TIKA ofron mbështetje për shkencën dhe kulturën në Shqipëri

Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) i ka ardhur në ndihmë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke restauruar godinën e “Librit Akademik”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e inaugurimit merrnin pjesë ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, drejtori i Akademisë së Shkencave, Muzafer Korkuti, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Prof. Dr. Birol Çetin, akademikë dhe studiues të shumtë.

Në fjalën e tij përshëndetëse ambasadori i Turqisë në Tiranë, Bayraktar, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e studimeve dhe shkencave. Duke dhënë shembullin e lançimit të automjetit të garave që punon me energji elektrike nga Universiteti Trakya në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës dhe organizimit të simpoziumit me temë “Sami Frashëri vlerë e dy popujve”, Bayraktar ka uruar vazhdimësinë e bashkëpunimeve të mëtejshme në fushën e shkencave dhe e ka quajtur këtë fushë si më të rëndësishmen.

“Jemi shumë të lumtur që përurojmë këtë godinë që është pjesë e institucionit kryesor shkencor në vend”, është shprehur ai.

Pas fjalimeve përshëndetëse Koordinatori i TIKA-s, Çetin dhe Drejtori i Akademisë së Shkencave, Korkuti kanë prerë shiritin e inaugurimit të godinës së “Librit Akademik”.

Më pas të pranishmit kanë patur mundësinë të shohin nga afër ambientet e rikonstruktuara dhe librat e vendosur në të.

Në një deklaratë për AA ministrja e Kulturës, Kumbaro, theksoi se kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme dhe kulturore për shkak se është një hapësirë libri.

Ajo ka theksuar se shtimi i një hapësirë të re për librin në kryeqytet është një hap drejt emancipimit.

Duke e cilësuar si një pikë të fuqishme këtë hapësirë edhe për bashkëpunimin në fushën e librit me Kosovën, Kumbaro tha se godina ka një rëndësi akoma më të veçantë kur ajo është pjesë e trashëgimisë kulturore pasi është cilësuar si monument kulture i kategorisë së parë.

‘’Gjithë ky aset librash ndodhej në kushte shumë të këqija. Falë kontributit dhe punës me Agjencinë TIKA besoj që kemi bërë një punë të mirë jo vetëm për librin dhe trashëgiminë kulturore, por edhe për një hapësirë të këndshme për qytetin e Tiranës”, – u shpreh ministrja Kumbaro.

Ministrja bashkëpunimin me TIKA-n e ka konsideruar të suksesshëm në tre vitet e fundit.

“Jemi duke punuar në disa kantiere me Agjencinë TIKA. Kemi punuar në disa objekte kulti si në Berat dhe Elbasan. Jemi duke punuar për restaurimin e xhamisë së Plumbit në Shkodër që është një projekt shumë interesant, por gjithashtu edhe i vështirë që kërkon angazhim shumë të madh. TIKA bashkëpunon ngushtë me Institutin e Monumenteve të Kulturës, por besoj që sfida jonë më e madhe është projekti i Kalasë së Gjirokastrës në të cilin kemi dy vite që punojmë”, ka deklaruar Kombaro.

Ndërsa Koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Çetin falënderoi të pranishmit dhe në veçanti ministren Kumbaro për pjesëmarrjen dhe më pas dha detaje mbi projektin e restaurimit të kësaj godine.

“Kjo është një godinë historike që i përket viteve 1920. Ishte në një gjendje shumë të keqe. Çatia kishte rënë. Për një periudhë prej 2 muaj e gjysmë arritëm të restauronim këtë ambient. Për vetë faktin që ishte një godinë historike morëm leje edhe nga Ministria e Kulturës. U bë shumë mirë, si për kolegët e mi shqiptarë ashtu edhe për lançimin e veprave të Akademisë së Shkencave pasi këtu është bërë edhe një sallë ku anëtarët e Akademisë mund të mblidhen. Ndërkohë në muret e sallës vendosëm edhe fotot të akademikëve të mëparshëm në mënyrë që të mos harrohen. Ky është një fillim pasi ne mendojmë të restaurojmë edhe godinën kryesore të Akademisë e cila ka qenë njëkohësisht edhe godina e parë e Parlamentit të Shqipërisë si dhe shtëpia e Mbretit Zog”, – u shpreh Çetin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button