Mustafa: Demarkacioni ratifikohet para se Brukseli të votojë liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa beson se nuk do të paraqiten komplikime në Kuvend sa i përket ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e zi për Demarkacion.

Kjo për faktin se sipas tij do të futeshim në një fazë që do ta rrezikonte liberalizimin e vizave, por edhe partneritetin tonë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri Isa Mustafa, gjithashtu i ka ftuar liderët opozitar që nëse kanë dokumentacion që e dëshmon se Kosova po humb territor, ta paraqesin atë.

Ja intervista e plotë:

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, bazuar në deklaratat e fundit të komisionerit Johanhes Hahn, Kosova duhet të plotësojë edhe kushtin e fundit para se qytetarët e saj të mund të lëvizin lirshëm, pa viza drejt vendeve të BE-së. Më konkretisht, është fjala për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Andaj si mendoni ta finalizoni këtë çështje apo problematikë nëse mund ta quajmë tashmë?

Isa Mustafa: Mendoj se duhet t’i propozohet Kuvendit të Kosovës marrëveshja për Demarkacionin e kufirit. Ajo është nënshkruar vitin e kaluar në Vjenë, ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Malit të Zi. Paraprakisht është punuar për gati tri vjet nga komisioni shtetëror. Është bërë një punë shumë studioze, një punë mjaftë e madhe dhe e qëndrueshme, sepse jemi munduar që ta verifikojmë edhe gjatë kohës kur komisioni ka punuar për të parë se a janë shterur të gjitha dokumentacionet, të gjitha mundësitë, të gjitha hartat dhe të gjitha procedurat në mënyrë që ai propozim të vjen në qeveri.

Në fund ishte konstatuar nga ana e komisionit se ata e kanë përfunduar dhe e kanë përmbyllur tërë punën e tyre. Më vonë ka pasuar edhe një interesim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që edhe ata ta shohin hartën elektronike dhe ta japin opinionin e tyre lidhur me këtë çështje. Në bazë të deklarimit të Departamentit të Shtetit, ka dalë se është vija kufitare mbi të cilën ishte pranuar pavarësia e Kosovës.

Meqenëse kishte shumë vërejtje nga opozita, sidomos nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ish-presidentja Atifetej Jahjaga pati marrë nismën që të themelonte edhe një grup të ekspertëve ndërkombëtar që ta rishikojnë edhe njëherë dhe ta vlerësojnë nëse komisioni i ka përfillur të gjitha procedurat dhe dokumentacionin ligjor. Sërish ishte dhënë i njëjti mendim, pra se vija është caktuar aty ku ka qenë edhe kufiri i dikurshëm administrativ që ka nda ish-Krahinën e Kosovës dhe Malin e Zi (në ish Jugosllavi).

Mendoj se i kemi shterur të gjitha mundësitë. Tani kemi edhe një deklaratë të qeverisë së Malit të Zi që ata janë të gatshëm që nëse ka argumente atë ta marrin parasysh. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se tash ka kohë dhe ka argumente që edhe njëherë të hapet çështja e bisedimeve në lidhje me demarkacionin. Prandaj, mendoj se ky dokumentacion që është dhe kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvend nga deputetët e Republikës së Kosovës. Mali i Zi tashmë e ka ratifikuar.

Ne nuk kemi asnjë kontest shtetëror me Malin e Zi e as kontest kufitar. Çështjet janë më tepër individuale. Mendoj se ratifikimin duhet ta bëjmë para se Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian të votojë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Sa ka shqetësime në Qeverinë e Kosovës në lidhje me sigurimin e 80 votave të nevojshme nga deputetët, për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje?

Isa Mustafa: Po ne duhet të punojmë me deputetët, me të gjitha grupet parlamentare, duhet të ulemi dhe t’i argumentojmë gjërat. Është me rëndësi që të mos mbizotëroj politika populiste nga individë dhe grupe të ndryshme, por të dominoj arsyeja, sepse askush në Kosovë nuk ka arsye që asnjë metër katror t’ia falë një vendi tjetër, pra as Malit të Zi. Fundi i fundit, Mali i Zi nuk ka kërkuar asnjë metër katror nga Kosova, mirëpo është punuar dhe vërtetuar se ajo është vija ndarëse ndërmjet të dy shteteve.

