Ekspertët e përgënjeshtrojnë Veljanovskin, Kuvendi mund të thirret

Thirrja e Kuvendit parashihet si mundësi e vetme për ta shpëtuar Maqedoninë nga kriza politike. Ekspertët juridik në deklaratat e tyre për Portalb kanë vërtetuar se juridikisht nuk ka ndonjë pengesë për ta thirrur të njëjtin, edhe përkundër faktit që kryeparlamentari Trajko Veljanovski insiston që Kushtetuta nuk lejon thirrjen e Kuvendit pas shpërbërjes.

Profesori universitar Jeton Shasivari dëshmon se mundësia juridike për ta thirrë kuvendin ekziston, mirëpo nevojitet vullneti politik për këtë gjë.

“Kushtetuta e RM-së askund nuk ndalon që Kuvendi i shpërndarë sërish të thirret në seancë. Sipas kushtetutës së RM-së kuvendi është në sesion të përhershëm. Sipas ligjit për kuvendin mandati i deputetëve zgjat deri në verifikimin e mandatit të deputetëve të sapozgjedhur, por jo më gjatë se katër vjet. Sipas, rregullores për punën e kuvendit kryeparlamentari mund të thirrë seancë të Kuvendit me kërkesën e së paku 20 deputetëve”, sqaron për Portalb Shasivari.

Kujtojmë se qysh më 14 prill, Lidhja Demokratike ka dorëzuar te kryeparlamentari Trajko Veljanovski kërkesë prej 20 deputetëve nga i cili kanë kërkuar thirrjen e seancën për anulimin e zgjedhjeve dhe tërheqjen e vendimit të presidentit Gjorge Ivanov për faljen e politikanëve.

Përgjegjësia bie mbi kryeparlamentarin

“Kur e kemi parasysh faktin se, situata aktuale paraqet një krizë të thellë politike e cila rrezikon izolimin e plotë ndërkombëtar dhe evropian të vendit, atëherë është më se e qartë se, kuvendi ka mundësi dhe mekanizma juridike edhe politike për të bartur përgjegjësinë në parandalimin e rrënimit të rendit kushtetues dhe vlerave kushtetuese të vendit që ndërlidhen me sovranitetin e qytetarëve dhe pluralizmin politik dhe zgjedhjet e lira, kredibile dhe demokratike”, është shprehur për Portalb profesor Shasivari, ekspert i së drejtës kushtetuese.

Të njëjtën e vërteton edhe profesoresha universitare Besa Arifi. Sipas saj, lirisht mund të thirret Parlamenti pasi që mandati i deputetëve ende vazhdon dhe vendi është në krizë.

“Deklarata e Veljanovskit se një veprim i tillë do të ishte kundërkushtetues nuk mban fare, sepse nuk ka normë kushtetuese që ndalon të mbahet mbledhje edhe pasi parlamenti të jetë shpërberë. Çështja është se nuk ka pasur praktikë të tillë deri tani, por ky nuk është problem juridik. Juridikisht një gjë e tillë është e mundur dhe në këtë rast vetëm që do të krijohej një praktikë e re që deri tani nuk ka pasur rrethana që do ta bënin të nevojshme një gjë të tillë”, deklaroi për Portalb Arifi.

Mosthirrja e Kuvendit antikushtetuese

Ajo që është kundërkushtetuese, shton më tutje profesoresha, është të mbajturit e zgjedhjeve me një parti, kjo po që është shkelje e Nenit 8 të Kushtetutës ku thuhet se vlerë themelore e RM-së është sistemi shumëpartiak dhe zgjedhjet e lira dhe demokratike.

“Pra, Veljanovski duke mos e thirrur seancën parlamentare, të cilën ka të drejtë ta thërrasë, faktikisht e shkelë Kushtetutën duke mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve njëpartiake”, përfundon Arifi.

Edhe akademik Vllado Kambovski i ka bërë thirrje kryeparlamentarit Trajko Veljanovski të mos i komplikojë punët dhe menjëherë të thirrë përbërjen parlamentare, sepse në këtë moment përgjegjësia për ardhmërinë e shtetit është personalisht e tij, transmeton Portalb.

Në një deklaratë për “sakamdakazham”, Kambovski ka paralajmëruar Veljanovskin se po e sjell Maqedoninë në një gjendje të rrezikshme, që të shpërbëhet.

Sipas tij, Veljanovski është i detyruar që ta tërheq vendimin për zgjedhje sepse nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor.

“Pse po e komplikoni punën me zgjedhjet? Nuk ka nevojë. Vjen 5 qershori, fushata e partisë së vetme do të fillojë, do të nisin njerëzit të rrahën rrugëve. Do të krijohet kaos. Përgjegjësia për ta tërhequr vendimin është personalisht e juaja”, i është Kambovski kryeparlamentarit Veljanovski.

Së fundmi edhe BDI ka ngre iniciativë deri te Gjykata Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për shpërndarjen e Kuvendit.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button