Në hapat e kujt?

Drejtuesit e këtij shteti bënë autogol. Viktor Orban u prit me nderime të mëdha vëllazërore në Shkup, u dekorua dhe u vlerësua shumë lart nga krerët e shtetit maqedonas. Këta, më në fund e demaskuan veten duke na treguar se cilin e kanë model për drejtimin e shtetit ndërsa popullit i shesin demagogji se e duan Europën dhe modelin e saj demokratik të qeverisjes.

Kjo vizitë kaq e bujshme në Maqedoni, tregoi më në fund hapur, dashurinë e fshehtë të qeverisë. Ja cilin lider e adhurokan këta drejtuesit tanë, prandaj edhe nuk lodhen ti afrohen Europës. Deri më sot bënin deklarata (që me siguri do vazhdojë ti bëjnë) se po përpiqen maksimalisht, me të gjitha rrugët, për ti kapërcyer pengesat me Greqinë dhe për të nisur procedurat për anëtarësim në BE, por ja, erdhi dita që u lodhën duke e mbajtur të fshehtë zjarrin e dashurisë për metodat autoritare të qeverisjes, siç është ajo e zotit Orban. Ky ka bërë në vendin e tij të njëjtën politikë që e bëjnë edhe këta “tanët”, prandaj u ‘shkon muhabeti’. Çështje ndjenjash! Ti o popull mund ta duash Europën, por ata që vendosin këtu, e dashurojnë tjetërkënd.

Këtu në Maqedoni hipokrizia është institucionalizuar. Maskat nuk i përdorin më vetëm njerëzit por edhe institucionet! Me paratë e shtetit zyrtarët e lartë shëtisin nëpër Europë dhe kërkojnë, gjoja, ndihmë për raportet me Greqinë fqinje për çështjen e emrit të shtetit, tashmë 23-vjeçar, dhe proceset integruese në BE, ndërsa nga ana tjetër, në vend, presin e përcjellin në mënyrë madhështore liderë të njohur si cungues të demokracisë në vendet e tyre, siç ishte rasti i Orbanit (i bërë i famshëm për ligjet që kufizojnë lirinë e medias deri në atë masë sa mundësojnë mbylljen e tyre). 

Ky shtet nuk mund ti shprehë hapur ndjenjat kundrejt Europës, si për shembull i shpreh sot Ukraina, për dy arsye: e para sepse është i vockël, i mjerë dhe gënjeshtar, dhe e dyta, sepse për fat të mirë të tij (dhe për fat të keq tonin) ka një çështje të pazgjidhur me Greqinë e cila i është vënë kusht për avancimin drejt BE-së. Dhe, sa mirë moj çesëm që s’ke ujë! Sa të jetë gjallë vetoja e Greqisë, asgjë nuk e rrezikon qeverinë e Maqedonisë të shprehë hapur mungesën e dëshirës për anëtarësim në BE. Prandaj, motoja e kësaj qeverie u duk qartë se është: mos e lini të qetë Greqinë, provokojeni dhe nervozojeni sa të mundeni për ta pasur kundërshtinë e saj si alibi (jorgan të ngrohtë për dashurinë me parimet antieuropiane, antidemokratike, antinjerëzore).

Para disa ditësh, një koleg i kombësisë maqedonase, me të drejtë tha se ky vend, në mos FYROM, tashmë mund të quhet Absurdistan! Sa i saktë, sa tragjikomik ky konstatim! Ndërkohë që ne presim se cili personalitet europian do vijë në Maqedoni dhe do ndikojë për zbutje të “Absurdistanit”, qeveria nuk na la në dyshime dhe shpresa: ajo sot na tregoi se cilën pjesë të Europës e paska idhull! Prandaj, le të mos na tregojë më përralla se po e pret kompromisin për emrin sepse edhe atëherë kur ta ketë atë kompromis, me siguri do gjejë arsye të tjera, nga Ukraina apo Rusia, për ti treguar Europës se s’ka rëndësi se çfarë do populli por se çfarë dashuron ajo vetë!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button