Legalizimi kundërligjor i “ndërtesës” fiktive

Ligji për plotësimin e ligjit për falje i sjellur dje në procedurë të shpejtë parlamentare paraqet një improvizim problematik të njëfarë “zgjidhje” të situateës së krijuar pas Vendimit të Presidentit për të falur 56 persona të sjellur me 12 Prill. Në aspektin juridik, një “zgjidhje” e tillë është e kontstueshme për më tepër shkaqe:

  1. Ligji i posasjellur dhe i pritur me shumë shpresë, aspak nuk e konteston ekzistimin në qarkullim juridik të nenit 11 të Ligjit për falje të vitit 1993. Le të përkujtohemi që Gjykata Kushtetuese me Vendimin e saj numër 97/2011-0-0 të datës 02.2012 qartë përcakton se “Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente të kryejë funksion ligjdhënës dhe të sjellë dispozita ligjore duke kthyer në fuqi ato dispozita të cilat tani më nuk janë në qarkullim juridik”. Kjo do të thotë që neni 11 i Ligjit për falje i shlyer në vitin 2009, tani më nuk ekziston. Kështu, TË GJITHA 41 Vendimet për falje të Presidentit janë juridikisht të pavlefshme pasi që bazohen pikërisht në këtë nen. Ligji i saposjellur jo vetëm që nuk e konteston ekzistimin e nenit 11, përkundrazi, ai e “mbindërton” atë nen me një nen plotësues 11-a, që juridikisht është e pamundur: në çfarë mënyre mund të plotësohet zgjidhja juridike e cila tani më nuk ekziston? Me këtë veprim, Kuvendi, thënë më saktë shumica qeverisëse, në vend që të sjellë një interpretim autentik për qartësimin e “dilemave” rreth nenit 11 dhe qartë të vërtetojë që ky është një nen i pavlefshëm, ai në fakt e legjitimon në mënyrë të kundërligjshme ekzistimin e nenit të kontestuar, madje shkon më tej duke e mbindërtuar të njejtin me nenin plotësues 11-a. Një veprim i tillë është identik me mbindërtimin e një shtëpie të shembur e cila tani më nuk ekziston. Sjellja e nenit 11-a në fakt paraqet ndërtimin e katit të dytë kur kati i parë dhe përdhesa janë shembur dhe nuk ekzistojnë. Çfarë ndërtese e çuditshme do të ishte ajo ku kati i dytë qëndron në ajër?! Ashtu si që ekzistimi i një ndërtese të tillë është fizikisht i pamundur, në të njëjtën mënyre edhe sjellja e nenit 11-a është juridikisht e pamundur e megjithatë e realizuar nga ana e të vetmit dhe më të lartit institucion ligjdhënës në këtë shtet. “Liza në botën e çudirave” gjithnjë e më tepër duket si një tregim i vërtetë në krahasim me realitetin ku jetojmë.
  2. Neni i tillë 11-a tani parashikon njëfarë mundësie juridike që Presidenti të mund t’i tërheqë faljet e dhëna pa procedurë paraprake (të cilat edhe ashtu nuk ka mundur t’i japë) vetëm për personat që do të kërkojnë prej tij një gjë të tillë. Një falje juridikisht e pavlefshme nuk mund të tërhiqet në këtë mënyrë nga ana e institucionit që atë e ka sjellur. Një falje juridikisht e pavlefshme duhet të shpallet si e pavlefshme në të gjitha 41 rastet nga ana e sjellësit të atij vendimi me ose pa interpretim autentik të dhënë nga Kuvendi. Nuk mund të lejohet që një falje juridikisht e pavlefshme të jetë më pak e pavlefshme për disa dhe më shumë e pavlefshme për disa të tjerë. Falja e pavlefshme është e pavlefshme për të gjitha rastet e jo vetëm për ato ku të falurit reagojnë.
  3. Esenca e kërkesës për tërheqjen e faljes së pavlefshme të Ivanovit e cila reflektohet paralelisht edhe tek qytetarët që tani më një muaj protestojnë palodhshëm kundër drejtësisë selektive por edhe tek deklaratat e fuqishme të përfaqësuesve ndërkombëtarë, nuk bazohet ekskluzivisht tek mudësia që personat e falur ta shfrytëojnë të drejtën e tyre për gjykim fer dhe të paanshëm: e drejta e tillë është e drejtë personale e çdo njeriu që në këtë kontekst poashtu e ka rendësinë e vetë. Megjithatë, nuk mund të harrohet fakti që thelbi i kërkesës për tërheqjen e këtyre faljeve qëndron në atë se një falje e paligjshme nuk guxon dhe nuk mund të ketë veprim juridik për asnjë person të falur në mënyrë të tillë të kundërligjshme.
  4. Çdo lloj vendimi lidhur me faljen duhet të arsyetohet në detaje. Në nenin 11-a tani më të sjellur qartë thuhet që Presdienti nuk është i obliguar ta arsyetojë terheqjen e faljes së dhënë. Mungesa e arsyetimit i jep Presidentit të drejtë diskrecioni për një institut shumë të rendësishëm juridik i cili po qe se keqpërdoret në këtë mënyrë (si që është keqpërdorur tani më) shkon në kundprshtim të plotë me parimin e sundimit të së drejtës dhe ndarjen e pushtetit.
  5. Vlefshmëria kohore e këtij ligji është poashtu problematike pasi që lidhet me sjelljen e tij dhe jo me vetë aktin e faljes. Pra me ligjin e sjellur dje përcaktohet se personi i falur në afat prej 30 ditësh nga dita e sjelljes së këtij ligji ka të drejtë të kërkojë tërheqjen e së njejtës ndërsa Presidenti në këtë rast obligohet që t’a tërheqë faljen. Në deklaratën e tij publike me të cilën Ivanov u mundua pa sukses t’a sqarojë veprimin e tij jologjik dhe kundërligjor, ai tha që do të veprojë në mënyrë të njejtë edhe me rastet e ngjashme që do të paraqiten në të ardhmen. Çka do të ndodhë nëse ai vendos që pas 30 ditësh t’a falë përsëri të njejtin person ose persona tjerë? Do të sillet Ligj i ri plotësues me nen tjetr 11-b që do të mundësojë një gjë të tillë?!

Për këto arsye zgjedhja e problemit assesi nuk duheshte të kërkohet në plotësimin e një neni joekizistues të ligjit por ajo zgjidhje duhej të kërkohet aty ku tani më ekziston: Faljet e Prillit duhet të shpallen të pavlefshme dhe si të tilla të tërhiqen pasi që bazohen në nen joekzistent të Ligjit për falje. Me improvizime të këtilla dhe tentime që vetëm formalisht dhe sipërfaqësisht të zgjidhen problem thelbësore vetëm e gënjejmë vetëvehten se jetojmë në njëfarë pallati ëndrrash i cili në realitet ka kohë që është rrënuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button