Liga e Tretë-Perendim rrezikon përfaqësuesin në balotazh!?

Edhe pse të premten në hapësirat e FFM-së u hodh shorti për dyshet e balotazhit për kompletim të kategorisë së dytë të futbollit vendor, krejtësisht e paqartë mbetet situata me skuadrën ekipin kampion të Ligës së Tretë-Perëndim.

Në shortin e hedhur rezultoi që ekipi i vendit të 8-të të Ligës së Dytë nga sezoni i posa përfunduar, Lubanci, të përballet me Novacin e Manastirti. Gobleni i Kumanovës do të ketë përballë Akademia Pandevin nga Strumica, ndërsa Vardari i Negotinës duhet të ndeshet me fituesin e Ligës së Tretë-Perëndim, ku kampionati ende nuk është mbyllur dhe në garë të ngushtë për titull janë Skenderbeu i Porojit të Tetovës dhe Vardari i Forinës së Gostivarit. Kampionati në këtë kategori duhej të ishte mbyllur javën e shkuar, mirëpo kjo nuk ndodhi pasi nuk u zhvillua takimi Reçica-Vardari i Forinës. Arsyet e mos zhvillimit të ndeshjes në fjalë janë banale, pasi për të njëjtën me kërkesë të Vardarit të Forinës, Federata e futbollit të Maqedonisë (FFM), kishte deleguar arbitra nga Shkupi, ndërsa këtë nuk e kanë lejuar drejtues të kësaj lige, duke anuluar takimin me pretendimin se duhet të referojnë arbitra të deleguar nga ata. Si pasojë, komesari për gara pranë Ligës së Tretë-Perëndim caktoi termin të ri për zhvillimin e kësaj ndeshje, saktësisht 21 majin (21.05.2016 e shtunë) me fillim në orën 16:30, mirëpo në të njëjtën kohë administratori i Ligës për arsye të panjohura nuk u ka dorëzuar klubeve në fjalë vendimin për terminin e ri të zhvillimit të ndeshjes në fjalë. Gjithë kjo rrëmujë e krijuar mund të bëjë që Liga e Tretë-Perëndim të mbetet pa përfaqësues të saj në balotazh, pasi që ndeshjet për plotësim të Ligës së Dytë janë caktuar për të mërkurën (25.05.2016) dhe të dielën e ardhshme (29.05.2016). Nëse drejtuesit e Ligës së Tretë-Perendim nuk gjejnë zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë, mbase do të duhet intervenimi i Këshillit Drejtues të Federatës së futbollit të Maqedonisë për të sjellë një vendim të drejtë për zgjidhjen e kësaj situate të palakmueshme për klubet shqiptare që pretendojnë të jenë kampion të Ligës së Tretë-Perendim dhe me atë edhe të luajnë në balotazh për të kërkuar ngjitjen një kategori më lartë.

KF Vardari nga Forina e Gostivarit dhe KF Skenderbeu nga Poroji i Tetovës janë konkurrentët kryesorë për tu shpallur kampion në këtë kategori dhe dilema se kujt do t’i takojë vendi i parë do të zgjidhet vetëm pas kompletimit të xhiros së fundit në këtë ligë.

Në interes të klubeve dhe futbollit në përgjithësi pritet të merret vendim i duhur dhe i drejtë nga organet kompetente që kampioni i Ligës së Tretë grupi Perendim të dalë nga fusha e lojës dhe mos të lejohet që kjo Ligë të mbetet pa pjesëmarrës në balotazhin për plotësimin e Ligës së Dytë në futbollin e Maqedonisë. Nëse kjo ndodh, përfitues i vetëm do të dilte Vardari i Negotinës që pa rival në balotazh do të siguronte inkuadrimin në Ligën e Dytë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button