Debat: Anëtarët e KRD-së, servil politik me fuqi të madhe

Puna e Këshillit për Radiodifuzion (KRD) është skajshmërish e politizuar, anëtarët e saj zakonisht përcjellin vendime të dhëna nga politika kur është puna për marrjen apo dhënien e licencave televizionit. Mënyra si ata “merren vesh” është e rrezikshme për demokracinë në vend pasi që “koordinimet” që i bëjnë janë sekrete. Është kjo një ndër konkluzionet e debatit të sotëm në Shkup “Këshilli për Radiodifuzion dhe transparenca” organizuar nga Qendra për zhvillim të mediave në partneritet me USAID Maqedoni.

“Kemi nota katastrofale në sferën e lirinsë së mediave nga të gjithë raportet ndërkombëtare dhe në këtë ka faj edhe Këshilli për Radiodifuzion. Regjimi autokrat i cili tani është duke sunduar ia ka marrë gjitha kompetencat për vendosje KRD-së dhe ajo nuk krijon politika por bën amin në politikat që krijohen në kabinetin e Nikolla Gruevskit. Ata nuk diskutojnë për punë e tyre që u është dhënë në bazë të ligjit, dhe në kushte ideale demokratike anëtarët e KRD-së duhet të arrestohen pasi që nuk e kryejnë punën e vet. Ky këshill merret me gjithçka por jo me punën që duhet ta bëjë, mat sa sekonda kanë tejkaluar televizionet në reklamim por nuk merret me çështjet kyçe: kur dhe kujt i jepen licencat dhe politizimin e mediave” tha mes tjerash Sasho Ordanovski.

Problemi është kyç: çfarë të bëjmë me këtë rregullator i cili duhet të jetë i pavarur ndërsa te ne aty secili anëtar është i vendosur me paramendim nga Qeveria, janë të dëgjuarit e saj, tha ai.

“Mënyra se si funksionin dhe si krijohen politikat në këtë trup rregullator është jo-formale dhe nuk dihet qartë se si ata marrin vendime, duke i dëgjuar përfaqësuesit politik në parlament? Nëse gjithçka vendoset në një takim jo-formal i quajtur “koordinim” pastaj vetëm votohet atëherë ky Këshill funksionin si një grup qytetarësh që janë mbledhur për arsye private në një bife për të biseduar për çështje jozyrtare” u shpreh komunikologu Klime Babunski.

Drejtori i radios Kanal 77, Goran Gavrillov tha se njerëz pa përvojë po ngrenë dorën dhe vendosin për fatin e televizioneve. 

“Pasi që pas ndryshimit të ligjit në KRD erdhën këto persona plotësues nisi të ndryshojë dhe mënyra si ata vendosin, u morën licenca disa televizioneve dhe u dhanë disa të tjerave. Ndërsa mënyra si jepen licencat ku kam konkurruar dhe unë është skandaloze, më thonë jo-zyrtarisht prit pak të kalojë kjo punë me ligjin për media dhe më pas shohim se çfarë bëjmë” tha Gavrillov.

Në këtë debat, Dejan Georgievski nga Qendra për zhvillim të mediave i prezantoi konkluzat dhe vërejtjet e dala nga hulumtimi dhe analiza e tyre për punën e KRD-së. Hulumtimi është bërë nga periudha janar-qershor 2013.

“Kishte momente kur është vënë në rrezik puna transparente e KRD-së pasi që nga salla janë nxjerrë gazetarët dhe të tjerët për shkak se anëtarët e këtij trupi duhet të “koordinoheshin” “ tha mes tjerash Georgieveski.

Edhe pse të gjithë të thirrur, në këtë debatë mori pjesë vetëm një përfaqësues i KRD-së Lazar Petrushevski.

“Do ti analizojmë dhe do ti pranojmë nëse vlerësojmë se duhet, kritikat dhe vërejtjet nga analiza juaj” tha mes tjerash Petrushevski. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button