Serbia akuzohet se nuk po bashkëpunon me Gjykatën e Hagës

Vendimi i një gjykate serbe për të mos ekstraduar tre anëtarë të Partisë Radikale Serbe, të cilët kërkohen për kanosje të dëshmitarëve në Gjykatën e Hagës, ka shkaktuar akuza për mungesë bashkëpunimi nga Kroacia.

Zëvendëskryeministri Tomislav Karamarko të enjten akuzoi Serbinë për mungesë bashkëpunimi me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, duke refuzuar ekstradimin e tre anëtarëve të kërkuar të Partisë nacionaliste Radikale Serbe.

Karamarko tha se Kroacia u desh të ekstradonte gjeneralët e saj Ante Gotovina, Mladen Markaq dhe Ivan Cermak në ICTY, edhe pse kjo gjë “i shkaktoi shumë dhimbje në zemër”.

 “Serbia nuk mund të veprojë në një mënyrë që shkel standardet e BE-së,” tha ai.

Ai paralajmëroi se Serbia “nuk duhet të dështojë për të zgjidhur çështje të tilla” nëse dëshiron mbështetjen e Kroacisë gjatë procesit të pranimit të saj në BE.

Kroacia muajin e kaluar bllokoi Serbinë në hapjen e negociatave të saj me Brukselin për kapitujt 23 dhe 24 të legjislacionit të BE-së që ajo duhet të miratojë gjatë procesit të saj të anëtarësimit në BE, duke cituar shqetësime mbi të dhënat e Beogradit për krimet e luftës.

ICTY tha për BIRN të enjten se deri më tani ajo nuk ka marrë asnjë informacion nga autoritetet e Beogradit në lidhje me vendimin e gjykatës serbe se tre anëtarët e Partisë Radikale Serbe – Vjerica Radeta, Jovo Ostojiq dhe Petar Jojiq- nuk mund të arrestohen dhe transferohen në Hagë për t’u gjykuar.

“Republika e Serbisë nuk i ka dhënë ende asnjë informacion zyrtar gjykatës, ICTY do të trajtojë çdo informacion të paraqitur nga Serbia në lidhje me këtë çështje,” tha ICTY në një deklaratë me shkrim për BIRN.

Radeta, Ostojiq dhe Jojiq akuzohen për shpërfillje të gjykatës dhe kërcënim të dëshmitarëve në gjyqin e liderit të tyre Vojisllav Sheshelit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY.

Ata janë akuzuar gjithashtu për shantazh ndaj dëshmitarëve të mbrojtur, si edhe se u kanë ofruar atyre ryshfet prej 500 eurosh për të mos dëshmuar në gjyqin e Sheshelit.

Gjykata e Lartë në Beograd vendosi të mërkurën se Serbia mund të arrestojë vetëm njerëzit që kërkohen nga ICTY dhe akuzohen për krime lufte, gjenocid ose krime kundër njerëzimit.

Presidenti i këshillit të Serbisë për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës, Rasim Lajiq, tha të mërkurën se vendimi i gjykatës në Beograd mund të përdoret kundër Serbisë kur një raport mbi bashkëpunimin e saj me gjykatën e krimeve të luftës në Hagë të paraqitet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së muajin e ardhshëm.

“Do të shikojmë se cili do të jetë hapi i radhës i Gjykatës. Nëse ata do të vazhdojnë t’i bëjnë presion Serbisë (Këshilli i Sigurimit i OKB-së) duke përdorur Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Brukselin,” tha Lajiq.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq iu përgjigj komenteve të Karamarkos të enjten duke thënë se ai nuk donte t’i mbanin leksione mbi politikën e brendshme të vendit të tij.

“Unë nuk do të ndërhyj në çështjet e brendshme të Kroacisë. Kështu që me shumë mirësi kërkoj që nëse duhet të merren me çështjet në Serbi, duhet të paktën të tregohen të matur,” tha Vuçiq.

Përveç se e akuzon Beogradin për mungesë të plotë bashkëpunimi me ICTY, Zagrebi dëshiron që Beogradi të ndryshojë një ligj që i jep gjykatave serbe juridiksion për të ndjekur penalisht krime lufte të kryera kudo në ish-Jugosllavi gjatë luftërave të viteve 1990, gjë e cila ai druhet se mund të përdoret për të shënjestruar kroatët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button