Asgjë nuk ka ndryshuar në pikëpamje të relievit. Këtu ne nuk kemi të bëjmë me caktimin e kufirit të ri, por vetëm me ri-shënimin e vijës e cila ka qenë si vijë ndarëse përpara e Republikës së Malit të Zi me Kosovën në ish-Jugosllavi, e cila atë kohë ka qenë Krahinë Autonome.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë gjasat që çështja të përfundojë në Gjykatën e Arbitrazhit nëse paraqiten komplikime në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes?

Isa Mustafa: Tash unë do të besoja dhe kam arsye të besoj se nuk do të paraqiten komplikime në Kuvend, sepse do të futeshim në një fazë që do ta rrezikonte liberalizimin e vizave, por edhe partneritetin tonë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sa kam njohuri, Mali i Zi tashmë nënshkruan marrëveshjen për pranim në NATO. Do të thotë kemi të bëjmë me një vend me të cilin ne nuk mund të sillemi si të duam apo ta të sillen me ne si të duan me çështjen e kufirit, sepse dihet se si vihen dhe si konsiderohen kufijtë ndërmjet shteteve të NATO-s.

Mendoj se nuk duhet të rrezikojmë në këtë aspekt. Duhet të sillemi në mënyrë koshiente. Duhet të respektojmë vetveten, por edhe shtetet fqinjë dhe procedurat të cilat janë zhvilluar.

Radio Evropa e Lirë: A do ta ftoni edhe opozitën në konsultime para se çështja e ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacion të procedohet për në Kuvendin e Kosovës?

Isa Mustafa: Por ne u munduam edhe në takim që e patëm me komisionarin Hahn, në tryezën e përbashkët me krerët e opozitës që të bisedojmë. Ata do të thotë këmbëngulin në qëndrimet e tyre. Kjo është e drejtë e tyre që të sillen ashtu dhe të këmbëngulin.

Por ne do të vazhdojmë t’i ftojmë të bisedojmë dhe nëse ata kanë dokumentacion konkret se ndonjë pjesë e Kosovës për të cilën qytetarët, kompanitë publike, private apo edhe ato ish-shoqërore e kanë administruar si tokë në Kosovë dhe e kanë pasur të regjistruar në librat kadastral dhe kanë paguar tatime në Kosovë dhe tash ato kalojnë në Malin e Zi dhe duhet të rregullojnë dokumentacionin në Malin e Zi.

Pra, për këto duhet të tregojnë dokumentacion. Do të thotë këto janë çështje që duket, që shihen, që preken por edhe që zgjidhen, sepse askush nuk do të lejoj që sipërfaqe të tilla dhe prona të tilla të kalojnë atje. Këtë duhet ta ketë parasysh edhe opozita. Por të thirresh vetëm në çështje historike, të kaluarës që varrezat kanë mbetur andej kufirit, për fat të keq varrezat e shqiptarëve në shumë rajone, kanë mbetur jashtë kufijve që tani i ka Kosova, qoftë me Serbinë, Malin e Zi e vende tjera. Kufijtë historik është shumë vështirë që tani ti ri-rregullojmë dhe ti hapim si çështje të tanishme.

Në dialogun me Serbinë përfshihen Kuvendi dhe zyra e Presidentit

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të kalojmë në një çështje tjetër. Ju kemi dëgjuar këto ditë të flisni për një format tjetër të vazhdimit të dialogut me Serbinë. Për çfarë formati bëhet fjalë?

Isa Mustafa: Unë konsideroj që ekziston nevoja që të kemi sa më shumë palë të interesuara, të kyçura në këtë pjesë të dialogut edhe nga Zyra e Presidentit të Kosovës edhe nga Kuvendi i Kosovës në mënyrë që gjërat të sqarohen para se të arrijnë në Kuvend apo para se të plasohen para opinionit. Por, domosdo mendoj se do të ishte shumë e dobishme që t’i kemi edhe përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërisë civile në këtë proces, sidomos në proceset përgatitore, profesionale.

