Skandali i jetimores në Shkodër, arrest me burg për 5 shtetase

Gjykata dha masën arrest me burg për 5 shtetaset e përfshira në skandalin e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, njofton Top Channel.

Albana Llazani, ish-drejtoreshë e qendrës, Rafaela Camaj, Shpresa Nishani, Najada Rramolli dhe Violeta Marku, punonjëse në këtë qendër, akuzohen për shpërdorim detyre dhe keqtrajtim të miturish. Prokuroria ka paraqitur si prova aktet e ekspertimit mjeko-ligjor e përgjime ambientale e telefonike

Akuzat mbi to ishin ngritur nga prokuroria e rrethit për shpërdorim detyre, si dhe keqtrajtim të të miturve.

Por ajo çka është më e rënda në gjithë këtë histori është se, për shkak të neglizhencës së këtyre kujdestareve, tre të mitura kanë rënë pre e abuzimeve seksuale.

Skandali është zbuluar nga institucioni i Avokatit të Popullit. Në një raport që ky institucion i dërgoi prokurorisë vendore, të cilin e ka siguruar Top Channel, kishte deklarata tronditëse të fëmijëve të abuzuar seksualisht dhe fizikisht.

Fëmijët, që ishin marrë në intervista nga punonjës të specializuar të institucionit të Avokatit të Popullit, tregonin për dhunë që i kalonte kapacitetet njerëzore. Rrahje me shkopinj druri dhe këmbë karrikesh.

Vajza të mitura 10 vjeçe, të cilat detyroheshin me dhunë të lanin të gjithë institucionin e jetimores, sjellje të rënda dhe diskriminuese ndaj fëmijëve rom dhe dhunë të vazhdueshme psikologjike ndaj fëmijëve.

Raportit që përmban kushte tejet të rënda për jetimët i shtohet edhe abuzimi seksual i tre vajzave të mitura. Gjatë eksursioneve të bëra në Razëm dhe Velipojë, të organizuar nga jetimorja, i janë bashkuar grupit dy fëmijë të punonjësve të institucionit, të cilët kanë abuzuar seksualisht me të miturat.

Duke qenë jashtë kontrollit të edukatoreve, ata kanë arritur të kryejnë abuzimet e tyre. Prokuroria e Shkodrës ndërmori menjëherë veprimet hetimore pas këtij raporti, nga të cilat rezultoi se të gjitha pretendimet e ngritura nga Avokati i Popullit rezultonin të vërteta.

Aktet e ekspertimit dëshmojnë se, tre vajzat e mitura janë abuzuar seksualisht dhe defloruar. Policia ekzekutoi menjëherë pesë fletarrestet e nxjerra nga prokuroria për ish-drejtoreshën dhe katër punonjeset e kësaj qendre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button