Fleckenstein: Nëse s’e miratoni reformën brenda qershorit, pasojat janë të tmerrshme

Eurodeputeti Knut Fleckenstein ka deklaruar sot se “do të jenë tmerrshme pasojat” për anëtarësimin e Shqipërisë në BE nëse nuk miraton brenda qershorit, reformën në drejtësi. Ai shpjegoi edhe arsyen pse.

“Unë natyrisht nuk jam një politikan shqiptar, i takon atyre të vendosin vetë por ata e dinë të gjithë se nëse nuk vendosin deri në fund të qershorit, kjo do të ketë pasoja të tmerrshme për fillimin e negociatave për anëtarësim, sepse, edhe pse s’më pëlqen tua them duhet ta dini se pak më vonë nis fushata zgjedhore në Francë, pastaj zgjedhjet në Gjermani dhe ky nuk është një moment i mirë për të nisur negociatat. Sepse fokusi i BE-së natyrisht është tek kriza e refugjatëve, kriza e euros, kemi aq shumë probleme në shtëpinë tonë që nuk i kemi zgjedhur ende. Kjo është arsyeja pse i bëj thirrje të gjithë politikanëve të gjejnë një zgjidhje TANI. Parlamenti Europian është institucioni që ka qënë gjithnjë në favor të anëtarësimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE, ndaj dhe na lejohet tu kërkojmë atyre (politikanëve shqiptarë) që të veprojnë tani.”

Sipas Fleckenstein, “në fakt që tani procesi është në shpejtësi maksimale. kam pikërisht këtë përshtypje kur flas me palët, pra që ata duan të arrijnë diçka. Ata ende debatojnë për detajet, çka është mëse e natyrshme por unë mendoj se ka ardhur koha për të marrë vendime, ndaj shpresoj që deri maksimumi në fund të qershorit, të gjitha këto vendime të merren.”

“Shpresoj që qasja e re nga Partia Demokratike të jetë pak a shumë me atë çka kemi deri tani në tryezë prej muajsh tani por mbase me disa ide shtesë. Unë nuk jam në dijeni se çfarë përmban ky propozim i PD-së dhe çfarë do të thotë kjo për diskutimet për reformën. Por mendoj që pas kaq shumë diskutimesh me të gjithë ekspertët, me Komisionin e Venecias, tani është vërtët koha që të gjithë politikanët të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të votojnë këtë reformë, sepse nuk mendoj se pas një viti situata do të jetë ndryshe. Ndaj ata duhet të vendosin tani të gjithë sëbashku…

Nëse vazhdoni të diskutoni pafundësisht dhe pastaj të paraqisni propozime të reja, apo ide të reja, pastaj edhe pala tjetër ka ide të reja, nuk mendoj se kjo do të sjellë zgjidhje më të mira.”

Eurodeputeti vërejti se disa njerëz të fuqishëm po përfitojnë nga kjo situatë: “Nuk mund tju them emra, por mund t’ju them se gjithmonë në procese të tilla, ata që po përfitojnë nga situata aktuale pa gjykatës të pavarur dhe pa reformë, janë pikërisht ata që nuk duan që të ndryshojnë asgjë.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button