Avioni u copëtua në ajër, pjesë të tij dhe sende personale pluskojnë mbi det

Pjesë të avionit egjiptjan, të zhdukur një ditë më parë me 66 persona në bord, janë gjetur duke pluskuar në Mesdhe. Ishte zëdhënësi i ushtrisë egjiptjane, gjenerali i brigadës Mohammed Samir, ai që e bëri njoftimin duke e shoqëruar me informacionet se, përpos copave të “Airbusit A320” janë diktuar edhe objekte personale. Mbetjet u zbuluan 290 km larg Aleksandrisë, transmeton TCH.

“Mbetjet janë parë orët e para të ditës së sotme”, shkroi Samir në faqen e tij në Facebook. Edhe “Egypt Air” konfirmon përmes “Twitter”-it, por nga autoritetet greke nuk ka ende asnjë koment zyrtar. Kërkimet tani po përqëndrohen te gjetja e regjistruesit të zërit dhe atij të të dhënave të fluturimit.

Në operacion marrin pjesë njësi ushtarake greke, egjiptjane, franceze dhe britanike. Fluturimi “MS804”, i nisur nga Parisi drejt Kajros, u zhduk nga radarët pak pasi kishte hyrë në hapësirën ajrore egjiptjane.

Sipas zyrtarëve në Athinë, të dhënat e radarëve tregojnë se “Airbusi A320” ka bërë dy kthesa të befta në ajër, duke u rrotulluar një herë 90 gradë në të majtë, pastaj 360 gradë në të djathtë, e në fund ka rënë pikiatë në det nga më shumë se 7.620 metra lartësi.

Pjesa më e madhe e pasagjerëve ishin egjiptjanë dhe francezë. Sipas ministrit egjiptjan të Aviacioni Civil, gjasat që ky të ketë qenë një akt terrorist janë më të mëdha se ato të një difekti teknik.

Në komisionin e Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, në Shtetet e Bashkuara, pranohet se avioni mund të jetë copëtuar që në ajër, por arsyeja mbetet e paqartë. Edhe ministri i Jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault tha sot se, deri tani nuk ka absolutisht asnjë të dhënë që të tregojë përse u rrëzua avioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button