Problemet financiare po shkatërrojnë KV Shkëndijën

Vazhdimi i kampionatit në ligën e parë të volejbollit për meshkuj pritet të vazhdoj në pjesën e dytë të marsit dhe për këtë arsye pothuajse të gjitha klubet kanë filluar përgatitjet. Po çuditërisht, njëri ndër klubet e volejbollit më me përvojë në Maqedoni, Shkëndija e Tetovës, akoma nuk i ka filluar, ndërsa ajo që është edhe më e dhimbshme është se ekziston mundësia reale që kjo skuadër të shkrihet. Shkaqet e gjithë kësaj situate alarmuese në klub janë kushtet e vështira financiare.  

“Dëshirojmë të informojmë opinionin sportiv në Tetovë dhe më gjerë, se edhe pse para fillimit të kampionatit të volejbollit patëm probleme e filluam kampionatin, dhe me këto probleme që i patëm arritëm në një rezultat të themi tepër të mirë, duke mbaruar pjesën e parë të sezonit në vendin e dytë. Ndërsa. kur tash i afrohemi vazhdimit të pjesës së dytë, jam i detyruar që si kapiten të informoj opinionin se situata financiare ka arritur kupën e krejt të këqijave. Dhe, kjo është arsyeja kryesore përse ekipi nuk ka filluar me përgatitje për fillimin e pjesës së dytë të kampionatit”, tha Pëllumb Vela, duke shtuar: “Mua më vjen keq të them s’e eventualisht, nëse nuk gjendet dikush të na ndihmoj, atëherë për fat të keq do të jemi të detyruar që të mos i vazhdojmë garat”. 

Megjithatë,  është koha që edhe institucionet komunale, kompanitë publike dhe ato private të  kthejnë sytë nga kjo skuadër, që të përkrahin me të vetmin qëllim që të mos vijë deri të shkatërrimi i klubit, kur dihet se Shkëndija me rezultatet e saja ka afirmuar komunën në rrafshin vendor dhe ndërkombëtar. Shkëndija gjatë historikut 40 vjeçar fitoi titullin e kampionit, Kupën republikane, andaj Vela apelon në emër të bashkëlojtarëve: “Shfrytëzoj rastin që nëpërmjet mediave që ky të jetë si një alarm për publikun dhe për të gjithë që kanë mundësi ta ndihmojnë klubin”.

Klubi i volejbolli Shkëndija për 40 vite histori mbetet sinonim i rinisë dhe sportit në Tetovë dhe më gjerë, andaj është detyrë e institucioneve, duke filluar nga ato komunale e më lartë, kompani publike dhe private që të jenë në krahë të këtij klubi në këto momente të vështira.

Lajme të ngjashme

Back to top button