të presidenti të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, mori pjesë sot në ceremonitë shtetërore të kremtimit të 10-vjetorit të Pavarësisë së këtij vendi.

Bëhet e ditur se në kuadrin e këtyre ceremonive, Nishani zhvilloi edhe një takim dypalësh me homologun e tij, të cilin e uroi për përvjetorin si dhe për arritjet e përgjithshme të Malit të Zi në agjendën euroatlantike.

Presidenti i Shqipërisë vlerësoi marrëdhëniet miqësore e të bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe e siguroi Vujanoviçin për angazhimin e plotë e të sinqertë të Shqipërisë në promovimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve dhe të fqinjësisë së mirë.

“Jam këtu për të shprehur urimet më të mira dhe të sinqerta të Shqipërisë dhe shqiptarëve, për ju dhe të gjithë qytetarët e Malit të Zi, në këtë përvjetor shumë të rëndësishëm të pavarësisë, si dhe t’ju përgëzoj për finalizimin e procesit të integrimit në NATO, të cilin e shoh si një kontribut për të gjithë rajonin tonë”, u shpreh kreu i shtetit.

Sipas një njoftimi për shtyp nga zyra e Presidencës, Nishani vlerësoi gjithashtu edhe rolin shumë domethënës të komunitetit shqiptar në Mal të Zi, duke e konsideruar atë një urë lidhëse të fuqishme miqësie mes dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën mbështetjen për bashkëpunimin rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit në frymën e fqinjësisë së mirë e të bashkëpunimit, shkruan Shekulli.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button