Kurtishi bëhet i Shkëndisë, bashkohet në Antali

Kryesia e Shkëndijës godet fuqishëm në ditën e fundit të merkatos dimërore duke angazhuar sulmuesin kumanovar, Mensur Kurtishin. 27-të vjeçari vjen nga radhët e Tobolit nga Kazakistani, ndërsa rikthehet në taborin ‘kuqezi’ pas 3 viteve pasi ishte pjesë e Shkëndijës në vjeshtën e vitit 2011, kur në 14 ndeshje kampionale shënoi 5 gola. 

Bëhet fjalë për futbollistë që rrjedh nga shkolla e futbollit të Rapidit të Vienës, ndërsa ka luajtur për Pardnorfin dhe Viener Neustadtin në Austri, Al Tavonin dhe Al Shaab në Arabi, pasoi periudha në Shkëndijë, prej ku kaloi në Kazakistan te Toboli. Drejtuesit ‘kuqezinjë’ të bindur për të ndërtuar një ekip të fuqishëm tani më një kohë vlerësojnë lartë Mensur Kurtishin, ndërsa arrijnë të sigurojë firmën e tij vetëm disa orë para mbylljes së merkatos në Maqedoni. 

Menjëherë pasi ka arritur akordin me drejtuesit ‘kuqezi’, Kurtishi është nisur drejt bazës së Shkëndijës në Antali, ku do t’i bashkohet pjesës së mbetur të ekipit në fazën e dytë përgatitore. Pritet që ardhja e Kurtishit të përforcojë dukshëm pjesën ofenzive të skuadrës. Mensur Kurtishi bëhet futbollisti i 9-të që këtë merkato firmos me Shkëndijën, pasi që paraprakisht si futbollistë të ri ‘kuqezi’ u prezantuan Elvir Nurishi, Stenio Marcos da Fonseca Salazar ‘Junior’, Yordan Miliev, Nuri Mustafi, Astrit Fazliu, Muhamed Useini, Demir Imeri dhe Bojan Vruçina.

Lajme të ngjashme

Back to top button