Nelson Mandela, shembull për të gjithë ne

Një lideri i mirëfilltë që do të mbahet mend përgjithmonë për kthesën e madhe afrikane dhe shembullin e dhënë për mbarë njerëzimin. Veprimtaria e simbolit të lëvizjes kundër aparteidit, Nelson Rolihlahla Mandela do të njihet përgjithmonë si një prej kontribuuesve më të mëdhenj për vlerat humane, duke qenë një prej personazheve më të lartësuara të shekullit njëzetë.
 
Ajo që e shquan Mandelën është përkushtimi i tij i pakrahasueshëm për pajtim dhe falje me të bardhët, regjimi i të cilëve e ka mbajtur në burg plot 27 vite. Me madhështinë e pashoqe, ai ia ka falur kundërshtarëve mëkatet e të kaluarës menjëherë pas lirimit, duke e tejkaluar armiqësinë. Madje edhe kundërshtari i tij kryesor, ish-Kryetari i Afrikë së Jugut, i bardhi FM de Klerk, me të cilin Mandela e ndan Çmimin Nobel për paqe, e ka pasur vështirë ta besojë që Mandela nuk ka ndjellë urrejtje, pavarësisht vuajtjeve në sistemin e shtypjes së institucionalizuar raciste për pesëdhjetë vite. 
 
Është e kaluara e tij që e bën të pabesueshme si një person me jetë kaq të vështirë, asnjëherë nuk e ka harruar ndjenjën e barazisë dhe drejtësisë. Është pikërisht ky qëndrim dhe fryma e dinjitetit që ia ka sjellë Afrikës së Jugut fillimin e ri, pavarësisht vështirësive historike. Mbi të gjitha, Mandela mbetet madhështor edhe me veprimin e tij për trajtim të barabartë ndaj të bardhëve, duke i dënuar të gjitha krimet hakmarrëse, me përkushtimin që kurrë nuk do të lejohet që një njeri t’i shtypë të tjerët. 
 
Thënia e tij që “nuk mund t’i afrohemi lirisë duke ecur mbi trupat e vdekur të të pafajshmëve” është shumë udhëzuese për të gjithë ne, që jemi shumë larg fillimit të mirëfilltë. Historia e njerëzimit do të ishte shumë e varfër pa modelin e pajtimit të promovuar nga Mandela, të kopjuar edhe në shumë vende të botës. Komisioni i të vërtetës dhe pajtimit njihet si një prej meritave kryesore për ngritjen e shoqërisë, duke e synuar hulumtimin e padrejtësive dhe mbledhjen e dëshmive për shkeljet institucionale. Duke i dëgjuar viktimat dhe dorasit në radhët e zyrtarëve, është synuar pajtimi kombëtar dhe ndalja e hakmarrjes së pafund, që konsiderohet si e arritur pavarësisht lëshimeve të shumta serioze. Ndonëse krimet dhe vuajtjet nuk mund të shpaguhen kurrë, është meritë e këtij modeli me plot të meta që e ka mbajtur Afrikën e Jugut larg gjakderdhjes dhe ciklit të pafund të dhunës, një fat që nuk e kanë pasur shumë shtete tjera pa një vizionar dhe humanist si Mandela. 

Një terrorist i dënuar me burg si drejtues i krahut ushtarak që ka luftuar për liri dhe barazi, emri i tij Rolihlahla (thyes i degëve në gjuhën e tij amtare xhosa) e ka marrë kuptimin e mirëfilltë me thyerjen e degës së kalbur të shtypjes, urrejtjes, terrorizmit institucional dhe shkeljes ekonomike. Shembuj të personazheve të këtilla ka gjithandej, por janë absolutisht të rrallë ata që udhëheqin me shembull, duke e mbjellë pemën e drejtësisë dhe mëshirës për t’ia treguar tjerëve daljen nga dhuna dhe urrejtja.  
Një detyrë aspak e lehtë, por pikërisht kjo e veçon Mandelën nga gjithë tjerët në historinë moderne. 

Gjithmonë kur flasim për Afrikën me përçmim, falë snobizmit dhe arrogancës tonë të pabazë, duhet ta kujtojmë rolin e Mandelës dhe shembullin e Afrikës së Jugut. Virtyti i faljes së armikut, tejkalimit të urrejtjes dhe hakmarrjes shoqërore janë diçka e pakapshme për të gjithë ne, të ngriturit evropianë të Ballkanit. Mbi të gjitha, largimi vullnetar i Mandelës nga skena politike, për tu përkushtuar për qëllime bamirëse shoqërore është kulmi i ndjenjës njerëzore, nga e cila jemi larg si individë dhe shoqëri. 
 
Dallimi jonë me madhështinë e pakrahasueshme të zemrës së Mandelës vjen në pah më së miri me faktin që dymbëdhjetë orë pas vdekjes së tij, nuk ka asnjë telegrame ngushëllimi nga udhëheqësit shtetërorë të Maqedonisë. Kjo njollë turpi flet shumë për mjerimin tonë shpirtëror, pjesë e Evropës vetëm fizikisht, assesi jo me vlera, për çka kemi shumë për të mësuar nga Afrika e largët e Jugut. Burrështetasit botërorë që nga Amerika dhe Britania, deri në Iran dhe Japoni shprehën respekt me të kuptuarin e lajmit të hidhur. Heshtja jonë e tregon fundërrinën e botës në të cilën jemi, larg civilizimit. 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button