Në këtë mënyrë i gjithë procesi do të lehtësohej në pikëpamjen e vendimmarrjes. Kjo do të ndihmonte edhe në pikëpamjet e procedurave dhe agjendës së dialogut me Serbinë që do ta bëjmë me ndërmjetësim të Brukselit. Do të shohim se sa do të gjejmë vullnet në këtë aspekt. Por, gjithsesi ne duhet të vazhdojmë me dialogun. Është e vetmja alternativë të cilën ne e e kemi zgjedhur dhe nuk kemi tjetër alternativë pos bashkëpunimit dhe partneritetit tonë evropian dhe amerikan në zgjidhjen e këtyre problemeve.

Radio Evropa e Lirë: Nëse do t’i bënit një rezyme, të përgjithshme sipërfaqësore, ku ka mbetur çështja e Asociacionit, ku kanë mbetur çështjet tjera, të funksionalizimit të gjykatave në veri, ku i shihni ngecjet kryesore të dialogut?

Isa Mustafa: Sa i përket gjykatave mendoj se jemi në një proces dhe ai proces është në përmbyllje, edhe sa i përket gjykatave dhe prokurorisë, ndërkaq ka ngecje shumë të madhe sa i përket funksionimit të strukturave paralele të Serbisë, se këto struktura Serbia i mban edhe në komuna ku ka kryetarë të Listës Serbe, dhe shtrohet pyetja pse? Edhe ata janë në ndikimin e plotë të Beogradit, edhe në disa kompani që i konsiderojnë si kompani të tyre apo struktura të ndryshme.

Është arritur te integrimi i organeve të sigurisë që kanë vepruar në veri, mbi 400 i kemi integruar në organet e ndryshme shtetërore të Kosovës, dhe praktikisht është zhbërë Mbrojtja Civile që ka qenë në veri të vendit, por ka probleme tani sepse nuk po lëvizin gjërat mirë sa i përket rikonstruktimit të urës mbi lumin Ibër, në mënyrë që ashtu siç është parë, në fund të qershorit, të funksionalizohet dhe të ketë kalim të papenguar në mes pjesës jugore dhe veriore të Mitrovicës.

Po pengohet edhe kodi telefonik nga ana e Serbisë, ishte paraparë që të ndodhë shumë më herët, ka probleme sa i përket marrëveshjes për energjinë dhe me organizatat tjera që janë të lidhura me sistemin e energjisë.

Ndërkaq sa i përket Asociacionit ne kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ne mbesim të përkushtuar që procedurat tjera të Asociacionit të bëhen ashtu siç Gjykata Kushtetuese na ka udhëzuar me vendimin e saj. Ka interpretime të ndryshme, opozita thotë se ne e kemi shkelur Kushtetutën me marrëveshjen, mirëpo në fakt ajo ka qenë marrëveshje politike dhe gjykata në asnjë rast nuk ka konsideruar së ka shkelje të Kushtetutës, por vetëm se ka konstatuar se si mund të bëhet Asociacioni, duke ruajtur strukturën e Kushtetutës dhe parimet Kushtetuese që i kemi vënë.

Ne do të veprojmë ashtu si është udhëzuar, ndërkaq Asociacioni edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese është paraparë që duhet të themelohet sepse është bërë në formë juridike të Kosovës duke pasur parasysh se është miratuar me ratifikimin e Ligjit për marrëveshjen e parë e cila ka ndodhur në qershor të vitit 2013.

Tani procedurat janë që duhet edhe njëherë të riorganizohet ekipi menaxhues, e cila do të bënte draftin e parë të statutit të këtij Asociacioni që pastaj do të diskutohej në Bruksel. Jemi në këtë procedurë, do të shohim se kur mund të bëhet ky kompletim i ekipit menaxhues, mirëpo ne po ashtu kemi shtruar çështje që ne nuk mund të ecim me Asociacionin pa pasur siguri se do të përmbushen edhe detyrimet që i ka Serbia sa i përket kodit telefonik dhe energjisë, sa i përket urës mbi lumin Ibër, dhe veçmas, sinjaleve që duhet t’i japë Serbia për zhbërjen e këtyre strukturave paralele të cilat akoma po veprojnë dhe po na dëmtojnë.

