Bamir Topi hyn në qeverinë e Edi Ramës

FRD hyn në qeveri, Taulant Balla dhe Sali Shehu mandatohen për emërimet e reja, ja pikat e marrëveshjes dhe marrjen e dy drejtorive.

Atëherë kur në kampin e pushtetit u dukej sikur kishte pllakosur qetësia dhe pauza e brendshme politike, një tjetër aleancë e paralajmëruar trazon ujërat e politikës shqiptare. Tratativat dhe negociatat e nëndheshme midis kryeministrit Edi Rama dhe Bamir Topit janë finalizuar me një bashkëpunim konkret politik gjatë darkës të së mërkurës. Fryma e Re Demokratike, e drejtuar nga ish-presidenti Bamir Topi, do të bëhet pjesë e mazhorancës qeverisëse. Ndërsa pritej një zhvendosje e PDIU së çamëve drejt qeverisë, një tjetër parti po afrohet me qeverinë. Nuk bëhet më fjalë për dyshime dhe zëra të paidentifikuar, por për një marrëveshje konkrete politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të FRD, Bamir Topi, për dhënien e dy drejtorive.

Darka midis kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të FRD së Z. Bamir Topi, ka qenë e para e këtij lloji, pas një seri takimesh të fshehta dhe konfidenciale të organizuara midis dy liderëve. Ky takim është ekspozuar qëllimisht për mediat dhe është ndjekur nga kjo e fundit me mjaft interes, për vetë situatën politike që po kalon e djathta shqiptare, ku roli i Z. Topi ndihet mjaft i domosdoshëm. Me gjithë presionin e partive të vogla aleate në kampin e së majtës për të hyrë në koalicionin qeverisës, kryeministri Rama ka qenë i interesuar të fillojë negociatat e bashkëpunimit qëllimisht me Z. Topi, si një mesazh i qartë që i adresohet të djathtës të zënë në lojërat e bojkotit politik. Takimi dhe më pas darka e shtruar, e cila zgjati për më tepër se 3 orë, ka patur në axhendë bashkëpunimin e ardhshëm politik mbi reformat kushtetuese dhe zgjedhore, reformën territoriale dhe mënyrën e kontributit të ardhshëm të FRD së në qeverisjen e vendit.

Gjatë bisedës së dy liderëve politik për vendet e mundshme ku do të rekrutohen përfaqësuesit e FRD së në administratën e lartë shtetërore, nga ana e Z. Rama është kërkuar prezenca e deputetit Taulant Balla, i cili është i ngarkuar për koordinimin e vendeve të punës në zbatim të marrëveshjeve të koalicionit për qeverisje përkatësisht në dy drejtoritë që do marrin. Pasi Z. Balla i është bashkuar darkës, Z. Rama ka rënë dakord me Z. Topi që koordinimi i mëtejshëm për ndarjen e qeverisjes me FRD të vijojë në terma teknike midis deputetit Balla dhe Z. Sali Shehu. Darka midis dy liderëve përfundoi me përcaktimin e një axhende, ku pritet që në ditët në vijim të ketë një tjetër takim, në të cilin do të zyrtarizohen postet konkrete, në të cilat do të kontribuojnë FRD për qeverisjen e majtë.

Lajme të ngjashme

Back to top button