fbpx

TAP – një TOP për shqiptarë

Dekadave të fundit janë zhvilluar beteja të ashpra në mes magnatëve energjetikë dhe politikë botëror për atë se kush do të jetë patron i tubacioneve gazpërçuese në Ballkan. Ky pozicion nuk nënkupton vetëm favore financiare nga shfrytëzimi i resurseve energjetike dhe nga tranzitimi i tyre, por edhe shumë më tepër në aspekt gjeopolitik.

Fillimisht, në konkurrencë ideore për rajonin e Ballkanit u futën dy projekte të mëdha gazpërçues – projekti “Rrjedha Jugore” (South Stream) dhe “NABUCCO”. I pari ishte projekt rus përmes “Gasprom”-it, kurse i dyti projekt evropian. “Rrjedha Jugore” do të transportonte gazin natyror përmes Turqisë, Bullgarisë, Serbisë, Hungarisë dhe do të përfundonte në Austri, ku do të kyçej në rrjetin e dendur të Evropës qendrore dhe perëndimore. Edhe “NABUCCO” do të kalonte nëpër këto shtete, me atë që do ta anashkalonte Serbinë, me siguri për qëllime shmangieje një Serbie akoma jo të stabilizuar në rajon. Por, ky i fundit pati dështuar në momentin kur gjiganti energjetik “BP” (British Petroleum) u pat tërhequr nga ideja.

Në ambient të relaksuar politik në mes Rusisë dhe shteteve Perëndimore “Rrjedha Jugore” ruse u imponua si projekt serioz realizues. Madje në Bullgari filluan punimet e para për realizimin e tij. Por, me rastin e acarimit të dukshëm të marrëdhënieve Rusi – Perëndim lidhur me Ukrainën, e në veçanti me aneksimin e Krimesë nga Federata Ruse, si dhe me fillimin e luftës në lindje të këtij shteti, pasoi acarim i dukshëm në marrëdhëniet e përgjithshme Rusi – Perëndim. Kjo drejtpërdrejtë goditi projektin “Rrjedha Jugore”. Fakt se “Rrjedha Jugore” dukshëm do ta forconte pozicionin e Rusisë dhe Serbisë në Ballkan dhe Evropë, kur ta kemi parasysh se rreth 10 përqind e nevojave evropiane për gaz do të tranzitonin përmes projektit në fjalë. Kjo domosdo do të ndikonte edhe në politikëbërjen e më shumë shteteve ballkanike.

Idea mbi Gazsjellësin Trans-Adriatik – TAP doli që në vitin 2003 nga kompania zvicerane “EGL GROUP” (tani “Axpo”), e cila tri vite më vonë realizoi një studim fizibiliteti. Lidhur me rutën e saj u patën shtruar dy alternativa. E para, nga Turqia, përmes Bullgarisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë, kurse proekti do të përfundonte në Italinë jugore. E dyta, nga Turqia përmes Greqisë dhe Shqipërisë jugore dhe ruta do të përfundonte në Itali (Brindizi). Në 13 Shkurt 2008, “EGL Group”dhe kompania norvegjeze “Statoil” nënshkruan marrëveshje për angazhim të përbashkët në dhënie përkrahje ndërtimit të projektit TAP dhe operimit me të. Projekti për transportimin e gazit për në TAP, do të bëjë transportimin e gazit natyror nga Azarbejxhani, pra nga fushat e gazit “Shah Deniz II”, përmes mega-gazpërçuesit ekzistues turk TANAP (Trans-Anatolian Natural Gas Pipeline) dhe do të lidhet me gazsjellësin TAP në kufirin greko-turk.

tap

Komisioni Evropian pat vlerësuar se projekti TAP dukshëm do të ndikojë, jo vetëm në diverzitetin e furnizimit me energji të Evropës pa e dëmtuar konkurrencën në tregun e përbashkët, por edhe në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale.

Qeveria e Shqipërisë i pat dhënë përkrahje të pa rezervë projektit TAP duke e konsideruar si proektin më të madh në Ballkan në 100 vitet e fundit. Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) do të kalojë përmes veriut të Greqisë, jugut të Shqipërisë dhe përmes tubave nën det në Adriatikun jugor do të kyçet në rrjetin evropian të gazsjellësve në jugun e Italisë (në Brindizi). Ky projekt dukshëm do të ndikojë në dinamizimin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, e cili nga ky gazsjellës do të përfitojë mbi 15 mijë punësime të reja në pesë vitet e ardhshme dhe mbi një miliard euro do të fitojë nga taksa e tranzitimit në 20 vitet e ardhshme.

Nga 878 kilometra gjatësi e përgjithshme e gazsjellësit TAP – 550 kilometra do të kalojnë nëpër Greqi, 215 kilometra nëpër Shqipëri, 105 kilometra nën Detin Adriatik, dhe 8 kilometra në brendi të Italisë. Kapaciteti i TAP do të jetë rreth 10 miliardë metra kub gaz natyror për vit. Sa i përket fuqisë financiare, pas gazsjellësit TAP qëndrojnë kompani të fuqishme financiare me renome botërore. Duhet potencuar se për momentin si aksionarë të proektit gazsjellës “TAP” janë kompanitë: – “BP”, “Socar”. “Snam”, “Fluxys”, “Enagas”, dhe “Axpo”. 

 

Krahët e gazsjellësit TAP

Tani për tani projekti TAP parasheh dy krahë të vetat. Krahu i cili lidhet në tubin kryesor të gazsjellësit TAP në Greqi dhe vazhdon për në Bullgari (180 kilometra i gjatë), dhe i cili mandej parashihet të vazhdojë përmes Rumanisë dhe Hungarisë në drejtim të Evropës qendrore. Kurse krahu i dytë, i ashtuquajturi  – IAP (Ionian-Adriatic Pipelines), pra Gazsjellësi Adriatik–Jon, parashihet të ndërtohet në gjatësi prej 516 kilometra, e që do të furnizonte Malin e Zi, Bosnjën e Hercegovinën dhe Kroacinë, kurse një shtesë e këtij krahu do të kalonte përmes Maqedonisë dhe Kosovës.

Në veçanti Mali i Zi është tejet i interesuar për projektin IAP, jo vetëm për qëllim të furnizimit nga ky gazsjellës me çmim më të ulët se shumë burime tjera, por njëherit ky shtet në vazhdimësi angazhohet  për realizimin e proektit TAP dhe në koordinim me disa shtete fqinje, në veçanti me Kroacinë dhe Bosnjën e Hercegovinën. Mali i Zi synon ta fuqizoi pozicionin e vet tranzitues për në vendet fqinje, që nënkupton favore të mëdha finasiare dhe politike.

Natyrisht se peshë shumë të madhe ka lidhja edhe me Maqedoninë dhe Kosovën, rutë e cila do të hynte në afërsi të Strugës dhe përmes Maqedonisë perëndimore do të dilte në Kosovë, e pastaj do të vazhdonte për në Serbië (e njohur si WBR – Western Balkan Ring). Një lidhje e tillë pa dilemë se dukshëm do ta relaksonte ambientin politik në rajon, e në veçanti në mes Kosovës dhe Serbisë. Njëherit e gjithë kjo Shqipërinë do ta shndërronte në epiqendër energjetike ballkanike, prej ku edhe dukshëm do të forcohej relevanca e saj gjeopolitike në dimenzione rajonale, por edhe Evropiane.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close