Kosova dhe Serbia në BE, njëkohësisht, ose do të ketë probleme

Radio Evropa e Lirë: A i shihet fundi këtij dialogu në kuptimin e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja shteteve?

Isa Mustafa: Mendoj që kemi pasur efekte pozitive. Kemi arritur që të integrojmë popullatën serbe nga veriu i vendit në institucionet e Kosovës. Tani kemi deputet në Kuvendin e Kosovës nga veriu, kemi ministra në Qeverinë e Kosovës nga komunat veriore si dhe kemi funksionim të këtyre komunave sikurse edhe në komunat tjera dhe zbatim të ligjit dhe kritereve që i përcakton qeveria. Kështu që mendoj se ka të arritura të konsiderueshme dhe që duken qartë. Mirëpo, ka edhe pengesa mjaftë të mëdha sepse Serbia nuk po i përmbahet marrëveshjes së parë sidomos tek anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Përkundër asaj që në marrëveshjen dyja palët janë zotuar se nuk do ta pengojnë njëra tjetrën në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare ne kemi hasur në tentime të ashpra të pengimit të anëtarësimit të Kosovës në UEFA, në FIFA. Pastaj në është bllokuar dhe pamundësuar anëtarësimi në UNESCO vitin e kaluar, pavarësisht që Serbia nuk kishte asnjë përfitim. Ata jetojnë ende në ëndrra, sepse mundohen që futbollin, Federatën e Kosovës apo shkencën e Kosovës ta paraqesin si pjesë të tyre.

Do të thotë jetojnë në të kaluarën dhe ende nuk janë liruar nga ideologjia e Milosheviqit edhe pse do të duhet të lirohen sa më shpejt. Ne në të ardhmen ne duhet të mendojmë edhe për demarkacionin e kufirit me Serbinë, sepse duhet t’i hyjmë edhe atij procesi që ta zgjidhim. Duhet ti hyjmë procesit të dëmeve të luftës që na i ka shkaktuar Serbia që edhe ato ti vlerësojmë dhe të shohim se si do të kompensohen. Duhet ti bëjmë edhe disa marrëveshje tjera që kanë të bëjnë me transportin hekurudhor e ajror dhe mendoj se më pastaj duhet të vijmë në një fazë kur do të konstatonim një normalizim të marrëdhënieve i cili do të qonte në pranimin dhe njohjen e dyanshme.

Radio Evropa e Lirë: Sa nënkupton ky normalizim një anëtarësim i të dyja shteteve në Bashkimin Evropian, si një formë e njohjes së heshtur?

Isa Mustafa: Mendoj se do të ishte krejtësisht e padrejtë të shkojnë proceset përpara të integrimit evropian të Serbisë me sjelljet e tilla që i ka, sepse çdo hyrje e mëhershme e Serbisë në Bashkimin Evropian do të krijonte pengesa më pastaj në anëtarësimin e Kosovës në BE. Unë mendoj që duhet të jetë një proces i kushtëzuar dhe paralel sepse ne tani, kur Serbia nuk ka ndonjë fuqi të madhe po përpiqet të na pengoj të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare, si ato të sportit e shkencës, e lere më si do të vepronte për anëtarësimin e Kosovës në BE.

Mendësia e tillë nuk na siguron neve që Serbia do të sillet me parimet e shteteve tjera të Bashkimit Evropian. Prandaj ne do të bëjmë përpjekje maksimale që ne t’i përmbushim të gjitha kriteret tona në mënyrë që ta zëmë hapin e integrimit evropian dhe që ky integrim të jetë i njëkohshëm me Serbinë në mënyrë që të mos mbetemi ne më pastaj peng i vullnetit të Serbisë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button