“Dashnori” dhe rolet

Pas botimit më 1962, drama njëaktëshe “Dashnori” e nobelistit Harold Pinter cilësohet si skandaloze, sidomos për sistemin borgjez të vlerave i cili, shkurtas: parapëlqen formën, dinjitetin publik dhe traditën si mburojë…Vepra mbetet provokative edhe sot nga shkaku se vë në spikamë institucionin tradicional siç është martesa. Njerëzit përgjithësisht janë sensitivë për sferën intime. Qoftë kur flasin për privaten sado i besueshëm të jetë veshi që i dëgjon, qoftë kur dikush e tematizon atë sferë. E arsyeshme.

Premiera e fundit e Teatrit shqiptar në Shkup “Dashnori” është rrëfim për çiftin martesor që tenton të dalë jashtë binareve të rutinës bashëshortore. Duan të rikthejnë gjallërinë e raportit dhe pasionin jo vetëm trupor. Në kërkim të asaj çka kanë pasur dikur dhe çka u mungon sot, fusin në lojë imagjinatën. Burri dhe gruaja njëkohësisht luajnë rolin e dashnorit të gruas dhe dashnores së burrit dhe këtu shfaqja fiton elemente groteske. Nga kjo rezulton diçka që mund ta quajmë “tradhëti transparente martesore, jo me të tjerë por brenda mureve të shtëpisë”. Rekomandime të ngrohta për shfaqen e cila mund të shikohet dhe përkthehet në mënyra të ndryshme. Një nga të rrallat që për shkaqet tematike do doja ta shoh për së dyti.

Pas duodramës“Dashnori” në regji të Besfort Idrizit me Amernis Nokshiqin dhe Fisnik Zeqirin në rolet e bashkëshortëve dhe “partnerëve jashtëmartesorë” që kërkojnë freskinë tek imagjinata, u diskutua mjaft dilema: sa larg mund te shkojnë fantazitë dhe a e ndihmojnë raportin martesor apo kthehen në problem nëse loja imagjinare kapërcen kufinjtë. Shikuar më gjërë, është pikëpyetja egzistenciale:  demarkacioni  ndërmjet asaj  që kemi dhe asaj që duam të kemi ose si të luajmë rolet dhe të mbetemi vetvetja.

…ngaherë mund të ndjehesh si i hedhur në skenë, skenografia aty, ti s’e ke as tekstin, ata të thonë “Luaj”.

…ngaherë roli që e ke më për qejfi asnjëherë s’të vjen në dorë. Por ti nuk pushon së dëshiruari se edhe e paaritshmja është motiv, “jetës nuk i dihet”. Vërtet s’i dihet.

Kufinjtë ndërmjet roleve mund të jenë decidë, apo fluidë kur shkrihen natyrshëm.

Dhe kur arrin mos cungohesh e as të lëndosh tjerët, atëherë bëhet mirë.

Edhe për ty edhe për tjerët.

Enigma është si t’u japësh formë përmbajtjeve që i ke të rëndësishme.

Në fakt çelsi fshehet tek balanci.

E tërë jeta është kërkim i kararit.

Në fund të saj, mendoj unë, përsëri nuk do ta dimë: e gjetëm kararin apo nuk e gjetëm!?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button