A e varrosën BDI dhe VMRO-DPMNE Marrëveshjen e Përzhinos?

Edhe pas thirrjes së seancës parlamentare, dorëheqejeve të ministrave të LSDM-së, mbetet ende dilema kur do të mbahen zgjedhjet dhe vazhdimi i implementimit të Marrëveshjes së Përzhinos.

Njohësit e rrethanave politike në deklaratat e tyre për Portalb theksojnë se akti i thirrjes së Parlamentit është një truk i partive në pushtet  dhe se kjo i jep një kahje tjetër krizës politike në vend, që gjithashtu është negative. Sipas tyre, ata që e kanë përgjegjësinë dhe çelësin për zgjidhjen e krizës më shumë brengosen për rejtingun e partive të tyre.

Analisti Ibrahim Mehmeti vlerëson se ajo që ndodhi dje me Parlamentin dhe në Parlament, me shumë i ngjan një farse se sa një kthese politike e cila do të çonte kah zgjidhja e krizës.

“S’do mend se është mirë që zgjedhjet njëpartiake të 5 qershorit u anuluan, por mënyra se si erdhi deri te kjo flet se tani hapen dilema të reja te cilat mund të rezultojnë me dëshpërime të mëdha për qytetarët të cilët presin zgjidhje konkrete. Hapi i djeshëm i Parlamentit më tepër është rezultat i presionit dhe inkurajimit të ndërkombëtarëve të cilët nuk kursejnë mundin që ta ndihmojnë Maqedoninë, mirëpo në të njëjtën kohe dje në Parlament mundëm të shohim se ata që e kanë përgjegjësinë dhe çelësin për zgjidhjen e krizës më shumë brengosen për rejtingun e partive të tyre se sa për fatin e shtetit”, tha për Portalb Mehmeti.

Sipas tij, kështu si përfundoi ky episod i kësaj krize na bën të mendojmë se do të nevojitet edhe shumë punë dhe përpjekje diplomatike që situata të kthehet në binaret e normales dhe ku do te krijohen kushte të pranueshme për zgjedhje të lira, ashtu si pritet nga një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Duket i pakuptimtë ky veprim por, megjithatë këtu qëndron esenca e problemit që Marrëveshja e Përzhinos të mos implementohet në tërësi nga partnerët qeveritarë. Këtu duhet kuptuar se pse abolimi ende nuk po miratohet dhe synohet që në tërësi të gjitha çështjet të dërgohen në gjykatën e dominuar nga anëtarët e partive qeveritare”, kështu deklarohet për Portalb analisti Selim Ibraimi.

Sipas Ibraimit, kjo mund të quhet edhe si ndryshim loje në Maqedoni në mes palëve biseduese VMRO-LSDM dhe BDI.

“Ashtu siç e kemi të njohur SHBA dhe BE dolën me një qëndrim për sa u përket zgjedhjeve dhe këtu në ditët në vijim do të vazhdohet të taktizohet për përfitime maksimale pas bisedimeve të fundit me zyrtarin e lartë amerikan. Kemi shumë pak informata se çfarë përmban paketa negociuese amerikane në Maqedoni dhe si kriza do të merrte fund. Synohet rikthimi i së drejtës dhe largimi nga sfera ruse e Maqedonisë. Megjithatë kriza politike në Maqedoni ende do të vazhdojë deri në një profilizim më të qartë të faktorit politik shqiptar dhe si ata e shohin të ardhmen e Maqedonisë në kontekst të zhvillimeve më te reja. Përderisa bisedohet për veprimet e presidentit, zgjedhjet e qershorit ngelin si truk në mes VMRO-së – LSDM-së dhe marrëveshjeve shtesë në mes partive politike dhe bashkësisë ndërkombëtare që mund të lindin pas ikjes së zyrtarit amerikan”, tha për Portalb Ibraimi.

Dje Kuvendi i Maqedonisë ka mbajtur seancën e 101-të, seancë kjo e mbajtur pas shpërbërjes së Kuvendit. Me 96 vota pro deputetët në Maqedoni votuan ndryshimet në Kodin zgjedhor që nënkupton edhe shtyerjen e zgjedhjeve në afat të pacaktuar./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button