Komplikohet labirinthi politik në Maqedoni

Pothuajse askush nuk e besonte se do të mbaheshin çfarëdo lloj zgjedhje në Maqedoni më 5 qershor. Megjithatë de jure ato do të mbahen në datën e caktuar 5 qershor. Këtë datë nuk arriti ta ndryshojë as faktori ndërkombëtar, as protestat e qytetarëve e as dialogu politik mes liderëve partiak.

Ka filluar fushata zgjedhore, për zgjedhjet ku në fletën e votimit do të qëndrojë vetëm një parti politike.

Para dyerve të sistemit një-partiak

Bojan Mariçiq, njohës i rrethanave politike në deklaratën e tij dhënë Portalb pohon se nëse VMRO-DPMNE shkon e vetme në zgjedhje do të na kthejë në korridoret e errëta të sistemit njëpartiak.

“Ky është edhe synim, që do të finalizonte regjimin autokratik të Gruevskit. Pasojat do të ishin të rënda dhe afatgjate. Për fillim, do të qëndronim si shtet i izoluar nga gjitha proceset integruese ku synonim që të anëtarësoheshim. E gjithë kjo do ta hedh vendin në varfëri dhe dëshpërim”, tha ai për Portalb.

Mariçiq mendon që bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë në këtë drejtim për të mos lejuar që të shfuqizohen demokracia në vend. Sipas tij, opozita duhet të jetë më aktive, përfshirë të gjitha partitë, të cilat nuk shkojnë në zgjedhje.

“Urgjentisht të thirret seanca, të anulohen zgjedhjet dhe të tërhiqet falja e presidentit Ivanov, këtë po e presin edhe qytetarët- të cilët po protestojnë tanimë më shumë se një muaj nëpër po protestojnë”, sygjeron Mariçiq.

Politologu Bashkim Bakiu vlerëson se periudha që vjen do të jetë e ngjashme sa i përket zgjidhjes politike, sidomos pas caktimit dhe shpalljes se zgjedhjeve.

“De jure ne jemi në kampanjë zgjedhore, por edhe kjo duhet të shikohet me dyshim si një lloj taktike e VMRO-DPMNE-së, (pa dyshim se kjo parti ka ndonjë plan apo taktike) që të përfitoj më tej nga presioni, marrëveshje apo qëllimi i daljes nga kriza, sidomos kur e dimë se zgjidhja e krizës nënkupton edhe dënim ku aktorët kryesorë janë mu të kësaj partie. Me rëndësi është se si më tej do luajnë BDI dhe PDSH ndaj VMRO-DPMN-së, në qoftë se këta parti gradualisht distancohen atëherë detyrimisht Gruevski do mbështetet për “muri”, kur e dimë se LSDM-ja veç më është kundër çfarëdo plani të VMRO-së. Sigurisht se edhe ndërkombëtaret do jenë afër këtij procesi dhe presioni”, theksoi për Portalb Bakiu.

Brukseli: S’ka kushte minimale për zgjedhje më 5 qershor

Faktori ndërkombëtarë edhe njëherë ka theksuar atë që shpesh e ka përsëritur qoftë nëpërmes ambasadorëvë në vend, qoftë nëpërmes zëdhënëses Maja Kocijançiq. Qëndrimi i Brukselit është i prerë: “S’ka kushte minimale për zgjedhje më 5 qershor”.

Javën e kaluar në vend qëndroi edhe i dërguari special Johanes Hajndëll. Ai pas vizitës në Maqedoni, është kthyer në Bruksel për tu rikthyer prapë gjatë kësaj jave në vend me rekomandimet e fundit për zgjidhjen e krizës në Maqedoni.

Roli i partive shqiptare 

Partitë shqiptare pjesë të Marrëveshjes së Përzhinës, BDI dhe PDSH nga takimet me përfaqësuesin special të BE-së, Johanes Hajndëll kanë shprehur qëndrimet që tashmë dihen: “nuk lëkunden nga alternativa e proceseve integruese” dhe se “duhet të thirret parlamenti”.

BDI ka ngre iniciativë deri te Gjykata Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për shpërndarjen e Kuvendit. BDI kërkon vendimi të shpallet jo kushtetues me çka do t’i mundësoj Kuvendit që prapë të mbajë seancë.

Ndërkaq, nga ana tjetër, kryeparlamentari Trajko Veljanovski insiston se nuk ka mundësi që të thirret Kuvendi pas shpërbërjes./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button