Albi Bardhi me moton : “U bashkuam dhe filluam këtë lëvizje qytetare-Aleancën”

Albi Bardhi, bashkëkombësi nga Tirana, është prijësi dhe themeluesi i Aleancës kundër devijimit të lumit Radikë dhe Vjosë.

Është një aleancë rajonale kundër planeve të qeverive të Greqisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë për devijimin e rrjedhës së lumenjve Vjosa dhe Radika. 

PORTALB: Si erdhi deri të themelimi i Aleancës suaj kundër devijimit të lumenjve?
Albi Bardhi: Çështjen e devijimit të lumit Radika e kam mësuar nga protestat që bene dibranet e Amerikës, por nuk kishim informacion të mjaftueshëm dhe gjatë kësaj kohe jam munduar të gjej informacione rreth kësaj çështje por dhe për devijimin e lumit Vjosa, që po shtrohej si problem pothuajse në të njëjtën kohë. Në këtë kohë në Dibër të madhe kishin ardhur disa specialist shumë të njohur në fushën e hidrologjisë që mundeshin të flisnin konkretisht për këtë problem kaq madhor dhe jetësor, dhe kur u kthyen ne Tiranë këto profesorë filluan të bënin publike çfarë kishin parë realisht atje. Kjo ishte shtysa kryesore qe bashkë me disa njerëz vërtet të ndjeshëm për këtë çështje u bashkuam dhe filluam këtë lëvizje qytetare, që pas protestës së parë u bashkuan dhe shumë aktorë të tjerë të shoqërisë civile.

PORTALB: Opinioni juaj për këtë projekt famëkeq dhe nga e qeverisë së Maqedonisë. Sipas jush  çka nëse realizohet dhe çfarë pasoja do ketë? 
Albi Bardhi :Ky projekt nëse realizohet është një projekt “VRASËS” për banorët e Dibrës së madhe dhe të gjithë ato komunitete që lagen nga ky lumë. Realisht nuk jemi kundër ndërtimit të hidrocentraleve, por jemi kundër devijimit te rrjedhës natyrore të lumit Radika që do te kishte pasoja shumë të rënda si: jetësore,mjedisore,ekonomike,kulturore dhe më gjerë për dibranet, por dhe për Shqipërinë sepse Radika është pjesë kryesore furnizuese e Drinit te Zi dhe për rrjedhojë e kaskadës se Drinit.

PORTALB:A  mendoni se është bërë ndonjë marrëveshje e fshehtë mes dy qeverive?
Albi Bardhi: Nuk e di a ka marrëveshje të fshehët apo jo, por fakti i deklaratave kontradiktore te ministrave të dyja shteteve dhe reagimi i zëdhënësit te qeverisë Maqedonase lanë  vend për shume dyshime se diçka fshehin. Unë shpresoj qe mos të ketë asnjë marrëveshje qoftë të fshehtë qoftë të hapur në dëm të bashkëkombësve  tanë  në Maqedoni por dhe ndaj Shqipërisë që del e humbur nga ky devijim.

PORTALB:Si e vlerësoni takimin e kryeministrit Rama  me dy ministrat tanë?
Albi Bardhi:Takimin e vlerësoj në frymën e bashkëpunimit dhe është shenjë e mire por nuk kishte asnjë prononcim të ri në këtë takim përveç ripërsëritjes së lojës se fjalëve qe po behet këto ditët e fundit. Ato shprehen se s’ka projekt por ne fakt ka projekt, që këtu te lindin dyshime se diçka duan të fshehin, prandaj ne duhet të jemi vigjilent dhe te ndjekim këtë proces qe ka disa vite që ka nisur por mbahet i fshehtë. Ministrat nuk duhet te vinin ne Tiranë për deklarata boshe pas një kohë kaq të gjatë  të reagimit qytetar në Maqedoni por me herët atje dhe këtu njezeri te kundërshtonin hapur këtë projekt.

PORTALB: Çka do ndodhën më tej, si do veprojnë  dibranët dhe shqiptarët e Shqipërisë  për ndalimin e këtij projekti?
Albi Bardhi: Ndalimi i këtij projekti është thellësisht jetësor për bashkëkombësit tanë në Maqedoni por dhe për vetë qytetarët Maqedonas sepse do te humbin një mrekulli natyrore siç është parku i Mavrovës. Te gjithë jemi ne një mendje qe nuk duhet lejuar asnjë cm3/s te devijohet nga rrjedha natyrore e lumit Radika, duhet te jemi vigjilent, t’i lëmë me një ane bindjet partiake dhe mos ta shohim ne syrin e partisë çështjen por si mbrojtje e interesit kombëtar. Për të patur një përgjigje qe ne duam për këtë çështje duhet të përdorim çdo mjet demokratik dhe ligjore.

PORTALB: A  mendoni se duhet të bëhen përsëri  protesta ne Shkup, Tirane e gjetkë?
Albi Bardhi:Nuk duhet mbështetur vetëm tek protestat duhet shikuar dhe gjetur forma të tjera legjitime, duhet të sensibilizoni më shume opinionin publik atje, të kërkoni dhe mbështetjen e qytetareve Maqedonas. Ju duhet të kërkoni referendum lokal për të gjithë ato zona qe preken nga devijimi i lumit Radika, dhe pasi te merrni përgjigje zyrtare që projekti nuk do të realizohet t’i kërkoni qeverisë së Maqedonisë që të kërkoj falje publike për çdo shqetësim qe ju ka sjellë. Kam shpresën dhe besimin se kjo çështje do te zgjidhet.

Lajme të ngjashme

Back to top button