“Belle Air” 55 milionë vjedhje e evazion

Hiç më pak se 55 milionë euro deri më tash llogaritet të jenë vjedhjet dhe evazioni fiskal që janë shkaktuar nga avio-kompania tashmë e falimentuar “Belle Air”.

Vjedhjet dhe evazioni në Shqipëri llogaritet të jetë rreth 52 milionë euro. Ndërkaq, në Kosovë rreth 3 milionë euro.

Ndërkaq, kjo nuk është shuma finale, pasi që viktimat e kompanisë po shtohen çdo ditë.
Mijëra qytetarë që kanë rënë viktimë e aviokompanisë “Belle Air”, tashmë po injorohen nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Infrastrukturës(MI), ku kësaj të fundit qytetarë të shumtë i janë drejtuar me kërkesa për kompensim të avio-biletave që ata kanë paguar qysh gjatë kohës së verës.

Durim Berisha është njëri nga viktimat e shumta që përmes postës elektronike ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës kompensim të biletës të cilën ai nuk ka mundur ta shfrytëzojë për shkak të falimentimit të kompanisë.

Ai thotë se biletën e ka paguar hiç më pak se 320 euro, të cilën tashmë askush nuk po ia kompenson. “Në ministri jam ankuar të hënën (realisht e-mailin e kam dërguar të dielën ne mbrëmje, mirëpo afati i pranimit fillon në ora 8:00 të ditës se hëne). Ne e-malin i cili gjendet në ueb-faqen e Ministrisë. Kur e kam dërguar e-mailin më është kthyer përgjigje elektronike nga domaini, ku më njofton se ajo adresë nuk ekziston, prandaj të njëjtën letër e kam drejtuar në e-mail adresën [email protected]. Mirëpo, deri me sot asnjë përgjigje nuk kam marrë”, thotë ai për gazetën “Zëri”.

Në e-mailin e dërguar Berisha kërkon ndihmë nga Ministria për kompensimin e parave për biletën e pashfrytëzuar. “Jam Durim Berisha, student i magjistraturës në Universitetin Konstanz në Gjermani. Besoj se nga subjekti i letrës e kuptoni se ankesa ime ka të bëjë me rastin e fundit të dorëzimit të kërkesës për falimentim nga kompania ‘Belle Air Europe’.(E them dorëzimit të kërkesës, pasi procedura e falimentimit mund të fillohet vetëm pas aprovimit nga gjykata kompetente).

Ndonëse 1 ditë para mbylljes se kësaj kompanie ne Prishtine, Nuhi Gashi e ka blerë biletën për mua, personalisht ka shkuar në zyrat e tyre që të pyesë nëse ka ndryshime, por zyrtarë të kësaj kompanie e kanë siguruar se nuk do të ketë anulim të fluturimeve dhe se nuk ka arsye për shqetësim”thuhet në letër.

Mirëpo, ai thotë se befasisht ditën e nesërme, përmes mediave është njoftuar për mbylljen e kësaj kompanie. Ai thotë se menjëherë ka kontaktuar kompaninë “Darwin Airlines” pasi fluturimi ishte i tyre, por këta të fundit i kanë thënë Berishës se përgjegjës mbetet agjencia ku është blerë bileta, pasi bileta ishte paguar me para “cash” në dorë.

“Andaj ju lus të më ndihmoni në kompensimin e të hollave që kam paguar unë”thuhet në kërkesën e drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës. Por, në anën tjetër zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës po injorojnë kërkesat e viktimave të “Belle Air”.

Të enjten ministri Fehmi Mujota nuk ka qenë në gjendje të flas për këtë çështje, pasi që ka qenë pjesë e negociatave që po mbahen në Bruksel.

Lajme të ngjashme

Back to top button