Kredibiliteti fitohet me tekste të vërtetuara, jo me shkrime “në ajër”

[Rec : Skandaloze: Menduh Thaçi ta merr Sadikin në raport për “skandalin” e shoferit të tij!]

Konfrontimi politik përmes portaleve që mbajnë krahun e partive ka marrë hovin. Shumica shkruajnë vetëm për të njollosur oponentin, duke harruar qëllimin e krijimi të profesionit të gazetarisë. Shkruhet me bindjedhe për të bindur, por pa fakte, pa argumente, vetëm tekste boshe me doza të shumta të komentimit.

Skandaloze Menduh Thaçi ta merr Sadikin në raport për “skandalin” e shoferit të tijLinku deri te artikulli origjinal: Skandaloze: Menduh Thaçi ta merr Sadikin në raport për “skandalin” e shoferit të tij!

Data dhe koha e publikimit: 25.04.2016 në 12:47

Data e recensionit: 10.05.2016

Recensuese: Ferikan Iljazi

Ky tekst që po recensojmë  duket se ka dashur ti bëjë dëm kryetarit të komunës së Studeniçanit duke e fajësuar për diçka që nuk varet nga ai. Apo, të paktën, është diçka që do kishte mundur ti ndodhë secilit. Kryetari i komunës së Studeniçanit akuzohet për veprat e shoferit të tij, për të cilin thuhet se është arrestuar në Francë për ndonjë vepër.

“Një skandal tjetër po e tronditë Komunën e Studeniçanit. Siç paralajmëroi Agjencia e Lajmeve Zhurnal ditë më parë, kësaj rradhe kjo Komunë tronditet për shkak se shoferi i Komunës së Studeniçanit, arrestohet në Francë nga policia françeze për vepra të kundërligjëshme”

Në pamje të parë, duket e besueshme. I përmban elementet e nevojshme për informim. U përgjigjet pyetjeve kush, ku, kur, çfarë…por nuk i përgjigjet njërës prej pyetjeve më esenciale për t’i dhënë tekstit “sharmin” e gazetarisë. Nuk përgjigjet se ku e ka marrë informatën, e për më tepër, nuk jep asnjë dëshmi për këto akuza.

“Vozitësi në fjalë para disa muajsh kishte shkuar në Francë, mirëpo për shkak të një vepre penale që kishte kryer në territorin françez, ai ishte arrestuar nga policia françeze dhe nga gjykata iu shqiptua dënim me burg. Momentalisht vozitësi nga fshati Studeniçan gjendet në një burg të Francës”

Pohimet sa vijnë e bëhen më të rënda, dhe më jo kredibile. Lëre që nuk saktësohet se çfarë vepre penale ka bërë shoferi i kryetarit, por as nuk tregohet se çfarë dënimi me burg ka marrë, sa muaj, sa vite? Duket se teksti është shkruar me “të dëgjuar” nga “burime të sigurta”, por kjo nuk mjafton për të cilësuar atë si prodhim gazetaresk. Po të bëhej fjalë për informata të sigurta nga ndonjë burim i mediumit, kjo duhet të ceket në përmbajtje, të përcaktohet relevanca e tij për informatën e dhënë, ndërsa besueshmria do të rritej edhe më tepër nëse jepen më shumë detaje rreth tërë rastit, si për shembull rreth akuzës me të cilën është ngarkuar personi në fjalë, çfarë ndëshkimi i është caktuar, si dhe vallë është i njoftuar shefi i tij për atë që ka ndodhur.

“Skandali rritet edhe më shumë për shkak se ky vozitës duke qëndruar në një burg të Francës merr rrogë nga Administrata e Komunës së Studeniçanit. Dëshmi për këtë është lista e rrogave për të gjithë të punësuarit nga Komuna e Studeniçanit. Në këtë listë gjendet edhe vozitësi i Azem Sadikit. Dëshmi për këtë është një raport nga Drejtoria e të hyrave publike, e cila tregon qartë se personi në fjalë merr pagë mujore, poashtu dëshmi tjetër është raporti nga Agjencia për punësim”

Ku është ajo listë e pagave? Me çfarë e mbulon këtë pohim gazetari? Akuza të tilla assesi nuk guxon të thuhen pa dëshmi. Më pas, nën floskulën “redaksia mëson”, në vend se të sillen prononcimet e banorëve, autori me sa duket flet edhe në emër të banorëve të Studeniçanit të cilët i fut në një grup, dhe u vendos mendimin e tij.

“Gjysma e banorëve të kësaj komune do të shokohen pas këtij lajmi, sepse të jesh në burg të Francës dhe të marish rrogë nga Komuna e Studeniçanit, nuk ndodh askund në botë. Zhurnal mëson se pas këtij skandali do të intervenojnë banorët e Komunës dhe do të kërkojnë llogari nga kryetari, Azem Sadiki. Mirëpo do të reagojnë edhe institucionet shtetërore”

Në përmbajtje nuk vërehet se është tentuar që të kontaktohet kryetari i kësaj komune, Azem Sadiki për të dëgjuar versionin e tij. Gjithçka është bërë kokë më vete. Madje, duke i bërë thirrje kryetarit të partisë PDSH që ta “disciplinojë” kreun e komunës për veprën e shoferit të tij, teksti e ka marrë rolin e një reagimi të ndonjë partie politike.

Po të ishin servuar të gjitha detajet dhe dokumentet e nevojshme rreth kësaj ndodhie, ndoshta do t’i jepej lexuesit hapësirë që vetë të vlerësojë se a mund t’i besojë këtij lajmi apo jo. Ndoshta kjo do të ishte një nismë e mirë për të mësuar të vërtetën, edhe nga mediat e tjera që do të mund të zgjëronin hulumtimin. Por, kështu siç është shkruar, ky tekst me plot bindje nuk bën asgjë, vetëm se sjell rrezikun e mundshëm të padisë për shpifje. “Shenjtëria” e informatës së saktë theksohet që në nenin e parë të Kodeksit të gazetarëve të Maqedonisë, ku thuhet se:


“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë gjer të gjitha burimet e informimit, të cilat janë në interes publik.
Gazetari duhet të botojë informata të vërteta e të konfirmuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale ose të falsifikojë dokumente.
Në qoftë se informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet cekur dhe botuar.
Saktësia e informatës duhet vërtetuar aq sa është e mundur”

 

Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button